Kërko

Santi Pietro e Paolo

Shën Pjetri dhe Shën Pali: miqësia mes njerëzve të papërsosur që i dhuroi botës Hyjin

Pjetri e Pali janë fytyra historike e një Kishe të hapur ndaj botës, besnike ndaj misionit të Krishtit të Ngjallur dhe gjithmonë misionare. Por nuk janë vetëm pionierë të ungjillëzimit; ata janë edhe dëshmitarë të një feje të jetuar në miqësi, si shokë udhe që ndanë të njëjtin besim dhe të njëjtin qëllim.

Vatican News

Dy fytyra, dy histori, dy jetë, por një zemër e përbashkët, një rrënjë e vetme shenjtërie dhe një mision i vetëm: t’i dëshmojnë botës profecinë e Ungjillit dhe të ndryshojnë historinë. Shën Pjetri dhe Shën Pali, shtyllat e vërteta të Kishës ndër shekuj, nuk mund të mendohen njëri pa tjetrin.

Ata janë fytyra historike e një Kishe të hapur ndaj botës, besnike ndaj misionit të Krishtit të Ngjallur dhe gjithmonë misionare. Por nuk janë vetëm pionierë të ungjillëzimit; ata janë edhe dëshmitarë të një feje të jetuar në miqësi, si shokë udhe që ndanë të njëjtin besim dhe të njëjtin qëllim.

Jeta e tyre tregon marrëdhënien e gjallë mes Zotit dhe njeriut, e cila mishërohet në bashkësinë e atyre që janë thirrur ta shpallin Ungjillin. Të dy ishin njerëz të papërsosur, që gabuan, por pikërisht dobësitë e tyre u bënë vendi ku Hyji veproi dhe i shndërroi në dëshmitarë të mëdhenj të fesë.

Sipas Ungjijve, Pjetri ishte vëllai i Andreut dhe e takoi Jezusin pranë Liqenit të Galilesë, duke e ndjekur deri në fund. Ai shquhej për autoritetin e tij mes apostujve, por edhe për dobësinë njerëzore që e çoi ta mohonte Jezusin gjatë Mundimeve. Megjithatë, u pendua sinqerisht dhe më pas dha jetën si martir për Krishtin e Ngjallur.

Pali, me origjinë nga Tarsi, ishte fillimisht përndjekës i të krishterëve. Gjatë rrugës për në Damask ai pati takimin vendimtar me Krishtin, që e shndërroi rrënjësisht jetën e tij. Pas kthimit, u bë apostulli i kombeve dhe lajmëtari i universalitetit të mesazhit të Krishtit.

Si Pjetri ashtu edhe Pali e vulosën dëshminë e tyre për Jezusin me martirizim në Romë, ndërmjet viteve 64 dhe 67 pas Krishtit, duke lënë një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë Kishën dhe besimtarët në mbarë botën.

29 qershor 2026, 09:52