Kërko

Papa: Jezusi nuk largohet nga njerëzorja, por e banon dhe e përshkon botën

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa Leoni XIV vazhdoi reflektimin mbi Kushtetutën e Koncilit të Dytë të Vatikanit "Dei Verbum", duke ftuar për ta parë Krishtin jo si "kanal transmetimi" të koncepteve intelektuale, por përmes ndjeshmërisë dhe perceptimeve të tij të realitetit. Në të, shtoi ai, "njohim Zotin, ashtu siç njihemi prej Tij".

R.SH. - Vatikan

Sytë e Jezusit që pushojnë mbi fushat e grurit dhe zogjtë e qiellit janë gjymtyrë të një "trupi të vërtetë", që e ndjen dhe e thith realitetin, duke e banuar e duke e përshkuar. Nuk është thjesht "kanal transmetimi", por e vërtetë që zbulon se si Zoti e shikon dhe e njeh çdo qenie njerëzore, pa i hequr asgjë. Mbi këtë koncept mbështetet katekizmi "Jezu Krishti, zbuluesi i Atit" në audiencën e përgjithshme mbajtur në Sallën Pali VI, në Vatikan, sot, më 21 janar. Papa Leoni XIV e vazhdoi këtë reflektim të Kushtetutës Dogmatike  të Koncilit të Dytë të Vatikanit mbi Zbulesën Hyjnore, “Dei Verbum, nisur të mërkurën e kaluar.

Takimi "historik" dhe personal me Zotin

Papa vijoi, kështu, të zhdredhë fijet e fjalimit të mëparshëm, në të cilin, duke shqyrtuar tekstin konciliar, pati pohuar se "Zoti zbulohet në dialog aleance", duke na u drejtuar "ne si miq". Kjo marrëdhënie nuk kufizohet vetëm në transmetimin e ideve, por tregon histori dhe bën thirrje për "bashkim në reciprocitet". Zbulesa e Hyjit shpaloset kështu në një takim njëkohësisht "historik" dhe "personal", duke u shkrirë në figurën e Jezusit.

E vërteta intime si e Zotit, ashtu edhe e shpëtimit të njeriut shkëlqen para nesh në Krishtin, i cili është njëkohësisht ndërmjetësia dhe tërësia e çdo zbulese.

Lutja e ngazëllimit

Nëpërmjet Tij, vazhdoi Papa duke cituar "Dei Verbum", njerëzit "mund t'i paraqiten Atit në Shpirtin Shenjt dhe të bëhen pjesëmarrës në natyrën hyjnore". Koncept ky, që shën Luka ungjilltar e kujton përsëri në lutjen e gëzimit të Zotit, në të cilën, duke u gëzuar në Shpirtin Shenjt, pohon: “Gjithçka më dorëzoi im Atë! Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit,  dhe  kush është Ati, përveç Birit, dhe atij, kujt Biri do t'ia zbulojë”.

E njohim Zotin, ashtu siç na njeh

Në këtë zbulesë hyjnore, shton Leoni XIV, Zoti zbulon "vetveten", por në të njëjtën kohë i drejtohet njerëzimit, duke zbuluar identitetin e tij të vërtetë si bir, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së një Fjale që "ndriçon", e duke nxjerrë në dritë të vërtetën e secilit "në sytë e Atit" e duke i njohur nga afër nevojat e secilit.

Duke mirëpritur "natyrën e plotë njerëzore" të Jezusit

Reflektimi thellohet më tej kur Papa pohon se Jezusi e zbulon natyrën hyjnore përmes "humanitetit të tij të vërtetë dhe të plotë". Për ta shprehur me fjalët e "Dei Verbum", "me gjithë praninë dhe dukjen e tij, me fjalët dhe veprat, me shenjat dhe mrekullitë e, mbi të gjitha, me vdekjen dhe ringjalljen e tij të lumnueshme nga të vdekurit, dhe së fundmi, me dërgimin e Shpirtit të së vërtetës, e plotëson dhe e çon zbulesën në përfundim.

Për të njohur Zotin në Krishtin, duhet të mirëpresim njerëzimin e tij të plotë: e vërteta e Zotit nuk zbulohet plotësisht aty ku i hiqet diçka njerëzimit, ashtu si integriteti i njerëzimit të Jezusit nuk e zvogëlon plotësinë e dhuratës hyjnore. Është njerëzimi i plotë i Jezusit, që na tregon të vërtetën e Atit.

"Shikoni zogjtë e qiellit"

Nuk janë vetëm vdekja dhe ngjallja e Jezusit, që na "shpëtojnë" dhe na "mbledhin", pohon Leoni XIV, por "vetë personi" i tij, i cili përshkon gjithë hapësirën e përvojës njerëzore dhe e tejkalon atë: "mishërohet, lind, shëron, mëson, vuan, vdes, ringjallet dhe mbetet ndërmjet nesh". Ta nderosh këtë madhështi, do të thotë ta njohësh Krishtin përtej idesë së një "kanali të thjeshtë për transmetimin e të vërtetave intelektuale", meqenëse zbulesa përmbushet në një "trup të vërtetë", të pajisur me një mënyrë unike “për ta perceptuar e për ta ndjerë realitetin", duke e banuar e duke e përshkuar atë.

Vetë Jezusi na fton të ndajmë shikimin e tij mbi realitetin: "Shikoni zogjtë e qiellit", thotë, "ata as nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin ndër hambare, e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk keni ju më shumë vlerë se ata?".

Lutja për Paqe

Papa e përfundoi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme duke siguruar se "asgjë nuk mund të na ndajë" nga dashuria e Zotit, duke ndjekur deri në fund të fundit udhën e Jezusit, përmes së cilës i krishteri e njeh Atin "dhe i lëshohet ndër krahë me besim të plotë".

Të lutemi për paqen, tani që "lufta u rikthye në modë".

Pastaj, në përshëndetjet e tij për shtegtarët portugalishtfolës mbledhur në Sallën Pali VI, Papa Prevost përsëriti thirrjen për t'u lutur për paqe, në një kohë, si e sotmja, "e cila duket se e ka në rritje humbjen e vlerës së dinjitetit njerëzor, e luftën e ka rikthyer në modë".

Humaniteti i Jezusit, që zbulon Atin, na ndihmoftë të gjejmë shtigje drejtësie dhe pajtimi.

Duke iu drejtuar besimtarëve italianë, Leoni XIV kujtoi Javën e Lutjes për Unitetin e të Krishterëve në vijim, duke uruar që, nëpërmjet dhuratës së Shpirtit Shenjt Kishat e botës "të zhdukin përçarjet dhe të krijojnë lidhje të forta uniteti".

Këtë ftesë e përsëriti edhe në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve nga Gjermania, në mënyrë që dishepujt e Jezusit "të gjejnë unitet, e që bota të besojë në Të dhe në zbulesën e Tij". Së fundmi, duke folur anglisht, Papa përshëndeti delegacionet ekumenike të Shoqatës Katolike për Ekumenizmin dhe të Këshillit të Kishave të Vendeve të Ulta.

 

 

21 janar 2026, 12:34

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >