Me 27 janar kalendari kujton Shën Angjela Meriçin, virgjër
R.SH. - Vatikan
Brenda botës, por si shenjë e shkëputjes dhe profecisë: ja se si të krishterët janë të thirrur të jetojnë kohën e tyre. Ky ishte stili që përshkoi të gjithë veprën e Shën Anxhela Meriçit, themelueses së Shoqërisë së Shën Orsolës, e cila në fakt u ofroi grave një rol të ri në kaleidoskopin e karizmave. Motrat Orsoline, në fakt, jetonin si të kushtuara brenda botës: një "rrugë e tretë" e paprecedentë në shekullin XVI.
Anxhela lindi në Desenzano në vitin 1474 në një familje fshatare dhe dëgjoi tekstet e para të spiritualitetit nga i ati. Në moshën 15-vjeçare mbeti jetime nga të dy prindërit, pasi humbi papritur edhe motrën. Për 5 vjet te një xhaxha që kishte në Salò, u bë terciare françeskane dhe nisi një jetë lutjeje e kundrimi.
Pas vdekjes së xhaxhait, ajo u shpërngul në Desenzano, ku për një periudhë iu kushtua punëve të shtëpisë si dhe punëve në fushë. Në vitin 1516, me kërkesë të françeskanëve, u zhvendos në Brescia për të ndihmuar një të ve. Sipas traditës, këtu Anxhela pati disa vizione që e frymëzuan për themelimin e Shoqërisë së Shën Orsolës, edhe pse, para se të arrinte në këtë hap (i cili ndodhi zyrtarisht në vitin 1535), ajo kreu udhëtime dhe shtegtime të shumta.
Intuita e saj ishte e qartë: "të përulurat" (le dimesse) do të ishin në botë si shenjë e rrënjësisë së Ungjillit. Themeluesja e Motrave Orsoline vazhdoi të bënte një jetë tejet të thjeshtë deri në vdekjen e saj në Brescia në vitin 1540. Anxhela Meriçi është shpallur shenjte në vitin 1807.