Papa: sot, bulimí nga mediat sociale, të mësojmë për të komunikuar ndershmërisht
R.SH. - Vatikan
Pas pushimeve verore, Papa rifilloi audiencën e përgjithshme të së mërkurës me katekizmin e fundit, kushtuar "jetës publike të Jezusit, me takime, shëmbëlltyra e shërime", si pjesë e ciklit të Jubileut, titulluar "Jezu Krishti, shpresa jonë". Por përpara se të niste episodin e shërimit të "njeriut që as nuk flet, as nuk dëgjon", rrëfyer në Ungjillin e Markut, u përqendrua në përdorimin e tepërt të mjeteve të reja të komunikimit, të cilat ofrojnë informacion të rremë dhe lajme të panumërta, që krijojnë ndjenja kontradiktore dhe trazim shpirtëror. Prej këndej, kujton, duhet ta “shërojmë mënyrën tonë të komunikimit”, në mënyrë që të mos “i lëndojmë të tjerët me fjalët tona”; duhet të “mësojmë të komunikojmë ndershmërisht e maturisht”.
Kjo kohë, në të cilën po jetojmë, ka nevojë për shërim. Bota jonë është e mbushur me klimë dhune e urrejtjeje, që e poshtëron dinjitetin njerëzor. Jetojmë në një shoqëri që po sëmuret për shkak të “bulimisë” së lidhjeve në mediat sociale: jemi të stërlidhur, të bombarduar nga pamje, ndonjëherë edhe të rreme ose të shtrembëruara. E edhe të mbingarkuar nga mesazhe të shumta, që krijojnë brenda nesh një stuhi emocionesh kontradiktore.
Në rrezik, që të mbyllemi në heshtje
Në një realitet të tillë mund të na lindë “dëshira për ta fikur gjithçka”, vërejti Papa, “për të mos dëgjuar më asgjë”. E meqenëse “edhe fjalët tona rrezikojnë të keqkuptohen”, mund të lindë tundimi për t’u mbyllur “në heshtje, në një mungesë komunikimi ku, sado afër të jemi, aq më pak jemi në gjendje t’i tregojmë njëri-tjetrit gjërat më të thjeshta e më të thella”.
E duke reflektuar mbi njeriun, që as nuk flet dhe as nuk dëgjon, të përshkruar nga Shën Marku ungjilltar, Papa mendon se - "siç mund të na ndodhë edhe neve sot" - ky njeri "ndoshta vendosi ta mbyllte gojën e të mos fliste më, mbasi nuk kuptohej, e edhe të heshtëte, sepse ishte zhgënjyer dhe lënduar nga ajo që dëgjoi". E, në të vërtetë, "nuk është ai" që shkon "te Jezusi për t'u shëruar, por e sjellin njerëz të tjerë", ndoshta të shqetësuar "nga izolimi i tij". Papa shpjegon se "bashkësia e krishterë pa edhe tek këta njerëz figurën e Kishës, e cila e shoqëron çdo njeri te Jezusi në mënyrë që ai t’ia dëgjojë fjalën", e kjo, edhe sepse ngjarja ndodh në një mjedis "pagan", pra në "një kontekst ku zëra të tjerë synojnë ta mbytin atë të Zotit".
Afërsia e Jezusit
Jezusi, i cili "e merr këtë njeri me vete dhe e çon mënjanë", na ndihmon të kuptojmë "nevojën për intimitet" që fshihet pas heshtjes dhe tërheqjes së këtij njeriu, të cilit i ofron, para së gjithash, "afërsi të heshtur, përmes gjesteve që flasin për një takim të thellë". Mjeshtri "ia prek veshët dhe gjuhën" këtij burri "që ka pushuar së dëgjuari dhe së foluri" dhe i thotë, "Effatha", hapu, duke e ftuar të hapet për "botën" që e "frikëson", për "marrëdhëniet" që e kanë zhgënjyer, për "jetën" nga e cila ka "hequr dorë ta përballojë", sepse "të mbyllesh", vëren Papa, "nuk është kurrë zgjidhje".
Ta shërojmë mënyrën tonë të komunikimit
Ekziston një hollësi tjetër, që Papa fton ta shqyrtojmë: Shën Marku ungjilltar na kujton se burri "jo vetëm flet përsëri, por arrin ta bëjë këtë 'saktësisht'", si të donte të zbulonte se ndoshta kishte "pushuar së foluri mbasi ndjeu se po gabonte e ndoshta ndihej i padobishëm.
Ne të gjithë e provojmë përvojën e keqkuptimeve, e vërejmë se nuk jemi kuptuar. Ndaj të gjithë duhet t'i kërkojmë Zotit ta shërojë mënyrën tonë të komunikimit, jo vetëm për të qenë më efektivë, por edhe për të shmangur lëndimin e të tjerëve nga fjalët tona.
Nuk ka rrugë të shkurtra për t'u bërë dishepuj të Jezusit
Megjithatë, nuk ka rëndësi vetëm "të flasësh saktë" - theksoi Leoni XIV - duke vënë në dukje se Jezusi e këshillon burrin të mos tregojë asgjë për atë që i ndodhi, si të donte ta bënte të kuptojë se duhet të nisë një udhëtim.
Për ta njohur vërtet Jezusin, duhet të kryejmë një udhëtim, duhet të jemi me Të e t’i rijetojmë Mundimet e Tij. Kur ta kemi parë të poshtëruar dhe të vuajtur, kur të përjetojmë fuqinë shëlbuese të Kryqit të Tij, atëherë mund të themi se e njohëm vërtet. Nuk ka rrugë të shkurtra për t'u bërë dishepuj të Jezusit.
Të mësojmë për të komunikuar ndershmërisht e maturisht
Prej këndej, ftesa e Papës për t'i kërkuar "Zotit mundësinë të mësojmë për të komunikuar me ndershmëri e maturi", të lutemi për ata "që u lënduan nga fjalët e të tjerëve" dhe "për Kishën, që të mos e lërë kurrë pas dore detyrën e saj për t'i çuar njerëzit te Jezusi, në mënyrë që të mund ta dëgjojnë Fjalën e Tij, të shërohen prej saj e, nga ana tjetër, të bëhen mbartës të mesazhit të Tij të shëlbimit".
