Papa: të dëgjohet rënkimi i tokës dhe i të varfërve. Historia është në duart e Zotit
R.SH. – Vatikan
“Do të mbetemi shtegtarë të shpresës”. Në audiencën e fundit jubilare të së shtunës, të nisura janarin e kaluar nga Papa Françesku dhe të mbajtura zakonisht dy herë në muaj, Leoni XIV u rekomandon besimtarëve ta mbajnë mend se, edhe pse Jubileu po i afrohet përfundimit, “nuk përfundon shpresa” që Viti i Shenjtë ka bërë të lulëzojë, dhe për këtë arsye udhëtimi i besimtarëve vazhdon.
Ati i Shenjtë Prevost mbërrin në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan pak pas orës 10 dhe, mbi xhipin e tij të bardhë, përshëndet ata që kanë ardhur nga vise të ndryshme të botës dhe valëvisin flamuj e pankarta. Ka nga ata që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Argjentina, Spanja; si zakonisht, Papa ndalet për të bekuar fëmijët dhe për të biseduar me disa grupe.
Nga sheshi përpara Bazilikës së Vatikanit, duke përmbyllur sot, më 20 dhjetor, takimet e posaçme për shtegtarët që kanë ardhur në Romë për Jubileun e Shpresës, Ipeshkvi i Romës, në katekizmin e tij mbi temën “Të shpresosh do të thotë të gjenerosh. Maria, shpresa jonë”, pohon se “historia është në duart e Zotit dhe të atyre që shpresojnë në Të” dhe bën thirrje që të kujdesemi për krijimin.
Të dëgjohet klithma e tokës dhe e të varfërve
Reflektimi i Leonit XIV merr shkas nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve, në të cilën Apostulli i popujve shkruan se “e gjithë krijesa, së bashku, rënkon dhe vuan dhimbjet e lindjes deri më sot”. Prej këtu vjen ftesa “për të dëgjuar dhe për ta çuar në lutje klithmën e tokës” dhe “të të varfërve”.
“Mbarë krijesa gjëmon dhe vuan”, është një klithmë. Por shumë të pushtetshëm nuk e dëgjojnë këtë klithmë: pasuria e tokës është në duart e pak vetëve, shumë pak vetëve, gjithnjë e më e përqendruar – padrejtësisht – në duart e atyre që shpesh nuk duan të dëgjojnë rënkimin e tokës dhe të të varfërve. Zoti ua ka destinuar të gjithëve të mirat e krijimit, që të gjithë të marrin pjesë në to. Detyra jonë është të gjenerojmë, jo të grabisim.
Dhe nëse “Zoti gjithmonë gjeneron” dhe “vazhdon të krijojë”, shton Papa Leoni, “ne mund të gjenerojmë me Të, në shpresë”, sepse “nuk ka vetëm nga ata që grabisin, por mbi të gjitha ka nga ata që gjenerojnë”.
Forca e Zotit sjell jetë
Me vështrimin drejtuar Krishtlindjes që tashmë është në prag të derës, Papa shpjegon se në Jezusin, “ashtu siç e kishin parandjerë e lajmëruar profetët, Zoti është një kraharorin e mëshirës. I Gjithëpushtetshmi ‘gjithmonë gjeneron’ dhe ‘në Të nuk ka kërcënim, por falje’”, shton Ati i Shenjtë, duke kujtuar sërish fjalët e Shën Palit drejtuar Romakëve: në shpresë jemi shpëtuar (Rm 8,24)..
Shpresa është gjeneruese. Në fakt, ajo është një virtyt teologal, domethënë një forcë e Zotit, dhe si e tillë gjeneron; nuk vret, por bën të lindë dhe të rilindë. Kjo është forca e vërtetë. Ajo që kërcënon dhe vret nuk është forcë: është arrogancë, është frikë agresive, është e keqe që nuk gjeneron asgjë. Forca e Zotit sjell jetë.
T’i japim trup dhe zë Krishtit
Kjo forcë e Zotit që gjeneron është e dukshme në Marinë, vijon Ati i Shenjtë. “Zoti e bëri atë të frytshme dhe na doli përpara me tiparet e saj, ashtu si çdo fëmijë i ngjan nënës së vet”, për këtë arsye ajo “është Nëna e Zotit dhe Nëna jonë” dhe në lutjen ‘Të Falem Mbretëreshë’ e quajmë “shpresa jonë”. Maria “i ngjan Birit dhe Biri i ngjan asaj”, dhe mbarë njerëzimi i ngjan “kësaj Nëne që i ka dhënë fytyrë, trup dhe zë Fjalës së Zotit”. Sepse ky i njëjti njerëzim mund “ta gjenerojë Fjalën e Zotit këtu poshtë, ta shndërrojë klithmën” që dëgjon “në një lindje”.
Jezusi dëshiron të lindë sërish: ne mund t’i japim trup dhe zë. Ja lindja që krijesa e pret. Të shpresosh do të thotë të gjenerosh. Të shpresosh do të thotë të shohësh se kjo botë bëhet bota e Zotit.
Dhe në botën e Zotit qeniet njerëzore dhe të gjitha krijesat banojnë “së bashku, në qytetin-kopsht, Jeruzalemin e ri”, kujton në fund Ati i Shenjtë Leoni XIV, i cili i drejtohet me lutje “Marisë, shpresa jonë”, që ajo ta “shoqërojë gjithmonë” “shtegtimin e fesë dhe të shpresës” së gjithë njerëzve.
