Papa pret presidenten e Parlamentit Evropian, Metsola
R.SH. / Vatikan
"Një paradite domethënëse në Vatikan gjatë audiencës me Shenjtërinë e Tij, Papa Leonin XIV. Mirënjohëse për qartësinë e qëllimeve të tij dhe për reflektimet tona të bashkëndara mbi përparimin e paqes përmes dialogut në Evropë dhe në botë". Me një postim të shpërndarë nga faqen e saj zyrtare në platformën sociale X, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, komentoi audiencën e sotme, 29 janar, me Papa Leonin XIV në Pallatin Apostolik në Vatikan.
Metsola është sot për vizitë në Romë, ku u prit nga Papa e shoqëruar nga një delegacion prej pesë anëtarësh, dhe më pas u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin. Gjatë ditës së sotme, Metsola do të takojë autoritetet e Republikës Italiane, në kuadër të dialogut mes institucioneve kombëtare dhe fetare evropiane mbi temat themelore të Bashkimit Evropian; është parashikuar gjithashtu edhe një takim me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, në Pallatin Chigi. Pasdite, presidentja e Europarlamentit do të marrë pjesë në aktivitetin "Trashëgimia e De Gasperit: Evropa e mbrojtjes së lirisë", në selinë e Parlamentit Evropian në Piazza Venezia, në Romë.
Në paraditen e takimeve, u zhvillua edhe një bisedë mes Metsolës dhe Mjeshtrit të Madh të Urdhrit të Maltës, fra' John Dunlap, në Pallatin Magjistral në Romë. "Vizita e kortezisë - shpjegon një njoftim - ishte rasti për një përditësim mbi aktivitetet e Urdhrit të Maltës të shtrira në mbi 130 vende të botës. Presidentja Metsola shprehu vlerësim të madh për punën humanitare që Urdhri kryen në situata komplekse si Ukraina dhe Gaza".
