Papa: miqësia me Zotin duhet kultivuar me dëgjim dhe lutje
R.SH. – Vatikan
“Ju kam quajtur miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova nga Ati im” (Gjn 15,15), u tha Jezusi nxënësve të vet, duke transformuar kështu “rrënjësisht marrëdhënien e njeriut me Zotin” dhe duke e shndërruar atë në “një marrëdhënie miqësie”, në një “besëlidhje të re”, “kushti i vetëm” i së cilës është “dashuria”. “Kjo është një pikë themelore e fesë së krishterë, të cilën dokumenti i Koncilit Dytë të Vatikanit Dei Verbum na e kujton”, nënvizon në audiencën e përgjithshme të mbajtur sot, më 14 janar, në Sallën Pali VI, Leoni XIV, i cili ia kushton katekizmin e tij me titull “Zoti u flet njerëzve si miq” kushtetutës dogmatike mbi Zbulesën hyjnore, në kuadër të ciklit të ri të katezimit “Dokumentet e Koncilit të Dytë të Vatikanit”, paraqitur javën e kaluar.
Të ngjashëm me Zotin, në Krishtin
Miqësia, dialogu dhe lutja janë elementët që duhet ta dallojnë marrëdhënien me Zotin! Ky është mësimi i Papës Prevost, që filloi me një premisë: është “hiri”, që “na bën miq të Zotit në Birin e tij Jezus”, siç e shpjegon Shën Augustini në komentin mbi Ungjillin e Gjonit. Sepse “ne nuk jemi të barabartë me Zotin, por vetë Zoti na bën si ai në Birin e tij”, vazhdon Papa Leoni XIV. Nëse në Besëlidhjen ndërmjet Zotit dhe njeriut “ka një çast fillestar distance” e “pakti” është “asimetrik” - “Zoti është Zot - e ne jemi krijesa” - “me ardhjen e Birit në korp njerëzor”, ndodh që “në Jezusin, Zoti na bën bijë e na thërret të bëhemi si ai në njerëzimin tonë të brishtë”.
Ngjashmëria jonë me Zotin, pra, nuk arrihet nëpërmjet shkeljes dhe mëkatit, siç e këshilloi gjarpri Evën, por nëpër marrëdhënies sonë me Birin e bërë njeri.
Miqësia e Zotit me njerëzit
Për Leonin, Dei Verbum është “një nga dokumentet më të bukura dhe më të rëndësishme të Koncilit të Dytë të Vatikanit” që, duke u përqendruar te fjalët që Jezusi u drejtoi apostujve, shpjegon se me këtë Zbulesë, “Zoti i padukshëm, në dashurinë e tij të madhe, u flet njerëzve si miq dhe bisedon me ta për t’i ftuar e pëfr t’i lejuar në bashkësi me të”. Në praktikë - sqaroi Papa - “Zoti i Zanafillës ”, i cili “tashmë bisedoi” dhe dialogoi me njerëzit, edhe përballë “mëkatit” që e ndërpret “këtë dialog”, nuk pushon së kërkuari “të krijojë herë pas here besëlidhjen me ta”. E kështu, kur Zoti “vjen të na kërkojë duke u bërë korp në Birin e tij” dhe rivendos dialogun “në një mënyrë përfundimtare”, “Besëlidhja është e re dhe e amshuar”, është “miqësi” që “ushqehet nga shkëmbimi i fjalëve të vërteta”.
Kushtetuta Dei Verbum na e kujton edhe këtë: Zoti na flet. Është e rëndësishme të kuptojmë ndryshimin ndërmjet fjalës e thashethemes: kjo e fundit mbetet në sipërfaqe dhe nuk arrin të krijojë bashkim ndërmjet njerëzve, ndërsa në marrëdhëniet e vërteta, fjalët shërbejnë jo vetëm për të shkëmbyer informacione dhe lajme, por edhe për të zbuluar kush jemi. Fjalët kanë një përmasë zbuluese, që krijon marrëdhënie me të tjerët. Kështu, duke na folur, Zoti zbulohet si Aleat, që na fton në miqësi me Të.
Dëgjimi e lutja
Meqenëse fjala ushqen marrëdhëniet, së pari duhet të kultivojmë “dëgjimin”, kujtoi Papa, në mënyrë që “Fjala hyjnore të mund të depërtojë në mendjet e zemrat tona” dhe pastaj “të flasë me Zotin” përmes lutjes, “jo për t’i komunikuar Atij çka Ai tashmë e di, por për t’ia zbuluar veten vetvetes”. E kështu lutja është e nevojshme për “ta përjetuar e për ta kultivuar miqësinë me Zotin”. E gjithë kjo “arrihet kryesisht në lutjen liturgjike dhe komunitare, ku ne nuk vendosim se çka mund të dëgjojmë nga Fjala e Zotit, por Ai Vetë na flet përmes Kishës”, dhe përsëri “në lutjen personale”, “brenda zemrës dhe mendjes”, shtoi Papa Leoni XIV, i cili na nxit të gjejmë çaste reflektimi në jetën tonë të përditshme.
Nuk mund të mungojë, në ditën dhe në javën e një të krishterit, koha kushtuar lutjes, meditimit dhe reflektimit. Vetëm kur flasim me Zotin, mund të flasim edhe për Të.
Thirrja e Jezusit
Nëse "miqësitë mund të përfundojnë për shkak të ndonjë gjesti dramatik të bujshëm prishjeje" ose për shkak të "pakujdesive të përditshme, të cilat e dobësojnë marrëdhënien deri në pikën e humbjes", atëherë, për të ruajtur miqësinë me Zotin, duhet bërë një përpjekje, përfundon Leoni XIV.
Nëse Jezusi na thërret të jemi miq, të mos e lëmë të padëgjuar këtë thirrje. Ta mirëpresim, ta kujdesojmë këtë marrëdhënie dhe do të zbulojmë se miqësia me Zotin është shpëtimi ynë.
