Kërko

Papa: Krishti shëron trishtimin, sëmundjen e rëndë e të përhapur të kohës sonë

Në audiencën e sotme të përgjithshme, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa shpjegoi se Krishti "e dëshmoi disfatën e vdekjes dhe e pohoi fitoren e jetës, pavarësisht errësirës së Kalvarit". Përvoja e dishepujve të Emausit na mëson se kur "shkretimi" "pushton zemrën", i Ngjalluri na bën "të ndryshojmë rrënjësisht perspektivën tonë, duke mbjellë shpresë". "Historia ka ende shumë për të shpresuar".

R. SH. - Vatikan

"Ishte shpërthimi i jetës dhe i gëzimit, që e ndryshoi krejtësisht kuptimin e gjithë realitetit", ringjallja e Jezu Krishtit, e cila nuk ndodhi në mënyrë "bujshme" ose të dhunshme, por në mënyrë të butë, të fshehur, të përvuajtur. E "është një ngjarje të cilën nuk pushojmë kurrë duke e menduar". "Sa më shumë që zhytemi në të, aq më shumë na mbush me habi e na tërheq". Me këtë premisë, Leoni XIV e hapi audiencën e të sotme të përgjithshme, 22 tetor, në Sheshin e Shën Pjetrit, nën qiellin ngjyrë hiri. Papa mbërriti përpara Bazilikës së Vatikanit pasi përshëndeti besimtarët nga xhipi i tij i bardhë dhe bekoi disa fëmijë.

"Mirëmëngjes dhe mirë se vini të gjithë", i përshëndeti shtegtarët, të pajisur me mushama dhe mantela për t'u mbrojtur nga shiu, i cili nisi menjëherë pas kësaj, duke e shndërruar hemiciklin e Berninit në një det shumëngjyrësh çadrash.

Në një atmosferë të tillë e nisi Papa katekizmin e tij titulluar "Ngjallja e Krishtit, përgjigje Trishtimit Njerëzor", i dyti në kapitullin kushtuar "Ngjalljes së Krishtit dhe sfidave të botës së sotme".

  (@Vatican Media)

Jezusi mund ta shërojë trishtimin njerëzor

Trishtimin, sëmundjen e kohës sonë, "pushtuese dhe të përhapur", që "rëndon mbi ditët e kaq shumë njerëzve", e "ndjenjen e pasigurisë, në kohë dëshpërimi të thellë", që e përshkon brendësinë dhe "duket se mbizotëron mbi çdo impuls gëzimi", "i heq jetës kuptimin dhe gjallërinë" e shndërrohet "në një udhëtim pa drejtim e kuptim", Jezusi mund t’i shërojë, siguron Papa. Kjo tregohet në episodin e dy dishepujve të Emausit të cilët, pas kryqëzimit dhe varrimit të Jezusit, "të zhgënjyer dhe të dekurajuar", largohen nga Jeruzalemi, duke lënë pas shpresat, që i patën vënë "te Mjeshtri”. Në shpirtin e tyre ndjehet rishtas ai "trishtim" që lind nga "fundi i qëllimit, në të cilin qe investuar kaq shumë energji" dhe nga "shkatërrimi i asaj që dukej themelore për jetën e dikujt", vëren Papa. Pasoja është se "shpresa" zbehet dhe "shkretimi" "pushton zemrën". Kjo u ndodh dishepujve të Emausit të cilët, në mënyrë paradoksale, ndërmarrin "këtë udhëtim të trishtuar disfate dhe kthehen në të zakonshmen" në "të njëjtën ditë me fitoren e dritës, të Pashkëve"; “e ata i kthejnë shpinën Golgotës, skenës së tmerrshme të kryqit" që e dëshmuan dhe që mbeti "e shtypur... në zemrat e tyre". Për ta, gjithçka është "e humbur. Ata duhet të kthehen në jetën e tyre të vjetër, duke ruajtur një profil të ulët".

Në një çast të caktuar, një udhëtar u afrohet dy dishepujve, ndoshta një nga shumë shtegtarët që ishin në Jerusalem për Pashkë. Është Jezusi i ringjallur, por ata nuk e njohin. Trishtimi ua turbullon shikimin, duke fshirë premtimin që Mjeshtri ua kishte bërë shumë herë: se ai do të vritej dhe se ditën e tretë do të ringjallej.

  (@Vatican Media)

Krishti shndrit shikimin e tyre të turbullt nga dëshpërimi

Ungjilli i Lukës tregon se Jezusi "i dëgjon" të dy, "i lë të shfryjnë zhgënjimin e tyre", por më pas, "me shumë sinqeritet, i qorton e i quan 'budallenj dhe zemërngushtë për të besuar gjithçka që thanë profetët!'", duke treguar, "përmes Shkrimeve", "se Krishti duhej të vuante, të vdiste dhe të ringjallej". Pastaj ndodh që "ngrohtësia e shpresës rigjallërohet në zemrat e tyre", shpjegoi Leoni, duke rikujtuar se, ndërsa bie mbrëmja dhe ata arrijnë në cakun e tyre, dy dishepujt "e ftojnë shokun misterioz të rrijë me ta".

Jezusi pranon e ulet në tryezë me ta. Pastaj merr bukën, e thyen dhe ua ndan. Në atë çast, dy dishepujt e njohin Atë... por Ai zhduket menjëherë nga sytë e tyre. Gjesti i thyerjes së bukës ua rihap sytë e zemrave, duke ua ndriçuar përsëri shikimin e tyre të mjegulluar nga dëshpërimi. E pastaj gjithçka bëhet e qartë: udhëtimi i përbashkët, fjala e butë dhe e fortë, drita e së vërtetës... Menjëherë, gëzimi gjallërohet, energjia lëviz përsëri nëpër gjymtyrët e lodhura, kujtesa kthehet në mirënjohje. E të dy nxitojnë drejt Jeruzalemit, për t'ua treguar gjithçka edhe të tjerëve.

  (@Vatican Media)

Historia ka ende shumë shpresë për të mirën

Dishepujt e Emausit e kuptojnë se "Zoti është vërtet i Ngjallur", e këtë  e besojnë edhe të krishterët, të sigurt se Jezusi e ka ndryshuar historinë.

Jezusi nuk ringjallet me fjalë, por me vepra, me trupin e tij që ruan shenjat e Mundimeve, vulë e përjetshme e dashurisë së tij për ne. Fitorja e jetës nuk është fjalë boshe, por fakt i vërtetë, konkret. Gëzimi i papritur i dishepujve të Emausit qoftë paralajmërim i ëmbël edhe për ne, kur udhëtimi bëhet i vështirë. Është i Ngjalluri që ndryshon rrënjësisht perspektivën tonë, duke na ngulitur shpresën që e mbush përplot zbrazësinë e trishtimit. Në shtigjet e zemrës, i Ngjalluri ecën me ne e për ne!

Krishti, pra, “e dëshmoi disfatën e vdekjes e e pohoi fitoren e jetës, pavarësisht errësirës së Kalvarit”, theksoi Papa, dhe për këtë arsye “historia ka ende shumë për të shpresuar”. Prandaj, “të njohësh Ngjalljen do të thotë të ndryshojmë perspektivën tonë mbi botën”.

Prej këndej, në përfundim, ftesa e Papës për të qenë gjithnjë “vigjilentë në çdo ditë në mrekullinë e Pashkëve të Jezusit të ringjallur”, Zotit që “e bën të pamundurën të mundur”.

  (@Vatican Media)

 

22 tetor 2025, 12:56

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >