Çmimi Nobel për Paqe 2025 politikanes dhe aktivistes venezueliane Machado
R.SH. / Vatikan
"Çmimi Nobel për Paqe 2025 iu dha sot udhëheqëses së opozitës venezuelase, María Corina Machado. Një kampione e guximshme dhe e përkushtuar e paqes — ka motivuar Jørgen Watne Frydnes, president i Komitetit Nobel –. Një grua që mban ndezur flakën e demokracisë mes errësirës në rritje".
Arsyetimi i Komitetit Nobel
"Si udhëheqëse e lëvizjes demokratike në Venezuelë, María Corina Machado është një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të guximit civil në Amerikën Latine kohët e fundit", thuhet më tej. "Zonja Machado ka qenë një figurë kyçe dhe unifikuese në një opozitë politike që dikur ishte thellësisht e ndarë. Një opozitë që ka gjetur një pikë të përbashkët në kërkesën për zgjedhje të lira dhe qeverisje përfaqësuese", kujtoi Komiteti Norvegjez i Nobelit.
Aktiviste për të drejtat e njeriut dhe udhëheqëse e opozitës ndaj Maduros
Politikane dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, kandidate për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, por e përjashtuar nga gara nga qeveria e Karakasit, María Corina Machado — tashmë e nderuar me Çmimin Saharov 2024 për lirinë e mendimit nga Parlamenti Evropian — ka themeluar partinë politike liberale Vente Venezuela. Ajo ka qenë deputete e Asamblesë Kombëtare nga viti 2011 deri në vitin 2014.
"Në dymbëdhjetë muajt e fundit, Machado është detyruar të jetojë e fshehur në brenda territorit të Venezuelës. Pavarësisht kërcënimeve serioze ndaj jetës së saj, ajo ka qëndruar në vendin e Amerikës së Jugut, një zgjedhje që ka frymëzuar miliona njerëz — shtoi Frydnes —. Kur autoritarët marrin pushtetin, është thelbësore të njihen mbrojtësit e guximshëm të lirisë që ngrihen dhe rezistojnë".