Kërko

Vittorio Messori, një shkrimtar i madh katolik dhe autor i librave më të shitur mbi fenë Vittorio Messori, një shkrimtar i madh katolik dhe autor i librave më të shitur mbi fenë

Messori, kërkues i apasionuar i arsyeve të fesë

Lamtumirë Vittorio Messori-t, gazetarit italian që guxoi të bënte kërkime mbi Jezusin. Ai ishte 84 vjeç dhe vuante prej kohësh nga një sëmundje. Ishte ndër autorët që shënuan më së shumti eseistikën katolike në pesëdhjetë vitet e fundit.

R.SH. / Vatikan

nga Andrea Tornielli

Zemra iu ndal të Premten e Madhe në shtëpinë e tij të Desenzano del Garda, Itali, në orën 21.45, pas kujtimit të Mundimeve të Jezu Krishtit që ai i kishte studiuar me ndershmëri të madhe intelektuale në librin e tij, titulluar "Ata thonë se u ringjall". Vittorio Messori, shkrimtar dhe autor i librave më të kërkuar kushtuar fesë, me ndikim në botën kulturore italiane dhe ndërkombëtare, ndërroi jetë! Pas pak ditësh do të mbushte 85 vjeç. Katër vjet më parë humbi gruan e tij të dashur, Rosanna.

Emiliano di Sassuolo lindi në një familje antiklerikale, të zhvendosur në zonën e Brescias e, më pas, në Torino menjëherë pas luftës. Vittorio kishte qenë student i Firpo dhe Bobbio- në universitet, ku u diplomua në Shkencat Politike me Galante Garronen e me një tezë mbi Risorgimenton.

Pasioni për Ungjillin

Në vitin 1964, jeta e tij, e cila deri atëherë kishte qenë larg fesë, ndryshoi rrënjësisht, e ndihmuar nga leximi i Ungjijve. Ato tekste të shkurtra e me vlera të papërshkrueshme, të shkruara pothuajse dy mijë vjet më parë, ia prekën zemrën, duke e shndërruar që në atë çast në kërkues të palodhur të arsyeve të fesë. U regjistrua në Institutin e Kristologjisë të Pro Civitate Christiana, në Asizi, ku kaloi një vit duke studiuar e ku takoi edhe vajzën, që më vonë do të bëhej gruaja e tij. Pasi u kthye në Torino, nisi të punonte në Società Editrice Internazionale dhe të bashkëpunojë me disa gazeta e revista. Në vitin 1970, u bashkua me Stampa Sera, ndërsa më pas do të punonte si redaktor i Tuttolibri.

I tërhequr nga historiciteti i Jezusit

Në vitin 1976 doli eseja e tij e parë e themelore "Hipoteza mbi Jezusin", fryt i dymbëdhjetë viteve studimi. Libër, që eksploron historicitetin e Nazareasit, duke e bërë të arritshme për të gjithë përmbajtjen që zakonisht kufizohet në rrethin e ngushtë të ekspertëve. Ai, pa e dashur e pa e planifikuar, u bë nismëtar i një apologjetike të re dhe moderne, krijuar me rigorozitet ekstrem. Në vitin 1978 u transferua në Milano, ku krijoi revistën e re mujore të Paulinëve “Jesus”, ku do të punonte për disa vjet, e ku më pas do të vazhdonte të kontribuonte, megjithëse jashtë vendit. Në vitin 1982 botoi "Scommessa sulla morte", duke denoncuar krizën e marksizmit. Por ishte kryesisht historiciteti i Ungjijve, që e tërhoqi veçanërisht: ai libër i parë themelor kushtuar Jezusit, u pasua nga të tjerë që sistematizuan kërkimin, të cilit ai do të vazhdonte t'i përkushtohej me pasion gjatë gjithë jetës së tij: "Inchiesta sul cristianesimo" (1987), një udhëtim në dialog me të krishterët, besimtarët e feve të tjera, ateistët dhe agnostikët; "Patì sotto Ponzio Pilato" (1992), "Dicono che è risorto" (2000) dhe "Ipotesi su Maria" (2005).

Libra kushtuar Kardinalit Ratzinger dhe Gjon Palit II

Por libri që kujtohet në mënyrë të veçantë, është një tjetër, i shkruar nga Messori në vitin 1984 pas disa ditë bisedash me Kardinalin Joseph Ratzinger gjatë pushimeve të tij në seminarin Bressanone. Titullohet "Raport mbi Fenë", e mbahet mend veçanërisht për reagimin e jashtëzakonshëm që pati pas publikimit. Ky libër e paraqet publikun e gjerë me mendimin e kardinalit Ratzinger, të cilin Gjon Pali II e kishte emëruar disa vite më parë për të udhëhequr Kongregatën për Doktrinën e Fesë, dhe paralajmëron kundër devijimit ideologjik të një progresivizmi të caktuar. Autor shumë i vlerësuar nga Papët, e edhe nga Papët e ardhshëm, në vitin 1994 iu kërkua të intervistonte Gjon Palin II. Prej këndej lindi libri "Të kalosh pragun e shpresës", në të cilin Papa u përgjigjet 35 pyetjeve të bëra nga Messori. Ndërkaq nisi bashkëpunimin me Corriere della Sera dhe u zgjodh për të njoftuar, përmes një editoriali, vendimin e marrë nga Karol Wojtyla në fillim të viteve 2000: pavarësisht përparimit të sëmundjes, ai nuk do të hiqte dorë nga papnia.

Prioriteti i fesë mbi moralin

Gjatë gjithë jetës së tij, shpallja e fesë dhe arsyet për të besuar, argumente që mbështesnin historicitetin e Ungjijve, ishin qendrore në interesat e tij. Për shkak të jetës para kthesës në fe dhe përparësisë së kerygmës, nuk ishte i interesuar kurrë veçanërisht në çështjet morale. "Pa gozhdën e fesë - dëshironte të përsëriste - varsja e rrobave të moralit nuk mund të qëndrojë lart". Synonte, kështu, të theksonte se në kontekstin e sotëm të shekullarizuar, ishte themelore të shpallej vdekja dhe ngjallja e Krishtit, duke dëshmuar thelbin e fesë.

Studimi i mrekullive dhe  i dukjeve mariane

Studiues i madh i dukjeve dhe mrekullive të Zojës Mari në Lurdë, në vitet e fundit përkushtimi i tij Marian u thellua më tej, me përpjekje të konsiderueshme, duke investuar burimet e tij personale në ndërtimin e kapelës së Zojës së Ullirit në kopshtet përreth Abacisë Benediktine të Maguzzano, pranë Liqenit Garda, aktualisht e banuar nga Shërbëtorët e Varfër të Provanisë Hyjnore.

E habitshme që një autor, i cili e shkriu gjithë energjinë e tij për ta rindërtuar  figurën e Jezusit,  e përfundoi jetën në ditën kur besimtarët e botës kujtojnë vdekjen e Nazareasit në Kalvar.

04 prill 2026, 11:41