Leoni XIV: si shenjtorët "e portës pranë”, çdo besimtar përhaptë bashkim e paqe

Gjatë kremtimit të lutjes drejtuar Zojës Mari, Mbretëreshës Qiellore , në solemnitetin e Ngjitjes së Krishtit në Qiell, Papa Leoni XIV nënvizoi se Jezusi nuk largohet, por e bashkon me vetveten njerëzimin në udhën drejt Atit. Një udhë që, e jetuar sipas Ungjillit, e shndërron jetën e përditshme dhe i zgjeron horizontet drejt përsosurisë të jetës në Zotin.

R.SH. / Vatikan

Nuk është "premtim i largët", por "lidhje e gjallë", e aftë për të na prirë drejt lavdisë qiellore në "udhëngjitjen" e përshkuar nga Zoja e nga shenjtorët "fqinj", burra e gra "me të cilët i jetojmë ditët tona, baballarët, nënat, gjyshërit": njerëz "të çdo moshe e të çdo gjendjeje, të cilët me gëzim e angazhim përpiqen sinqerisht të jetojnë sipas Ungjillit".

Kështu, me konkretësi dhe thjeshtësi, Papa Leoni XIV u foli besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore sot, e dielë, 17 maj, në Solemnitetin e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell (Të Shëlbuemit).

Drejt bashkimit të plotë

Ngjarja që, dyzet ditë pas Ngjalljes, e çon Jezusin në qiell para dishepujve të tij, ndoshta mund të ngjallë "një ngjarje të largët", edhe nëse "në realitet nuk është kështu", shpjegoi Papa, sepse "ne jemi të bashkuar me Jezusin, si gjymtyrët me kokën, në një trup të vetëm", ​​dhe si pasojë ngjitja e tij në Qiell "na tërheq edhe ne, me Të, drejt bashkimit të plotë me Atin".

E gjithë jeta e Jezu Krishtit është lëvizje ngjitjeje, që e përqafon dhe e përfshin, përmes njerëzimit të tij, të gjithë skenën botërore, duke e ngritur e duke e shëlbuar njerëzimin nga gjendja e tij e mëkatit, e duke sjellë dritë, falje dhe shpresë, atje ku kishte errësirë, padrejtësi e dëshpërim, për të arritur fitoren përfundimtare të Pashkëve.

Ngjitja në Qiell, pra, sipas Papës, Ipeshkvit të Romës, në një farë mënyre "na tërheq edhe ne drejt lavdisë qiellore, duke e zgjeruar e duke e lartuar që në këtë jetë horizontin tonë dhe duke e sjellë mënyrën tonë të të menduarit, të ndjerit dhe të vepruarit gjithnjë e më pranë masës të zemrës së Zotit".

Një ngjitje e përditshme drejt qiellit

Kështu, me shembullin e jetës dhe mësimeve të Jezusit, e edhe me mbështetjen e lutjet e shenjtorëve "të portës pranë" - me ata që jetojnë çdo ditë praktikisht sipas Ungjillit, duke ndjekur rrugën e ngjitjes - është e mundur të mësosh "të ngjitesh ditë për ditë drejt Qiellit", duke e rritur "jetën hyjnore" që e more në Pagëzim dhe duke përhapur në mbarë botën "fryte të çmuara të bashkimit dhe të paqes".

17 maj 2026, 14:25

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >