Shën Klaudia dhe shoqet e saj
R.SH. / Vatikan
Guximi tërësisht femëror për t'iu kundërvënë dhunës së botës duke çaktivizuar mekanizmat e shtypjes dhe të arrogancës; një karizëm që është rrënjë e paqes, por edhe dhurim i vetvetes: ky është modeli që liturgjia na propozon sot, duke kujtuar figurat e Shën Klaudies dhe shoqeve të saj të martirizimit, Aleksandres, Eufrasisë, Matronës, Julianës, Eufemisë dhe Teodozisë.
Bëhet fjalë për një ngjarje që ndodhi në Amiso, sot në Turqi, në fillim të shekullit IV, në kohën e perandorit Maksimin Daia (305-313): këto shtatë dëshmitare të fesë patën guximin t'i drejtoheshin guvernatorit të qytetit, duke denoncuar egërsinë dhe padrejtësinë në dënimet kundër të krishterëve.
Duke guxuar të kundërshtonin autoritetin, ato u dërguan para gjykatësit dhe u kërkua prej tyre, pasi u fshikulluan, të mohonin fenë e tyre dhe të flijonin për perënditë. Të shtatë gratë, pa hezituar, refuzuan të braktisnin besimin dhe të kryenin gjestet e riteve pagane. Prandaj u dënuan me vdekje dhe u hodhën në një furrë të zjarrtë. Ndonëse detajet historike dhe biografike humbasin gjatë shekujve, vjetërsia e kultit për nder të tyre mbetet e vërtetuar, duke ruajtur edhe sot të gjithë forcën profetike.