Kërko

2026.04.02 Pizzaballa

Pizzaballa në meshën e Darkës së Mbrame: "Jemi këtu për të kremtuar jetën"

Patriarku Latin i Jerusalemit kremtoi meshën me dyer të mbyllura në Bazilikën e Varrit të Shenjtë, në Jerusalem. Në një kohë tensioni, që nuk mund të mos merret partasysh, "jemi këtu si në një prehër paqeje, ndërsa bota përreth nesh bëhet copë-copë dhe do të donim të mund ta ndryshonim gjithë këtë"

R.SH. – Vatikan

Në një kuadër të karakterizuar nga lufta dhe kufizimet, sot paradite, në të Enjten e Madhe të Pashkëve, Patriarku Latin i Jerusalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, kryesoi meshën e Darkës së Mbrame pas dyerve të mbyllura në Bazilikën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem. Në homelinë e tij, kardinali kujtoi se "jemi në vendin ku një gur vulosi vdekjen. Megjithatë, jemi këtu për të kremtuar jetën".

Patriarku u ndal në klimën mbizotëruese në këtë çast të veçantë historik në Lindjen e Mesme. "Ka një tension që nuk mund ta injorojmë", vërejti ai. "Dyert e Varrit të Shenjtë janë të mbyllura. Lufta e ka shndërruar këtë vend në një strehë, në një hapësirë të brendshme të ndarë nga ajo e jashtme, e ngarkuar me tension. Jemi këtu si në një prehër paqeje, ndërsa përreth nesh bota bëhet copë-copë e, do të donim ta ndryshonim gjithë këtë".

Një Kishë e sprovuar, që qëndron me Krishtin

Në këtë kuadër, kardinali e identifikoi larjen e këmbëve si zemrën e Pashkëve të krishtera. "Jezusi", pohoi ai, "e shndërron gjestin e atij që largohet në gjestin e atij që shërben. Eksodi, në logjikën e Zotit, nuk është arratisje nga bota, por zhytje e plotë në të. Peshqiri në ijët e Jezusit nuk është më shenjë e atij që ikën nga skllavëria, por e atij që bëhet skllav për dashurinë". Për këtë arsye, paralajmëroi ai, "larja e këmbëve nuk është thjesht gjest moral, shembull i vlefshëm, skenë e butë. Është forma konkrete e Pashkëve të Jezusit. Është mënyra se si Zoti kalon nëpër histori. Është mënyra se si dashuria zgjedh të hyjë në botë". Duke kujtuar dialogun e Jezusit me Pjetrin, kardinali theksoi natyrën radikale të dashurisë ungjillore: "Nëse nuk të laj, nuk ke pjesë me mua". Fjalë që, shpjegoi ai, tregojnë jo vetëm përkatësi, por edhe bashkim të thellë: “Mund të më admironi, mund të më ndiqni... por nëse nuk e pranoni këtë mënyrë dashurie, nuk do të merrni pjesë në rrugën time”.

Që këtej, ftesa për ta lënë Krishtin të na dojë, pa e kundërshtuar atë. Në kuadrin aktual të Tokës Shenjte, të karakterizuar nga dhuna dhe frika, ndoshta nuk mund ta “ndryshojmë dinamikën e madhe të historisë”, por mund të “vendosim nëse do të ndajmë me Krishtin mënyrën e tij të qëndrimit brenda historisë: jo sipër, jo kundër, por përkrah”. Për Kishën lokale, shpesh “e lodhur dhe e sprovuar, ndonjëherë e tunduar të mbrohet në vend që të dhurojë vetveten”, është fjala për të pranuar logjikën e shërbimit: “Nuk na kërkohet të jemi të pushtetshëm, por të kemi pjesë me Të. Ai nuk na kërkon të zgjidhim gjithçka, por të mos e hedhim poshtë mënyrën e tij të dashurisë. Sepse një Kishë ka pjesë me Krishtin jo kur është e sigurt, por kur pranon të ndajë përvuajtjen e tij”. “Të kemi pjesë me Të, për ne që jetojmë dhe dëshmojmë Ungjillin në këtë tokë”, kujtoi kardinali, “do të thotë të mësojmë gjuhën e përvuajtjes”.

Një Tokë Shenjte e plagosur nga lufta

Që këtej, pyetja e fundit, drejtuar gjithë bashkësisë: "A duam të kemi pjesë me Të? A duam të hyjmë në një dashuri që përvuhet? A duam një shpëtim, që kalon nga shërbimi?" Pergjigjja bëhet një eksod i ri: "Një kalim nga mbrojtja në dhurim, nga frika në besim, nga krenaria në bashkim". Në një Tokë Shenjte të plagosur nga lufta, "Pashkët fillojnë kështu: duke lejuar të na duan dhe duke mësuar të përvuhemi para të tjerëve. Sot", përfundoi Patriarku, "ndërsa kremtojmë Eukaristinë, kërkojmë një hir themelor: të lejojmë që të na lajnë. Të lejojmë që të na shërbejnë. Të lejojmë që të na duan pa kushte. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kemi vërtet pjesë me Të. E vetëm kështu, jeta jonë do të marrë, dalëngadalë, formën e Pashkëve të Tij".

 

02 prill 2026, 13:57