Kërko

Papa: Zoti afrohet në mundimet e përditshme, asnjë plagë nuk është e përjetshme

Në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Leoni XIV ndalet te dishepujt e Emausit që kuptojnë se kanë folur me Krishtin për të treguar se si ringjallja shfaqet në mënyrë të përulur dhe Krishti gjendet pikërisht në momentet më të vështira të jetës. "Asgjë nga ajo që jemi, asnjë fragment i ekzistencës sonë nuk i është i huaj". Sado që mund të "ndihemi larg, të humbur ose të padenjë", dashuria e Zotit është më e fortë

R.SH. – Vatikan

Nuk ka histori aq të shënuar nga zhgënjimi apo mëkati sa të mos mund të vizitohet nga shpresa. Asnjë rënie nuk është përfundimtare, asnjë natë nuk është e përjetshme, asnjë plagë nuk është e destinuar të mbetet e hapur përgjithmonë.

Me këto fjalë Papa fton të gjejmë Krishtin e ngjallur në të gjitha uljet dhe ngritjet e jetës, duke kujtuar se "sado që mund të ndihemi larg, të humbur ose të padenjë, nuk ka distancë që mund të shuajë forcën e pashtershme të dashurisë së Zotit". Në katekizmin e audiencës së sotme përgjithshme, 8 tetor, në një Shesh të Shën Pjetrit me diell dhe plot besimtarë, Ati i Shenëjt Leoni XIV vazhdon reflektimin e tij mbi temën jubilare "Jezu Krishti shpresa jonë", duke u përqendruar në Ungjillin e Lukës që tregon kur dishepujt e Emausit kuptojnë se kanë folur me të Ringjallurin. Papa filloi audiencën e përgjithshme, si zakonisht, duke bërë një xhiro të gjatë me papamobil në Sheshin e Vatikanit për të përshëndetur rreth 60 mijë shtegtarë të pranishëm dhe për të bekuar disa fëmijë.

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, Papa thekson se, si dishepujt e Emausit, "ne do të kishim pritur efekte speciale, shenja fuqie, prova dërrmuese" të ngjalljes së Jezu Krishtit. Ndoshta do ta kishim ngatërruar Krishtin me një kopshtar, si Maria Magdalena, ose do të kishim menduar se ishte "një kalimtar i zakonshëm" si Pjetri dhe peshkatarët e tjerë. Por, vazhdon Leoni XIV, Jezusi është i përvuajtur, "afrohet me diskrecion, si një udhëtar i zakonshëm" dhe "preferon gjuhën e afërsisë, të normalitetit, të tryezës së përbashkët" për të na "zbuluar se çdo dhimbje, nëse banohet nga dashuria, mund të bëhet vend bashkimi".

Të njohësh Krishtin në përditshmëri

Papa thekson se "ekziston një vështirësi që shpesh na pengon të njohim" "praninë e Krishtit në përditshmëri", pra "pretendimi se gëzimi duhet të jetë pa plagë". Në fakt, dishepujt e Emausit "ecin të trishtuar", pa buzëqeshur pavarësisht varrit bosh të Jezusit, "sepse shpresonin në një fund tjetër, në një Mesi që nuk do të njihte kryqin". "Por Jezusi ngjallur u afrohet atyre dhe me durim i ndihmon të kuptojnë se dhimbja nuk është mohimi i premtimit, por rruga përmes së cilës Zoti ka manifestuar masën e dashurisë së tij" shpjegon Papa. Ati i Shenjtë thekson se pikërisht këtë dëshiron të bëjë Zoti me çdo person:

Zoti Jezus i ngjallur na afrohet secilit prej nesh, pikërisht ndërsa ecim në rrugët tona – ato të punës dhe angazhimit, por edhe ato të vuajtjes e vetmisë – dhe me delikatesë të pafund na kërkon të lejojmë që zemra jonë të ngrohet.

Asgjë nga ajo që jemi nuk është e huaj për Zotin

Dhe në fakt Zoti "nuk imponohet me zhurmë, nuk pretendon të njihet menjëherë", por njeh dobësitë njerëzore dhe "me durim pret momentin kur sytë tanë do të hapen për të parë fytyrën e tij miqësore, të aftë për të shndërruar zhgënjimin në pritje të besueshme, trishtimin në mirënjohje, dorëheqjen në shpresë". Leoni XIV pranon se "ndonjëherë mendojmë se Zoti vjen të na vizitojë vetëm në momentet e përqendrimit ose të zellit shpirtëror, kur ndihemi në lartësinë e duhur, kur jeta jonë duket e rregullt dhe e ndritshme". Por Krishti dëshiron të përmbysë këtë logjikë, për të treguar se si pikërisht në kryqet e jetës që zbulohet dashuria e tij, vazhdon Papa.

I Ringjalluri afrohet pikërisht në vendet më të errëta: në dështimet tona, në marrëdhëniet e shkatërruara, në mundimet e përditshme që na rëndojnë mbi supe, në dyshimet që na dekurajojnë. Asgjë nga ajo që jemi, asnjë fragment i ekzistencës sonë nuk i është i huaj për të.

Ringjallja ndryshon shijen e jetës

"Ringjallja nuk është një kthesë teatrale, është një shndërrim i heshtur që mbush me kuptim çdo gjest njerëzor", thekson Papa. "Zoti i ngjallur nuk bën asgjë spektakolare për t'u imponuar besimit të dishepujve të tij. Nuk shfaqet i rrethuar nga ushtri engjëjsh, nuk kryen gjeste të bujshme, nuk shqipton fjalime solemne për të zbuluar sekretet e universit". Në vend të kësaj, sqaron Papa, "ha një copë peshk para dishepujve të tij" për të konfirmuar se "trupi ynë, historia jonë, marrëdhëniet tona nuk janë një veshje për t'u hedhur. Ato janë të destinuara për plotësinë e jetës". Për Leonin XIV të ringjallesh "nuk do të thotë të bëhesh shpirtra të vagëlluar" por të hysh "në një bashkësi më të thellë me Zotin dhe me vëllezërit, në një humanitet të shndërruar nga dashuria".

Në Pashkën e Krishtit, gjithçka mund të bëhet hir. Edhe gjërat më të zakonshme: të hash, të punosh, të presësh, të kujdesesh për shtëpinë, të mbështetësh një mik. Ringjallja nuk ia kursen jetës nga koha dhe mundimit, por ia ndryshon kuptimin, "shijen" e saj. Çdo gjest i kryer me mirënjohje dhe bashkësi paraprin Mbretërinë e Zotit.

Gjithmonë ka mundësi për të filluar nga e para

Kur dishepujt e Emausit ulen në tryezë me Jezusin e ngjallur "dhe thyejnë bukën, u hapen sytë" dhe "kuptojnë se zemra e tyre digjej tashmë, edhe pse nuk e dinin", thotë Papa. "Kjo është surpriza më e madhe: të zbulosh se nën hirin e zhgënjimit dhe lodhjes ka gjithmonë një prush të gjallë, që pret vetëm të ringjallet", thekson Ati i Shenjtë. Pastaj në vazhdim të katekizmit të audiencës së sotme Papa i fton besimtarët të kërkojnë "hirin për ta njohur" praninë "e përulur dhe diskrete" të Krishtit dhe "të mos pretendojnë një jetë pa prova". "Krishti i ngjallur dëshiron vetëm të manifestojë praninë e tij, të bëhet shoku ynë i udhës dhe të ndezë në ne sigurinë se jeta e tij është më e fortë se çdo vdekje", tha Papa.

Si dishepujt e Emausit, edhe ne kthehemi në shtëpitë tona me një zemër që digjet nga gëzimi. Një gëzim i thjeshtë, që nuk i fshin plagët por i ndriçon. Një gëzim që lind nga siguria se Zoti është gjallë, ecën me ne, dhe na jep në çdo çast mundësinë për të filluar nga e para.

08 tetor 2025, 11:36

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >