Papa: nuk ka Kishë ideale, Zoti është edhe në brishtësinë e anëtarëve të saj
R.SH. - Vatikan
Papa, gjatë audiencës së sotme të përgjithshme mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, u përqendrua mbi temën: "Kisha, realitet i dukshëm e shpirtëror". Leoni XIV vazhdoi reflektimin mbi Kushtetutën Dogmatike të Koncilit Dytë të Vatikanit Lumen Gentium, duke u përqendruar tek Kisha, e quajtur në dokument "realitet kompleks". Duke folur për Kishën si "bashkësi tokësore dhe trup mistik i Krishtit", Papa theksoi se si përmasa njerëzore e Kishës, e njohur nga "vogëlsia" dhe "brishtësia e anëtarëve të saj", lidhet pikërisht përmes njerëzve me manifestimin e pranisë së Krishtit. Është "metoda e Zotit", mrekulli e përjetshme në të cilën Ai zbulon Vetveten në "ligështinë e krijesave, duke vazhduar të manifestohet e të veprojë".
Kjo na bën të aftë, edhe sot, ta ndërtojmë Kishën: jo vetëm duke organizuar format e saj të dukshme, por duke ngritur atë ndërtesë shpirtërore, që është Korpi i Krishtit, përmes bashkimit dhe bamirësisë ndërmjet nesh.
Natyra e ndërlikuar e Kishës
Papa Leoni nisi me një pyetje: pyeti se si mund të përcaktohet kompleksiteti i Kishës. E dinte që dikush mund të përgjigjej se kompleksiteti është ndërlikim, "i vështirë për t'u shpjeguar", por i lidhur edhe me mundimin e një institucioni "të zhytur në dy mijë vjet histori, me karakteristika të ndryshme nga çdo grup tjetër shoqëror ose fetar". Megjithatë, Papa kujtoi se termi "kompleks" në latinisht ka kuptimin "e bashkimit të rregullt të aspekteve ose dimensioneve të ndryshme brenda të njëjtit realitet".
Kjo është arsyeja që Lumen Gentium mund të pohojë se Kisha është organizëm i strukturuar mirë, në të cilin dimensionet njerëzore dhe hyjnore bashkëjetojnë, pa ndarje e pa konfuzion.
Përmasa njerëzore e Kishës
"Kisha - pohon Papa - është bashkësi burrash dhe grash që ndajnë gëzimin dhe luftën, si të krishterë, me meritat e difektet tyre të ligshta, duke e shpallur Ungjillin dhe duke u shndërruar në shenjë të pranisë së Krishtit, që na shoqëron në shtegtimin e jetës". Megjithatë, përcaktimi i saj vetëm në këtë mënyrë e përjashton përmasën hyjnore të vetë Kishës dhe e kufizon në realitet me një "organizim institucional".
Përmasa hyjnore, shton Papa, "nuk konsiston në përsosmëri ideale ose në epërsinë shpirtërore të anëtarëve të saj, por në faktin se Kisha lind nga plani i dashurisë së Zotit për njerëzimin, i realizuar në Krishtin". Prandaj është njëkohësisht "realitet si njerëzor - ashtu edhe hyjnor, i cili e mirëpret njeriun mëkatar dhe e çon te Zoti".
Prandaj, Kisha është njëkohësisht bashkësi tokësore dhe trup mistik i Krishtit, kuvend i dukshëm dhe mister shpirtëror, realitet i pranishëm në histori, dhe popull në shtegtim drejt qiellit.
Dukja e Zotit të padukshëm
Në kushtetutën e Koncilit të Dytë të Vatikanit Lumen Gentium, kjo gjendje kuptohet qartë duke parë jetën e Jezusit, korpin e tij, sytë e tij, duart e tij, zërin e tij. "Ata që vendosën ta ndiqnin atë - pohon Papa - u prekën pikërisht nga përvoja e shikimit të tij mikpritës, prekja e duarve të tij bekuese, fjalët e tij kushtuar çlirimit e shërimit". Duke e ndjekur, hapej takimi me Zotin.
Korpi i Krishtit, fytyra e tij, gjestet dhe fjalët e tij, manifestojnë dukshëm Zotin e padukshëm.
"Metoda e Zotit"
Kisha, parë nga afër, "përbëhet nga njerëz të vërtetë, të cilët herë pas here manifestojnë bukurinë e Ungjillit e, herë të tjera, luftojnë e bëjnë gabime, si të gjithë të tjerët". Por "prania e Krishtit dhe veprimi i tij shpëtues" është ndërmjet njerëzve, vazhdoi Papa, aty manifestohen. Papa Leoni XIV kujtoi fjalët e Benediktit XVI drejtuar ipeshkvijve të Zvicrës më 9 nëntor 2006, kur theksoi se "nuk ka kundërshtim ndërmjet Ungjillit dhe institucionit; përkundrazi, strukturat e Kishës shërbejnë pikërisht për ta 'realizuar dhe për ta konkretizuar Ungjillin në kohën tonë'".
Këtu qëndron shenjtëria e Kishës: në faktin se Krishti banon brenda saj dhe vazhdon të dhurojë vetveten përmes vogëlsisë dhe brishtësisë së anëtarëve. Duke soditur këtë mrekulli të përjetshme, që ndodh brenda saj, ne e kuptojmë "metodën e Zotit": Ai e bën veten të dukshëm përmes ligshtisë së krijesave, duke vazhduar të manifestohet dhe të veprojë.
Kisha, pra, ndërtohet në bashkësi me të tjerët dhe në dashurii. Dashuria, siç thoshte Shën Augustini, "fiton mbi të gjitha sendet, e pa të, të gjitha sendet nuk kanë pikën e vlerës ; kudo që të jetë, i tërheq të gjitha gjërat drejt vetvtes".
