Kërko

Një pastor, në rrënojat e kishës së tij, shkatërruar nga banditët në Nigeri Një pastor, në rrënojat e kishës së tij, shkatërruar nga banditët në Nigeri

360 milionë të krishterë, në rrezik nga dhuna, për shkak të fesë

Edicioni i 30-të i World Watch List, raporti i organizatës Open Doors për vendet ku të krishterët persekutohen më shumë, vë në pah se gjatë vitit të fundit janë vrarë 5621 të krishterë, janë arrestuar 4.542 vetë dhe janë rrëmbyer 5.259 të tjerë. Pikërisht të krishterëve, që bëhen objekt i dhunës, për shkak të fesë, Papa Françesku u kushtoi sot një mendim, gjatë audiencës së përgjithshme

R.SH. – Vatikan

Një grumbull rrënojash të djegura janë dëshmia e vetme e kishës kushtuar Zojës së Madhe në Mianmar. Ku vend kulti, quajtur Chan Thar në gjuhën vendase, ndërtuar nga misionarët katolikë më 1894, u rrafshua me tokën nga forcat e armatosura, në pushtet që prej dy vitesh në Mianmar, për “ta dënuar” Kishën, e cila akuzohet se mbron të drejtat e njeriut. Ky është një nga shembujt tragjikë të persekutimit të shfrenuar kundër të krishterëve në gjithë planetin, për të cilin foli sot edhe Papa Françesku, gjatë audiencës së përgjithshme në Vatikan. Metodat, dinamikat dhe objektivat ndryshojnë nga një skaj i botës në tjetrin, prandaj, kuadri i përgjithshëm, shpesh, u shpëton nga sytë vëzhguesve.

Dhuna kundër të krishterëve në 10 vendet e para të WWL 2023
Dhuna kundër të krishterëve në 10 vendet e para të WWL 2023

Open Doors: Koreja e Veriut, e para për persekutimet

Por raporti i fundit i Open Doors (Dyer të Hapura), organizatë, e cila që prej 30 vitesh mbikqyr gjendjen e të pagëzuarve në Krishtin, në gjithë botën, vë në dukje se emëruesi i përbashkët i të gjitha persekutimeve është urrejtja për ata, që përpiqen të ndjekin Ungjillin.

Viti i kaluar ka qenë më i keqi për besimtarët. Numri absolut i atyre, që vuajnë forma të rënda diskriminimi dhe abuzimi nuk ka ndryshuar: 360 milionë, ose një në shtatë të krishterë. Megjithatë, janë rritur treguesit në pesëdhjetë vendet më të rrezikshme për të krishterët. E para në listën e World Watch 2023, është sërish Koreja e Veriut, për shkak të "ligjit kundër mendimit reaksionar", që të bën të mendosh menjëherë për ligjin famëkeq “për agjitacion e propagandë” të Shqipërisë komuniste. Zbatimi i tij ka sjellë shtimin e arrestimeve dhe mbylljen e kishave. Piong-jangu del përsëri në vendin e parë, pasi në studimin e mëparshëm ia pati zënë postin Afganistani, i cili tani kalon në të nëntin.

Kishë e shkatërruar në Irak
Kishë e shkatërruar në Irak

Shumica e të krishterëve afganë janë larguar nga atdheu

Por, nuk është fjala për ndonjë lajm pozitiv. Kalimi në atë vend i detyrohet faktit se shumica e të krishterëve afganë janë larguar nga atdheu. Ndërmjet tyre, edhe Nasiry, protagonist i librit “Biri i një shërbëtori”, shkruar nga drejtori i Open Doors për Italinë, Cristian Nani. Refugjati u intervistua nga autori në një vend sekret, pasi kalimi i tij nga Islami në krishtërim dënohet me vdekje. Vërtet, bashkësia e vogël e krishterë e Afganistanit jeton në mënyrë klandestine. Një kishë primitive, me pak meshë, e detyruar ta shprehë fshehurazi besimin në Krishtin. E megjithatë, kërcënimi dhe dhuna e talebanëve nuk kanë mundur të pengojnë shtimin e kësaj pakice me të pagëzuar të rinj.

Numrat e përgjithshëm të WWL 2023
Numrat e përgjithshëm të WWL 2023

Zona më shqetësuese e botës është Afrika sub-sahariane

Zona më shqetësuese e botës për organizatën Open Doors është sidomos Afrika sub-sahariane ku dhuna ka arritur një intensitet të paparë. E kjo u bë e qartë edhe ditët e fundit: të dielën, brenda njëzet e katër orëve, një meshtar u dogj i gjallë në Kivu-në e Veriut, në Kongon Lindore, ndërsa një bombë masakroi 14 vetë në një kishë pentekostale në Nigeri. Me një telegram, Papa Françesku shprehu dhimbjen për viktimat e pafajshme dhe “dhembshurinë e afërsinë e tij për të gjitha familjet e prekura fort nga kjo tragjedi”. Papa, i cili pas dy javësh do të shkojë në Kongo dhe në Sudanin e Jugut, lutet për "dhuratën e paqes" në Afrikën e shkatërruar nga konfliktet e harruara.

Vendet me numrin më të madh të të krishterëve të vrarë (WWL 2023)
Vendet me numrin më të madh të të krishterëve të vrarë (WWL 2023)

Të krishterët goditen dy herë

Të krishterët goditen dy herë nga lufta e vazhdueshme botërore pjesë-pjesë, për të parafrazuar Françeskun. Ashtu si gjithë popullsia, ata vuajnë nga pasojat e paqëndrueshmërisë politike dhe të pabarazisë gjithnjë në rritje. Nga ana tjetër, veprimtaria e tyre për të mbrojtur më të brishtët, siç mëson Ungjilli, i bën të diskriminohen e, madje, edhe të vriten nga të pushtetshmit e kohës. Në shifra absolute, duket sikur ka një përmirësim, pasi vrasjet e të krishterëve kanë rënë në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, por ato mbeten gjithnjë shumë: 5.621 viktima krahasuar me 5.898 më 2021.

Edhe numri i kishave të sulmuara, ose të mbyllura, zvogëlohet me më shumë se gjysmën: pak më tepër se dy mijë, krahasuar me mbi pesë mijë, një vit më parë. Vendimtare për këtë, ulja e këtij numri në Kinë: një mijë raste kundrejt 3 mijë të mëparshmeve. Nga ana tjetër, rriten në mënyrë drastike rrëmbimet e besimtarëve, nga 3829 në 5259. Prej tyre, pothuajse pesë mijë rrëmbime përqendrohen në tre vende: Nigeri, Mozambik dhe Kongo. Pastaj, ka dhjetëra mijëra të krishterë të sulmuar në njëmijë forma, gati 30 mijë raste.

Në Indi, 1.750 vetë mbahen në burg pa gjyq

Vetëm në Indi, ku qeveria e hinduistit radikal, Narendra Modi, i ka kufizuar të drejtat e anëtarëve të besimeve të tjera, 1.750 vetë mbahen në burg pa gjyq. Për të mos folur për presionin nën rrogoz, që shprehet përmes abuzimeve të përditshme në punë, në shkollë, në shërbime. Episode të vështira për t'u llogaritur, por me ndikim të madh në bashkësinë vendase. Janë gjithnjë e më të shumtë besimtarët, që në pamundësi për t'i bërë ballë presionit, vendosin të ikin, duke u kthyer në të shpërngulur brenda vendit apo në refugjatë. Një fenomen veçanërisht i dukshëm në Lindjen e Mesme, por edhe në Sahel, për shkak të dhunës xhihadiste, në Iran dhe në Mianmar.

Vendet me numrin më të madh të kishave të sulmuara gjatë vitit 2022
Vendet me numrin më të madh të kishave të sulmuara gjatë vitit 2022

Edhe më mizor, persekutimi i grave të krishtera

Shpërngulja është strategji e qëllimshme persekutimi, që synon ta zhdukë praninë e krishterë në shumë vende. Edhe më mizor është persekutimi i grave të krishtera. Mijëra detyrohen të martohen me zor, ose i nënshtrohen dhunës seksuale. Raporti arrin të regjistrojë vetëm një pjesë të vogël të rasteve ekzistuese: mbi 2000 përdhunime dhe 717 martesa të detyruara. Shpesh, për arsye kulturore dhe shoqërore, ky lloj abuzimi nuk raportohet. Për këtë arsye, Open Doors ka vendosur ta përforcojë punën kërkimore mbi dhunën me bazë gjinore.

Liria fetare kërcënohet edhe nga pushteti i korruptuar

Në rajone të tjera, si në Amerikën Latine, për shembull, liria fetare kërcënohet nga pushteti i korruptuar, nga krimi dhe nga liderët indigjenë. Shtypja e drejtpërdrejtë e qeverisë kundër të krishterëve, që shihen si zëri i opozitës, është e përhapur në Nikaragua, Venezuelë dhe Kubë, ku krerët e krishterë burgosen pa gjyq për përfshirjen e tyre në demonstrata. Në Nikaragua, gjendja u keqësua që nga prilli 2018, kur qeveria përdori grushtin e hekurt gjatë protestave publike, duke e kthyer edhe Kishën në objektivin e saj të veçantë. Vërtet, i dëmtoi ndërtesat e saj, i mbylli stacione televizive dhe shkolla, i dëboi krerët fetarë. Së fundi, në rreth 100 vendet e mbikqyrura nga Open Doors, shtohet persekutimi, konsideruar i nivelit të lartë, shumë të lartë dhe ekstrem për 76 prej tyre.

18 janar 2023, 13:30