Kërko

2026.04.08 Udienza Generale

Iran, Papa: armëpushimi, shenjë e gjallë shprese, vetëm me dialog mund të përfundojë lufta

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Leoni XIV shprehu kënaqësinë për njoftimin e presidentit të SHBA-së Trump lidhur me një armëpushim dyjavor. I nxiti të gjithë ta shoqërojnë me lutje "këtë kohë pune delikate diplomatike". Përsëriti edhe ftesën për pjesëmarrjen në Mbrëmësoren e lutjes për paqen, në Bazilikën e Shën Pjetrit, të shtunën e ardhshme, më 11 prill

R.SH. - Vatikan

Papa Leoni XIV shprehu "kënaqësinë" në fund të audiencës së përgjithshme, për njoftimin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump dje (natë në Itali) lidhur me zgjatjen dy javë të afatit për ultimatumin e Iranit. Kjo ngjau pasi kishte paralajmëruar pak orë më parë për një veprim të pakthyeshëm kundër Republikës Islamike, të aftë për të "fshirë" një qytetërim të tërë. Këto fjalë, që e kishin lënë botën në ankth, e alarmuan edhe Leonin XIV i cili, mbrëmë, jashtë rezidencës së tij të Castel Gandolfos, foli për një "kërcënim të papranueshëm". Në të njëjtin rast, Papa i nxiti të gjithë të luten dhe të përpiqen të komunikojnë me anëtarët e Kongresit dhe autoritetet, për të thënë: "nuk duam luftë, duam paqe".

Dialog e negociata

Kjo paqe – që vijon të duket si mirazh - me shpalljen e armëpushimit (nga i cili Libani mbetet i përjashtuar) duket se po bën një hap të ndrojtur përpara, ndërsa marrëveshja afatgjatë ndërmjet SHBA-së dhe Iranit është ende duke u finalizuar, e duke pasur parasysh kushtet e ndryshme për Ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë, Leoni XIV mirëpret "me kënaqësi" armëpushimin dyjavor, i cili vjen pas "orëve të fundit të tensionit të madh në Lindjen e Mesme dhe në të gjithë botën". Janë "shenja shprese të gjallë", deklaroi Papa para mijëra shtegtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit nën rrezet tashmë verore të diellit.

"Vetëm nëpërmjet rikthimit në negociatat mund të përfundojë lufta. Kërkoj që lutja ta shoqërojë këtë kohë pune delikate diplomatike, duke shpresuar që gatishmëria për t'u angazhuar në dialog të bëhet mjet për zgjidhjen e konflikteve të tjera në mbarë botën".

  (@Vatican Media)

Ftesë në Natën e lutjes për paqe, më 11 prill

Shpresa e Papës është, pra, të krijojë një mekanizëm - atë të dialogut, siç ka kërkuar gjithmonë - që mund të shërbejë si model për luftëra të tjera, të cilat e shkatërrojnë botën. Së fundmi, Leoni i ftoi përsëri besimtarët dhe të tjerët në Natën e lutjes për paqe, ngjarje e kumtuar të Dielën e Pashkëve nga Lozha e Bekimeve gjatë Urbi et Orbi. Kjo ngjarje - në vazhdën e shumë ngjarjeve të ngjashme të thirrura nga Françesku gjatë viteve - vjen pas asaj të 11 tetorit 2025, kur Papa amerikan kryesoi një çast lutjeje dhe reflektimi në Sheshin e Shën Pjetrit, për të kërkuar paqe në botë.

Ua përsëris të gjithëve ftesën time që të bashkohen me mua në vigjiljen e lutjes për paqen që do të kremtojmë këtu, në Bazilikën e Shën Pjetrit të shtunën, më 11 prill.

  (@VATICAN MEDIA)
08 prill 2026, 13:12