Kërko

Papa: dashuria kërkon shkëputje, humbje dhe pritje

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa na mëson se si të angazhohemi për ta ndjekur Krishtin. Kjo kërkon shkëputjen e vetes nga lidhjet, gatishmërinë për të "humbur" një pjesë të vetes e "për t'i bërë tjetrit vendin" dhe mirëseardhjen. Dashuria "është gjithashtu humbje", pohon Papa, "e vështirë" për t’u kuptuar në këtë kohë, kur "humbja duket si të jetë dobësi e ne të jemi të fiksuar pas të pasjes dhe të poseduarit". Vetëm duke i dhënë vetes mund të "lindë jeta e re" në marrëdhëniet.

Vatican News

Shkëputja, humbja dhe mikpritja: shërbejnë për t'u përkushtuar "në një marrëdhënie dashurie" me Krishtin, "për të jetuar vijimin dhe për të qenë dëshmitarë të Mbretërisë së tij Hyjnore". Gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, e diel, 28 qershor, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Leoni XIV, duke komentuar Ungjillin e kësaj së diele të 13-të gjatë vitit kishtar nga shën Mateu, shpjegoi se çka kërkon Jezusi nga ata që dëshirojnë ta ndjekin.

Që nga çasti që fillon t'i dërgojë apostujt e tij në mision, Zoti dëshiron që ata të jenë të lirë nga çdo lidhje. Por për të gjithë, është i vërtetë fakti se edhe ndjenjat më të rëndësishme gjejnë përmbushjen e tyre falë dashurisë që na jep Krishti.

Papa ofron shembullin e "jetës martesore: mund ta jetosh plotësisht vetëm duke 'e lënë' shtëpinë e prindërve". E edhe atë të "rritjes së fëmijëve: ne i ndihmojmë të relizojnë veten dhe të jenë të lumtur, duke i edukuar të 'ecin me këmbët e tyre' dhe të bëjnë zgjedhjet e tyre". Në këtë drejtim, Shën Augustini është i qartë kur në një fjalim (330) thotë: “Është e dhimbshme të ndahesh nga ajo që do. Por edhe bujku e humbet përkohësisht atë që mbjell. Në praktikë, “vetëm duke ‘humbur’ atë farë, të hedhur në tokë”, bujku “do ta shohë duke lulëzuar”, sqaron Papa.

Dashuria rritet, kur dhurohet

Dashuria, pra, “është edhe humbje”, në kuptimin se rritet kur e dhurojmë veten. Është “e vështirë” t’i kuptosh të gjitha këto, “sidomos në një botë ku humbja duket si të jetë dobësi, ndërsa ne jemi të fiksuar pas të pasurit dhe pasjes”, vëren Papa Leoni.

Dashuria, megjithatë, jep fryte vetëm duke dhuruar vetveten: kur jemi të gatshëm të humbasim pak nga vetja për t’i bërë vend tjetrit, të humbasim pak kohë për të dëgjuar një mik, a të humbasim pak ngushëllim për të ndarë një situatë të vështirë.

Logjika e dhuratës

Siç na mëson Jezusi në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu, nëse e ruajmë jetën vetëm për veten tonë, e “humbasim”, sepse në këtë mënyrë “ajo nuk hapet ndaj gëzimit të dashurisë dhe bëhet sterile”. Jezusi, i cili “ofroi veten, e humbi veten” dhe na e dhuroi “jetën e tij me begati”, “na fton ta rrokim Kryqin”. Kështu, shton Papa, “nëse jetojmë në logjikën e dhënies, edhe ne do të jemi në gjendje të krijojmë jetë të re në marrëdhëniet tona”.

Mirëpritja e vëllezërve dhe motrave tona

Së fundi, është “mirëpritja” e cila i dallon ata që duan si Krishti. “Dashuria, në të vërtetë, shprehet në zgjedhje dhe veprime konkrete”, vërejti Papa, e përbëhet edhe nga “gjeste të vogla të përditshme, siç është një gotë me ujë dhënë dikujt që ka etje”. Kjo del në pah kur Jezusi i dërgon dishepujt e tij, duke u kërkuar atyre “të mos kenë gjë prej gjëje, domethënë të jenë nevojtarë, sepse në këtë mënyrë do të jenë në gjendje të frymëzojnë mirëseardhjen tek ata që takojnë”.

Duke i mirëpritur ata që vijnë në emër të Jezusit, ne e mirëpresim Atë dhe Atin qiellor që e dërgoi Atë. Dashuria për Zotin vjen gjithmonë përmes mirëpritjes së vëllezërve dhe motrave tona.

Prej këndej, ftesa e Leonit XIV për t'iu lutur Marisë Virgjër, "që e deshi të Birin e vet Jezus edhe duke e ditur se do ta humbiste", për të "qenë dëshmitarë të përvuajtur e të gëzuar të dashurisë së Krishtit".

28 qershor 2026, 13:55

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >