Kërko

Vigjilja e Pashkëve në Varrin e Shenjtë, Jeruzalem Vigjilja e Pashkëve në Varrin e Shenjtë, Jeruzalem

Pashkët te Varri i Shenjtë, Pizzaballa: Fjala e Zotit është më e fortë se çdo heshtje

Në orët e para të së shtunës, më 4 prill, Patriarku latin i Tokës së Shenjtë Pizzaballa kryesoi Vigjiljen e Pashkëve në "Kishën e Ngjalljes". Siç e kërkonin kufizimet e vendosura për shkak të luftës, në liturgji morën pjesë vetëm disa meshtarë. Në homelinë e tij, kardinali, mes tjerash tha: "Jeruzalemi, një qytet i plagosur nga kujtesa e vdekjes dhe nga kaq shumë përçarje, bëhet vendi ku shpallet jeta"

R.Sh. Vatikan

"Pashkët nuk fillojnë me shpalljen e ngadhnjimit por kur dëgjojmë një histori: një histori që ballafaqohet me vdekjen për të mbërritur te jeta". Me këto fjalë, Patriarku Latin i Jeruzalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa e kujtoi përshkimin e nevojshëm nëpër errësirë ​​për të arritur ringjalljen gjatë homelisë së tij të Vigjiljes së Pashkëve, të cilën e kryesoi këtë mëngjes në Bazilikën e Varrit të Shenjtë. Duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme dhe kufizimet e vendosura për sigurinë publike, vetëm pak njerëz morën pjesë në liturgji, ndër të cilët qenë françeskanët e Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë që jetojnë në kuvendin ngjitur me Varrin e Shenjtë. Ndryshe nga të tjerët, të krishterët e Tokës së Shenjtë këtë Bazilikë e quajnë «Varri i Zbrazët i Krishtit»

Ta përjetosh ekzistencën njerëzore në thellësi

"Dyert janë ende të mbyllura. Heshtja është pothuajse absolute, e thyhet ndoshta vetëm nga zhurma e largët që lufta vazhdon të mbjellë në këtë tokë të shenjtë dhe të shqyer. Megjithatë, pikërisht këtu," tha kardinali Pizzaballa, "në këtë vend ku Zoti banoi te vdekja, Fjala e Zotit kumbon më fort se çdo heshtje." Kardinali shpjegoi se bashkësia e krishterë e Tokës së Shenjtë ka "një besim të sprovuar rëndë, të brishtë, ndoshta të lodhur... por ende në këmbë. Jo sepse jemi të fortë, por sepse Dikush këtu na mbështet." Zoti, në fakt, "nuk zgjodhi një rrugë shpëtimi, por vendosi të hynte në gjendjen njerëzore, në realitetin e saj më të thellë", duke marrë mbi vete të gjitha anët e ekzistencës njerëzore, duke përfshirë – shtoi kardinali – "ato që sot, për fat të keq, shpesh i përjetojmë në mënyrë të dhunshme e që janë dhimbja dhe vdekja. Jo për t'i 'shpjeguar nga larg', por për të banuar brenda tyre".

Vigjilja e Pashkëve brenda bazilikës së Varrit të Shenjtë, Jeruzalem
Vigjilja e Pashkëve brenda bazilikës së Varrit të Shenjtë, Jeruzalem

"Kush do ta rrokullisë gurin e varrit tonë?"

Patriarku vërejti se Liturgjia e gjatë e Fjalës i çon besimtarët, hap pas hapi, te Ungjilli i Mateut: "Pati një tërmet të madh, sepse një engjëll i Zotit zbriti nga qielli dhe erdhi, rrokullisi gurin dhe u ul mbi të" (Mt 28:2). Ky është "thelbi i një shndërrimi që trondit botën": një gur që u rrokullis jo nga dora e njeriut, por nga fuqia hyjnore. "Në këtë çast", vazhdoi kardinal Pizzaballa, "duket se nuk gjendet askush që mund t'i rrokullisë gurët nga varret që vuajtjet e kësaj lufte vazhdojnë të gërmojnë. Por pikërisht për këtë arsye, ne e dëgjojmë më me ngulm pyetjen që gratë ruanin në zemrat e tyre: kush do ta rrokullisë gurin e varrit të Jezusit për ne?" Një pyetje që është e njëjtë “si çdo kërkim shprese kur duket se nuk ka mbetur asgjë për të bërë”, pyetja e atyre që i afrohen misterit me besim, edhe kur rruga duket e errët. “Sot kjo pyetje lind nga e gjithë Toka e Shenjtë dhe nga çdo vend i botës i plagosur nga dhuna”, u shpreh kardinali. “Dhe përgjigjja nuk është një fjalë boshe, por një ngjarje – është guri i rrokullisur. Jo nga forca jonë, por nga fuqia e dashurisë së Zotit, e cila është më e fortë se vdekja.”

Zoti nuk pret që luftërat tona të mbarojnë e pastaj të ringjallë jetën

Kjo pyetje është edhe "britma që ngrihet nga shtëpitë tona, sepse përreth nesh gurët janë kthyer përsëri në vendet e tyre. E megjithatë, sot jemi këtu: në një varr që është hapur një herë e përgjithmonë". Guri u rrokullis kur ishte ende errësirë, kur askush nuk e besonte ende se ishte e mundur, "dhe ky është mesazhi i parë i Pashkëve, këtu dhe tani", tha Pizzaballa. "Zoti nuk pret që luftërat tona të mbarojnë e pastaj të ringjallë jetën. Ai fillon në errësirë. Ai fillon në heshtje. Ai fillon në varrin ende të mbyllur". Pashkët, në fakt, "nuk janë rezultat i përpjekjeve tona për paqe, sado të nevojshme që të jenë ato": "Është themeli që e bën të mundur çdo përpjekje. Nëse varri është bosh, atëherë asgjë nuk është përnjëmend e mbyllur. Për asnjë tokë nuk do të ketë kundërshtime përgjithmonë, asnjë plagë nuk është përgjithmonë e pashërueshme, asnjë kujtesë nuk mbahet përgjithmonë peng i urrejtjes. Jo sepse është e lehtë – ne e dimë sa e vështirë është – por sepse drejtimi i historisë ka ndryshuar. Ne nuk ecim më drejt vdekjes: duke filluar nga ky varr, e kemi lënë vdekjen pas nesh. Dhe edhe atëherë kur lufta duket se na dëshmon të kundërtën, ne jemi ata që e kemi parë gurin të rrokullisej."


Në varrin bosh, misteri i jetës ripërtërihet

Në të njëjtën kohë, Ungjilli "duket se rrokullis një gur tjetër: frikën", vazhdoi patriarku, duke pasur parasysh se fjala e parë e Pashkëve "është e thjeshtë dhe çarmatosëse": "Mos kini frikë" (krhs. Mt 28:5). "Të hysh në këtë varr bosh – edhe pa shtegtarë, edhe vetëm, pavarësisht luftës – do të thotë të përballesh me misterin e jetës që ripërtërihet", nënvizoi prelati. Varri i zbrazët, në të vërtetë, nuk do të thotë se dhimbja nuk ka ekzistuar kurrë ose nuk do të pushojë, ashtu sikurse "plagët nuk janë shenja të disfatës: ato janë vula e një jete që e ka mposhtur vdekjen, duke e mbajtur atë brenda vetes". Ky, pra, është thelbi i Pashkëve: "Zoti nuk e fshin historinë tonë, ai e shndërron atë, e hap atë në dritë. Ai na tregon se vetë realiteti mund të shndërrohet nga fuqia e Zotit". Aty ku dikur kishte një gur që mbyllte shtegun, tani ka një prag, deklaroi Pizzaballa: "Jeruzalemi, ky qytet i plagosur nga kujtesa e vdekjes dhe nga kaq shumë përçarje, bëhet vendi ku shpallet jeta". Jo një jetë ideale, por një "jetë konkrete, ajo e njerëzve, shtëpive, marrëdhënieve, bashkësive".                                                     

Shpresa është një hap që duhet hedhur

Duke iu referuar më pas copëzës nga Ungjilli i Mateut "Ai prin para jush në Galile" (Mt 28:7), kardinali shpjegoi se për Tokën e Shenjtë, Galilea përfaqëson "guximin për të filluar të besosh përsëri se një rrugë tjetër është e mundur. Dhe nëse i Ngjalluri 'na prin para', atëherë shpresa nuk është një ndjenjë: është një hap që duhet ndërmarrë". Prandaj, të krishterët janë të thirrur të mbajnë "shenjën e një varri bosh: një shenjë që nuk e mohon historinë, por e hap atë për shpresën". Në veçanti, kardinali porositi që të rrokullisim "gurin e dorëzimit, të pakënaqësisë dhe të mosbesimit" dhe u la besimtarëve një "porosi Pashkësh nga Varri i Shenjtë": "Mos të qëndrojmë pa lëvizur para gurëve të botës, por të bëhemi – sa më shumë që të mundemi – 'gurë të gjallë', shenja pajtimi, artizanë të shpresës, dëshmitarë të një jete që vdekja nuk mund ta mbyllë më brenda varrit".

05 prill 2026, 14:57