Papa takon Princin Albert II të Monakos
R.SH. / Vatikan
Sot paradite më 17 janar, Papa Leoni XIV priti në audiencë, në Pallatin Apostolik në Vatikan, Princin Albert II të Monakos, i cili më pas u takua me kryeipeshkvin imzot Paul Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Bisedime mbi mjedisin, ndihmat humanitare dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor
“Gjatë bisedave të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë – njofton zyra e shtypit e Vatikanit – u nënvizuan marrëdhëniet e mira dypalëshe ekzistuese dhe u përmend kontributi historik dhe domethënës i Kishës Katolike në jetën sociale të Principatës. Në vijim të bisedës u trajtuan disa çështje me interes të përbashkët, si kujdesi për mjedisin, ndihma humanitare dhe mbrojtja dhe promovimi i dinjitetit të njeriut”.
“Së fundi – përfundon komunikata – pati edhe një shkëmbim mendimesh mbi aktualitetin ndërkombëtar, me theks të veçantë te paqja dhe siguria, si dhe te situata e përgjithshme në Lindjen e Mesme dhe në disa rajone të Afrikës”.
