Papa në audiencën e përgjithshme: gjë e bukur të shikohesh ballë për ballë
R. SH. - Vatikan
Papa do t’i kryesojë përsëri audiencat e përgjithshme në Oborrin e Shën Damasit të Pallatit Apostolik. E, duke nisur që sot, besimtarët u mblodhën përsëri rreth Françeskut:
“Jam i kënaqur që po e rifilloj këtë takim ballë për ballë, sepse, po ju them një gjë: nuk është aspak e bukur të flasësh përballë boshllëkut, sy më sy me kamerën memece. Nuk është aspak e bukur!”.
Këtë theksoi Papa, duke shtuar më pas se gjë e bukur është të takohesh me njerëzit, secili me historinë e tij, e edhe me njerëzit e largët, që të bëhen menjëherë të afërt:
“Faleminderit për praninë tuaj e për vizitën tuaj. Çojani mesazhin e Papës të gjithëve. Mesazhi i Papës është se lutem për të gjithë, e se kërkoj të luteni për mua, të bashkuar në uratë”.
Lutja nuk është shëtije
Më pas, katekizmi, kushtuar lutjes së krishterë që, ashtu si e gjithë jeta e krishterë, nuk është “shëtitje”. Asnjë nga lutësit e mëdhenj, të cilët i takojmë në Bibël e në Historinë e Kishës, nuk është lutur “rehatisht” - me këto fjalë e nisi sot Papa katekizmin e audiencës së përgjithshme, duke vijuar ciklin kushtuar lutjes që - shtoi - të jep shumë paqe, por pas një beteje të vërtetë shpirtërore, që mund të shoqërojë periudha edhe të gjata jete:
“Të lutesh nuk është aspak e lehtë. Sapo duam ta bëjmë, na vijnë menjëherë në mendje veprimtari të tjera, që në atë çast na duken më të rëndësishme e më të ngutshme. E, gati gjithnjë mbasi ta kemi shtyrë lutjen për më vonë, kujtohemi se këto gjëra nuk ishin aspak aq themlore, dhe se e shpërdoruam kohën kot. Kështu të gënjen armiku!”.
Lutja: gëzim apo mërzi?
Të gjithë burrat e gratë e Zotit tregojnë se nga lutja nuk buron vetëm gëzim, por edhe lodhje e mërzi:
“Ndonjë shenjt e çoi përpara me vite të tëra pa ndjerë kurrfarë shijeje e edhe pa pikë dobije. Heshtja, lutja, përqendrimi janë ushtrime të vështira, e nganjëherë natyra njerëzore ngre krye. Do të na pëlqente të ishim në çdo skaj të botës, veç jo aty, në atë bankë, duke u lutur. Kush dëshiron të lutet, duhet ta dijë mirë se feja nuk është aspak e lehtë e se ndonjëherë vijon në errësirë të plotë, pa kurrnjë pikë drite”.
Armiqtë e lutjes
Katekizimi - pohoi në vijim Papa - na kujton një radhë të gjatë armiqsh të lutjes (krh nn. 2726-2728). Ndokush, madje, nis ta shikojë me dyshim faktin se lutja mund të arrijë te i Gjithëpushtetshmi. Atëherë njeriu nis e pyet veten: “Pse hesht Zoti? A mos është çështje thjesht psikologjike lutja? Diçka, që mund të jetë e dobishme, por jo e vërtetë, e aq më pak, e nevojshme? Madje mund të jesh praktikant, pa qenë besimtar”.
Kështu mund të ndodhë, kur nuk e kupton se armiqtë e lutjes i kemi në shpirt. Katekizmi i quan kështu: çkurajim përballë ftohtësisë sonë, trishtim nga që nuk mund t’ia japim gjithçka Zotit, sepse “kemi tepër pasuri”; zhgënjim, sepse Ai i Lumi nuk na i plotësoi dëshirat; prekje në sedrën tonë prej mëkatarësh; alergji nga lutja. Listë e gjatë kjo, që mund të zgjatet edhe më shumë.
Një ngjarje e ndodhur në Argjentinë
Në vijim, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, Papa tregoi një ngjarje të ndodhur në Argjentinë. Kujtoi historinë e një familjeje. Një burrë mori vesh se e bija ishte e sëmurë rëndë, nga shkaku i një infektimi. Për mjekët, nuk do ta kapte agimin. Burri, duke qarë me dënesë, la vajzën me gruan në spital e u nis sakaq me tren drejt shenjtërores së Luján, ku e kaloi gjithë natën në lutje. Me që kish arritur natën për terr e Bazilika ishte e mbyllur, u kap për hekurat e kangjellave. U lut gjithë natën e në ag, sa u hapën dyert, hyri në Bazilikë. Kjo skenë është e paharrueshme. E pashë me sytë e mi - kujtoi Papa - Lufta e këtij ati, u pasua nga një buzëqeshje e lumtur; ajo e së shoqes që, sapo u kthye në shtëpi, i dha lajmin e madh: “Vajza u shërua në mënyrë të pashpjegueshme”. Zoja ia kish dëgjuar lutjen! Lutja- shtoi Papa duke kujtuar këtë ngjarje të jetuar, bën mrekulli”.
Krishti është gjithnjë me ne
Ç’duhet të bëjmë - pyeti Papa - në kohën e tundimit, kur gjithçka nis e lëkundet? Në kohë prove - nënvizoi - “ është mirë të kujtojmë se nuk jemi kurrë vetëm, se dikush është pranë nesh e na mbron”. Jezusi është gjithnjë me ne:
“Nëse në një çast verbërie nuk arrijmë ta shikojmë praninë e Tij, do ta shikojmë më vonë! Ndodh që edhe ne e përsërisim të njëjtën frazë, që e pati thënë dikur Patriarku Jakob: ‘Sigurisht, Zoti është në këtë vend, e unë nuk e dija (Zan 28,16). Në fund të jetës sonë, duke kthyer kokën pas, edhe ne do të mund të themi: ‘Kujtoja se isha vetëm, por nuk isha: Jezusi ishte me mua!”.