Kërko

Papa: përballë së keqes e vuajtjes, Krishti është përgjigje për etjen e kuptimit

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa shpjegoi se Pashkët e ndryshuan historinë sepse Krishti, duke u ringjallur, e mposhti vdekjen dhe e shuan etjen tonë për kuptim. "Në Të kemi sigurinë se gjithmonë do të jemi në gjendje të gjejmë yllin polar, drejt të cilit do të drejtojmë jetën tonë, në dukje kaotike, të përshkuar tej e ndanë nga ngjarje që shpesh duken të ngatërruara, të papranueshme e pa pikën e kuptimit".

R.SH. / Vatikan

Çdo njeri provon "dhimbje, vuajtje, trishtim, ashtu si gëzim, mrekulli e qetësi". E në çdo "situatë", "zemra" njerëzore ka etje "për përsosuri e lumturi të pafund". "Një lëvizje shpirtërore" i shtyn njerëzit "drejt një lëvizjeje tjetër, që e tërheq vazhdimisht", sepse "asnjë realitet i kushtëzuar nuk i kënaq". Kështu, ata priren "drejt të pafundmes e të përjetshmes", edhe nëse "e jetojnë vdekjen, të parashikuar nga vuajtja, humbja dhe dështimi".

Në audiencën e përgjithshme mbajtur sot, më 5 nëntor, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leoni XIV analizoi kështu thellësitë e zemrës njerëzore. Dhe e mori fjalën pasi kishte arritur në Sheshin para Bazilikës së Vatikanit, pas përfundimit të takimit të zakonshëm me besimtarët e ardhur nga vende të ndryshme.

Në qendër të katekizmit të audiebncës së sotme, tema "Pashkët i japin shpresë së përditshmes", është e treta kushtuar "Ngjalljes së Krishtit dhe sfidave të botës së sotme" brenda ciklit Jubilar "Jezu Krishti shpresa jonë", Jezusi i ngjallur, i cili ndryshoi historinë:

Në Të kemi sigurinë se do të mund ta gjejmë gjithnjë yllin polar, drejt të cilit do të drejtojmë jetën tonë, në të parë kaotike, të përshkuar nga ngjarje që shpesh duken të ngatërruara, të papranueshme dhe të pakuptueshme: e keqja, në  një mori aspektesh, vuajtja, vdekja - ngjarje që prekin secilin prej nesh. Duke medituar misterin e Ngjalljes, e gjejmë përgjigjen në etjen tonë për kuptim.

Ngjallja e Jezusit gurthemeli i jetës së krishterë

Ngjarja "nuk i përket së kaluarës së largët, tashmë të ngulitur në traditë", të cilën Kisha e përkujton "çdo vit të Dielën e Pashkëve  - dhe çdo ditë në kremtimin e Eukaristisë". Ngjallja e Jezusit është "gurthemeli i jetës së krishterë", rreth së cilës "sillen të gjitha ngjarjet e tjera", shpjegoi Papa Leoni XIV, dhe shndërrohen të gjitha jetët njerëzore. Siç e shkroi Shën Tereza Benedikta e Kryqit, e lindur Edith Stein, "qeniet njerëzore dëshirojnë të kenë gjithnjë si dhuratë vetveten, që të jenë në gjendje të marrin çka çasti ua jep e ua heq", e kështu "jemi të zhytur në kufizime", por në të njëjtën kohë, kemi edhe prirje "t'i tejkalojmë". Pashkët e mbushin këtë boshllëk.

Kumti i Pashkëve është lajmi më i bukur, më i gëzueshëm, më tronditës që ka jehuar ndonjëherë në rrjedhë të historisë. Është ‘Ungjilli’ par excellence, që dëshmon për fitoren e dashurisë mbi mëkatin dhe të jetës mbi vdekjen, e që për këtë arsye, është i vetmi i aftë të shuajë etjen për atë kuptim, që na shqetëson mendjet dhe zemrat.

Pashkët nuk e zhdukin kryqin, e mundin!

Nëse, siç këndonte Shën Françesku i Asizit në Cantico-n e tij, "asnjë njeri i gjallë nuk mund t'i shpëtojë vdekjes", mëngjesi i Pashkëve solli "mjekim e shërim". Prandaj, Misteri i Pashkëve "ushqen shpresën përballë sfidave të frikshme, që jeta na i paraqet çdo ditë, si personalisht, ashtu edhe globalisht" - pohoi Papa, duke saktësuar se "nga perspektiva e Pashkëve,  Udha e Kryqit shndërrohet në Udhë Drite”. E kjo është arsyeja pse ne duhet “ta shijojmë dhe ta meditojmë gëzimin pas dhimbjes, për t’i rishikuar, në një dritë të re, të gjitha fazat që i paraprinë Ngjalljes".

Pashkët nuk e zhdukin kryqin, por e mundin në duelin e jashtëzakonshëm që e ndryshoi historinë njerëzore. Edhe koha jonë, e tronditur nga kaq shumë kryqe, kërkon agimin e shpresës së Pashkëve. Ngjallja e Krishtit nuk është ide, as teori, por Ngjarje që është në themel të fesë”.

Ta shndërrojmë botën përmes shpresës së krishterë

Besimtarët, pra, mund të jenë "dëshmitarë" të Krishtit të Ngjallur, përfundoi Papa Leoni, "edhe atje ku historia njerëzore nuk sheh kurrfarë drite në horizont".

T’i besojmë vërtet Pashkët përmes ecjes sonë të përditshme, do të thotë ta revolucionarizosh jetën tonë, e edhe të transformohesh, për ta shndërruar botën me forcën e butë dhe të guximshme të shpresës së krishterë.

05 nëntor 2025, 11:48

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >