Papa: Zoti e mbështet njerëzimin edhe kur ai i nënshtrohet luftës dhe diskriminimit
R.SH. / Vatikan
Leoni XIV propozoi një reflektim të thellë mbi jetën në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot, 26 nëntor, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, pas rrotullimit të zakonshëm me Papamobil ndërmjet besimtarëve dhe shtegtarëve që mbushnin përplot Sheshin. Tema e katekizmit, i gjashti në serinë kushtuar "Ngjalljes së Krishtit dhe sfidave të botës së sotme", pjesë e ciklit të Jubileut "Jezu Krishti Shpresa Jonë", ishte "Duke shpresuar në Jetë, për të krijuar Jetë". Katekizmi Papës u shtjellua, kështu, rreth "misterit të jetës", të vënë gjithnjë në dyshim. Pashkët e “ndriçojnë misterin e jetës” - kujtoi Papa - “e na mundësojnë ta shohim me shpresë”, edhe kur “nuk është gjithnjë e lehtë ose e dukshme”:
Shumë jetë, në të gjithë botën, duken të mundimshme, të dhimbshme, plot probleme dhe pengesa për t’u kapërcyer. Megjithatë, qeniet njerëzore e marrin jetën si dhuratë: nuk e kërkojnë, nuk e zgjedhin, e përjetojnë në misterin e saj nga dita e parë, deri në të fundit. Jeta ka specifikën e vet të jashtëzakonshme: na jepet, nuk mund t’ia japim vetes, por duhet të ushqehet vazhdimisht: kërkon kujdesin që e mirëmban, e fuqizon, e mbron e rigjallëron.
Nxitja e njerëzimit, në të gjitha shprehjet e tij
Është Zoti që jep jetë, e kur i besojmë Atij, edhe ne e japim, e kështu krijojmë “njerëzimin në të gjitha shprehjet”. Kjo ngjet me “aventurën e mrekullueshme të amësisë dhe atësisë”, e cila mund të ndodhë “edhe në kontekste shoqërore ku familjet luftojnë për të mbajtur barrën e jetës së përditshme, shpesh duke mbetur peng në planet dhe ëndrrat e tyre”, theksoi Papa Leoni, por edhe në mënyra të tjera.
Të krijosh do të thotë të angazhohesh në një ekonomi të bazuar në solidaritet, të kërkosh të mirën e përbashkët që të gjithë e gëzojnë në mënyrë të barabartë, të respektosh dhe të kujdesesh për krijimin, të ofrosh ngushëllim përmes dëgjimit, pranisë dhe ndihmës konkrete e vetëmohuese.
Të shpresosh për jetën, do të thotë të besosh në Zotin
"Pyetja për jetën është nga më të thellat e zemrës njerëzore", që na nxit të pyesim: "Kush jemi? Nga vijmë? Ku po shkojmë? Cili është kuptimi përfundimtar i gjithë këtij udhëtimi?". Për Papën, "drejtimi" i jetës është "shpresa", domethënë ajo "shtytje e thellë që na bën të ecim përmes vështirësive", "nuk na lejon të dorëzohemi përballë lodhjes", "na bën të sigurt se shtegtimi i jetës na çon në shtëpi":
Pa shpresë, jeta rrezikon të duket si parantezë ndërmjet dy netëve të përjetshme, pauzë e shkurtër, para dhe pas kalimit tonë në këtë tokë. Të shpresosh për jetën, përkundrazi, do të thotë të parashijosh cakun, të besosh si të sigurt, çka ende nuk mund ta shohim as ta prekim, të besosh dhe t’ia besosh veten dashurisë së një Ati, që na krijoi, sepse na deshi dhe dëshiron që ne të jemi të lum.
Të krijosh do të thotë të sjellësh dikë tjetër në jetë
Papa e pranon se sot ekziston “mungesa e besimit në jetë”, gjë që e quan “sëmundje e përhapur”. Është “si t’i ishim dorëzuar një fataliteti të keq, dorëheqës”, e kështu “jeta rrezikon të mos përfaqësojë më mundësinë e marrun si dhuratë, por diçka të panjohur”, madje “pothuajse një kërcënim nga i cili duhet të mbrohemi, që të mos zhgënjehemi”. Përballë të gjitha këtyre, Papa na fton të ndryshojmë drejtim.
Guximi për të jetuar dhe për të krijuar jetë, për të dëshmuar se Zoti është par excellence “dashnori i jetës”, siç pohon Libri i Urtisë, sot është thirrje gjithnjë e më urgjente.
Këtë e zbuloi vetë Jezusi, me "shqetësimin e tij për shërimin e të sëmurëve, ringjalljen e trupave dhe shpirtrave të plagosur dhe rikthimin e jetës të vdekurve" - shpjegon Papa Leoni XIV - Zoti Atë, Zot i jetës, i cili "u rikthen dinjitetin mëkatarëve, jep faljen e mëkateve dhe i përfshin të gjithë, veçanërisht të dëshpëruarit, të përjashtuarit dhe ata që janë larg në premtimin e tij të shpëtimit". Krishti, "i lindur nga Ati", "është jetë dhe ka krijuar jetë" pa e kursyer veten, duke na dhënë "të tijën" dhe duke na ftuar "edhe ne të japim jetën tonë". Sepse "të lindësh, do të thotë të sjellësh dikë tjetër në jetë", sqaron Papa Leoni, duke theksuar se kjo ndodhi në "universin e të gjallëve", në të cilin Zoti krijoi burrin dhe gruan "sipas shëmbëlltyrës së vet", duke u besuar atyre edhe "misionin e krijimit sipas shëmbëlltyrës së tij, domethënë, për dashuri dhe në dashuri".
Logjika e dashurisë dhe e jetës së Zotit
Është, më pas, një aspekt tjetër që Papa e thekson në lidhje me jetën njerëzore: kur lindet, "merr dhuratën e lirisë" e bëhet dramë. Kështu, marrëdhëniet njerëzore vijojnë të përshkohen nga kontradiktat, madje deri në pikën e vëllavrasjes. Kjo del nga Shkrimi i Shenjtë, në faqet e para të të cilit lexojmë se "Kaini e shikon të vëllanë, Abelin, si konkurrent e si kërcënim, e duke u fyer, ndihet i paaftë ta dojë e ta vlerësojë". Ndaj kapërthehet nga "xhelozia" e "zilia". "Logjika e Zotit, megjithatë, është krejt e ndryshme", kujtoi Papa.
Zoti mbetet përgjithmonë besnik ndaj planit të tij të dashurisë dhe të jetës; nuk lodhet kurrë s’e mbështeturi njerëzimin edhe kur, duke ndjekur shembullin e Kainit, i bindet instinktit të verbër të dhunës në luftëra, diskriminimit, racizmit dhe formave të shumta të skllavërisë.
Jezusi është gjithmonë përbri njeriut.
Angazhimi për të lindur jetë, për ta kultivuar dhe për t'u kujdesur për të, është "sfidë, por çka e mban gjallë njeriun është Ngjallja e Jezu Krishtit", madje edhe "atje ku errësira e së keqes terratis zemrën e mendjen" - përfundon Leoni XIV, duke ripohuar se Krishti "është shpresa jonë". Sepse edhe "kur jeta duket se është e shuar, e bllokuar”, "Zoti i Ngjallur kalon akoma", "ecën me ne dhe për ne".
Ta shpallim pa frikë Ungjillin e Jetës
Tema e kujdesit për jetën në të gjitha shprehjet e saj dhe guximi për të ndërmarrë aventurën e atësisë e të amsisë u prek nga Papa edhe në përshëndetjet drejtuar grupeve të ndryshme të shtegtarëve të pranishëm në sheshin e Vatikanit. Besimtarëve polakë, në veçanti, u drejtoi fjalët:
Mos kini frikë të mirëprisni dhe të mbroni çdo fëmijë të zënë - shpalleni dhe shërbejeni Ungjillin e jetës. Zoti është "dashnori i jetës", prandaj mbrojeni atë gjithmonë, me kujdes dhe dashuri.
Përshëndetje shtegtarëve eritrej të Eparkisë së Keren
Më pas Papa shprehu urimet e tij më të mira për "virtytin e shpresës gjatë këtij Viti Jubilar" edhe për shtegtarët anglishtfolës, ndërmjet të cilëve, ata nga Nigeria, Uganda e, afërsisht, dyqind nga Eritrea.
Në veçanti, Pasardhësi i Pjetrit iu drejtua Eparkisë së Keren, nga vendi i Bririt të Afrikës, të prirë nga ipeshkvi Kindane Yebio, që po feston përvjetorin e tridhjetë.
Për shtegtarët frëngjishtfolës nga Zvicra dhe nga Franca, Papa kujtoi besimin ndaj Zotit për të udhëhequr angazhimet e tyre brenda familjes dhe shoqërisë: “Zoti ju udhëzoftë gjithmonë në dëshminë tuaj të bamirësisë, të harmonisë dhe paqes”.
Bekimi apostolik për besimtarët arabishtfolës u shoqërua me nxitjen për ta jetuar "vetëdijen se Krishti Ngjallur ecën me ne dhe për ne ndërmjet vështirësive dhe vuajtjeve". Fjalë që të sjellin ndërmend Lindjen e Mesme të shkatërruar nga konfliktet, ku Papa do të shtegtojë gjatë Udhëtimit të tij të parë Apostolik, i cili fillon nesër, më 27 nëntor, dhe për të cilin, në fund të audiencës së sotme të përgjithshme, kërkoi lutje.
Turqia dhe Libani, vendet që ai do të vizitojë, janë "të pasura me histori dhe përshpirtëri ", kujtoi ai.
E së fundmi, Leoni njoftoi edhe se me fillimin e Kohës së Ardhjes, të dielën e ardhshme, Kisha do të rifillojë ciklin e ri të kremtimit të mistereve të krishtera.
