Kërko

Papa Leoni XIV gjatë audiencës së përgjithshme Papa Leoni XIV gjatë audiencës së përgjithshme

Papa: lexojeni Fjalën e Zotit në kontekstin e saj historik për të shmangur fundamentalizmin

Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme mbajtur në Sallën Pali VI, në Vatikan, Papa Leoni XIV vazhdoi katekizmin mbi Kushtetutën e Koncilit II të Vatikanit "Dei Verbum", duke shpjeguar se Zoti "dëshiron të flasë" në terma njerëzore përmes Shkrimeve të Shenjta. Kumtimi i tyre, këshillon Papa, nuk duhet ta lërë pas dore zanafillën e tyre hyjnore, por as të humbasë kontaktin me shpresat dhe vuajtjet e besimtarëve.

R.SH. / Vatikan

Nga qielli - në letër, e pastaj përsëri ndër zemra. Zoti nuk i flet njeriut me një gjuhë të huaj, por zgjedh gjuhën e tij, pa e zvogëluar kurrë mundësinë e saj. Shkrimi Shenjt merr formë brenda mundimeve dhe dëshirave më konkrete të jetës njerëzore, sepse të bëhesh i kuptueshëm është shpesh "akt i parë dashurie". E edhe një mesazh ungjillor, i aftë t’i shmangë keqkuptimet dhe anakronizmat, që Papa Leoni XIV e kujtoi sot, 4 shkurt, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI. Katekizmi i titulluar "Shkrimi Shenjt: Fjala e Zotit me fjalë njerëzore", është e katërta e ciklit kushtuar Kushtetutës dogmatike të Koncilit të Dytë të Vatikanit mbi Zbulesën hyjnore, Dei Verbum e, në përgjithësi, reflektimeve që Papa do t'i kushtojë gjatë gjithë vitit 2026 dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit.

"Të bëhesh i kuptueshëm nga të tjerët është akti i parë i dashurisë"

Papa Leoni XIV rikthehet në fillin e katekizmave të mëparshme, duke ripohuar se Fjala e Zotit, "e lexuar në traditën e gjallë të Kishës", përfaqëson një "hapësirë ​​të privilegjuar për takim", por edhe për dëgjim, mirëkuptim e dashuri, për burrat dhe gratë e të gjitha kohërave.

Duhet kujtuar se tekstet biblike nuk u shkruan në gjuhë qiellore ose mbinjerëzore. Siç na mëson realiteti i përditshëm, dy njerëz që flasin gjuhë të ndryshme, nuk e kuptojnë njëri-tjetrin, nuk mund të hyjnë në dialog, nuk mund të krijojnë marrëdhënie. Në disa raste, të bëhesh i kuptueshëm nga tjetri është akt i parë dashurie.

"Shkrimi Shenjt zbulon dashamirësinë e mëshirshme të Zotit"

Zgjedhje hyjnore, vazhdon Leoni XIV, do të thotë të komunikosh duke përdorur "gjuhë njerëzore": kështu, nëpërmjet frymëzimit të Shpirtit Shenjt, u shkruan tekstet e Shkrimit të Shenjtë. Në këtë drejtim, Dei Verbum pohon se "fjalët e Zotit, të shprehura në gjuhë njerëzore, u bënë si të folurit njerëzor, ashtu si Fjala e Atit të përjetshëm, pasi mori përsipër ligështitë e natyrës njerëzore, dhe u bë i ngjashëm me njeriun".

Për më tepër, jo vetëm në përmbajtjen, por edhe në gjuhën e tij, Shkrimi Shenjt zbulon se Zoti i mëshirshëm e pranoi dhe dëshirën për t'u bërë i afërt me njerëzit.

"Zoti kurrë nuk e turpëron qenien njerëzore dhe aftësinë e tij".

Marrëdhënia ndërmjet "Autorit hyjnor e autorëve njerëzorë" të teksteve shenjte, pohon Papa, ka qenë objekt studimi i thelluar gjatë gjithë historisë së Kishës. Për një kohë të gjatë, teologët mbrojtën frymëzimin hyjnor të Shkrimit të Shenjtë, "duke i konsideruar autorët njerëzorë pothuajse si mjete pasive të Shpirtit Shenjt". Kohët e fundit, megjithatë, kontributi i hagjiografëve u rivlerësua deri në atë pikë, sa Dei Verbum i quan "autorët e vërtetë" të librave shenjte dhe Zotin, "autorin" kryesor të Shkrimit Shenjtë. Siç deklaroi ekzegjeti spanjoll Luis Alonso Schökel, i cituar nga Papa Leoni XIV, në shekullin e kaluar, "ulja e operacionit njerëzor në atë të një kopjuesi të thjeshtë, nuk do të thotë të lavdërosh veprimin hyjnor".

Shpallja nuk duhet ta humbasë "kontaktin me realitetin".

Çdo përpjekje që "lë pas dore ose mohon" përmasën e dyfishtë të Shkrimit Shenjt si "Fjalë e Zotit me fjalë njerëzore", sipas Leonit XIV, është e pjesshme. Interpretimi i saktë i teksteve të shenjta, pra, nuk mund të injorojë kontekstin historik dhe format letrare që përbëjnë kornizën e tyre. Për më tepër, saktëson Papa, braktisja e "studimit të fjalëve njerëzore të përdorura nga Zoti" mbart rrezikun e "përfundimit në lexime fundamentaliste ose spiritualiste të Shkrimit Shenjtë, të cilat e tradhtojnë kuptimin e tij".

Ky parim vlen edhe për shpalljen e Fjalës së Zotit: nëse humbet kontaktin me realitetin, me shpresat dhe vuajtjet e njerëzimit, nëse përdor gjuhë të pakuptueshme, jo komunikuese ose anakronike, është e paefektshme.

"Arritja e zemrave"

Në çdo epokë, pohon Papa, Kisha është e thirrur ta riparaqesë Shkrimin  Shenjtë me një gjuhë të aftë për t'u mishëruar në histori dhe për të arritur zemrat e njerëzve. Pastaj citon Papën Françesku i cili, në nxitjen apostolike Evangelii Gaudium, deklaroi: "sa herë që kërkojmë të kthehemi te burimi dhe të rifitojmë freskinë origjinale të Ungjillit, lindin shtigje të reja, metoda krijuese, forma të tjera shprehjeje, shenja më shprehëse, fjalë të ngarkuara me kuptim të ripërtërirë për botën e sotme".

"Shkrimi i Shenjtë ka për qëllim t'u flasë besimtarëve të sotëm"

Nga ana tjetër, paralajmëron Papa Prevost, është po aq reduktive të anashkalohet "origjina hyjnore" e teksteve shenjte, duke i reduktuar ato thjesht në "mësimdhënie njerëzore", objekt studimi thjesht teknik dhe të liruara në të kaluarën, siç shkroi Benedikti XVI në nxitjen apostolike pas-sinodale Verbum Domini.

Përkundrazi, veçanërisht kur shpallet në kontekstin e liturgjisë, Shkrimi  Shenjtë ka për qëllim t'u flasë besimtarëve sot, duke prekur jetën e tyre të tanishme me sfidat e tyre, duke ndriçuar hapat dhe vendimet që duhen marrë. Kjo bëhet e mundur vetëm kur besimtari lexon dhe interpreton tekstet shenjte nën udhëheqjen e të njëjtit Shpirt, që i frymëzoi.

Ta kuptosh Fjalën, duke lartuar fenë e dashurinë

Si pasojë, Shkrimi Shenjt ushqen fenë dhe dashurinë e besimtarëve, siç kujton Shën Augustini në traktatin e tij “De doctrina christiana”:

Kushdo që mendon se i ka kuptuar Shkrimet e Shenjta, por me këtë kuptim nuk arrin të ndërtojë ndërtesën e kësaj dashurie të dyfishtë, për Zotin dhe për të afërmin, nuk i ka kuptuar ende ato.

 Shpallje gazmore"e jetës së plotë e të amshuar"

Zanafilla hyjnore e teksteve shenjte është,  në fund të fundit, kujtesë se ato i tejkalojnë përmasat e jetës dhe të realitetit, pa u zvogluar në një "mesazh të thjeshtë filantropik ose shoqëror", përkundrazi, - duke u lartuar në një shpallje të gëzueshme "të jetës së plotë dhe të amshuar, që na e dha Zoti  në Krishtin".

“Të dashur vëllezër e motra, ta falënderojmë Zotin sepse, në mirësinë e vet, nuk lejon kurrë që jeta jonë të mos ketë ushqimin e Fjalës së tij, dhe të lutemi që fjalët tona, e akoma më shumë jeta jonë, të mos e errësojnë dashurinë e Zotit të treguar në to”.

04 shkurt 2026, 12:40

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >