Kërko

2026.08.02 Angelus

Leoni XIV: Krishti e shuan urinë për të vërtetën, lakmia i harron ata që vuajnë

Gjatë Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, të Dielën e 18-të të Kohës së zakonshme, Papa kujtoi se Jezusi e ushqen njerëzimin dhe e mëson se "asgjë nuk shkon dëm, kur bashkëndahet". Pastaj denoncon bollëkun e verbër, përballë "duarve të shtrira të atyre që nuk kanë " dhe "shtëpive të djegura të atyre që nuk kanë paqe", dhe na fton të jetojmë bamirësinë duke u nisur nga Eukaristia dhe nga gjestet e përditshme

Vatican News

Ndërsa Krishti "e shuan vërtet" urinë e njerëzimit për të vërtetën dhe jetën, duke mësuar se "asgjë nuk shkon dëm, kur ndahet", lakmia "është aq e dehur me pasuri, sa harron ata që qajnë nga uria dhe bërtasin nga etja". Këto janë fjalët e meditimit të Leonit XIV në lutjen e Engjëllit sot, 2 gusht, e diela e 18-të e Kohës së zakonshme, në Sheshin e Shën Pjetrit - i pari i tij që pas kthimit në Vatikan pas pushimeve verore në Castel Gandolfo - duke komentuar Ungjillin e sotëm (Mt 14:13-21), që na kujton mrekullinë e shumëzimit të bukëve dhe peshqve nga Jezusi.

Përtej gjesteve, Lajmi i Mirë

Duke dalë në dritaren e studios së tij private në Pallatin Apostolik të Vatikanit, në mesditë, Papa iu drejtua turmës së besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit pavarësisht nga vapa e pamëshirshme, si dhe atyre që e ndiqnin përmes medias, duke reflektuar mbi "shenjat e kryera nga Jezusi", të cilat, shpjegoi, manifestojnë "përkushtimin e tij të veçantë ndaj nesh, domethënë shpëtimin që sjell ai në botë". Tha kështu, e shtoi: "Ndërsa u jep shikim të verbërve dhe dëgjim të shurdhërve, Krishti jo vetëm që kryen vepra të mrekullueshme, por gjithashtu u njofton të gjithëve se Mbretëria e Perëndisë është afër". Duke u përqendruar konkretisht tek Ungjilli i ditës, Papa vëren se Jezusi "nuk u jep vetëm kuptim atyre që nuk e kanë, por u jep kënaqësi edhe shqisave tona". Kështu, të shurdhit që dëgjon, i drejton Lajmin e Mirë për t'u dëgjuar, ndërsa të verbrit që shikon, i tregon veprën e shëlbimit.

Në të njëjtën mënyrë, Jezusi u jep të uriturve ushqim për të ngrënë: episodi i shumëzimit të bukëve tregon se takimi me Zotin është  përvojë ushqyese.

  (@Vatican Media)

Uria për të vërtetën e jetën

Në "shkretëtirë", vend i nevojës, "Krishti është buka e jetës", i aftë ta shndërrojë themeloren në bollek: "dhurata e Zotit është universale" dhe provania e tij "nuk dështon kurrë". Krishti, thekson Ipeshkvi i Romës, "e  shuan vërtet urinë e njerëzimit, urinë tonë për të vërtetën dhe jetën", e  njëkohësisht, gjesti i tij na mëson se "asgjë nuk shkon dëm, kur ndahet". Grumbullimi dhe shpërdorimi – paralajmëron - janë dy anë të së njëjtës të keqe: lakmisë".

Kjo sëmundje e shpirtit bën që njeriu të humbasë vetëdijen sepse është i dehur nga pasuria deri në atë pikë, sa t’i harrojë ata që bërtasin nga uria dhe qajnë nga etja. E kështu, para bollëkut të gjërave që kalben, qëndrojnë duart e shtrira të atyre që nuk kanë tryezë, e shtëpitë e djegura të atyre, që nuk kanë paqe.

  (@Vatican Media)

Mrekullia e bamirësisë

Pastaj Leoni XIV kujton historinë e Mateut, duke ftuar që, "në shkretëtirën e luftës dhe të arrogancës", të sodisim mirësinë me të cilën Zoti "lartoi sytë drejt qiellit", "tha bekimin", "theu bukët dhe ua dha" dishepujve të tij, në mënyrë që ata t'ia shpërndanin turmës. Një "mrekulli bamirësie" në të cilën ne njohim veprimet tipike të Jezusit, që kulmojnë në Darkën e Fundit, kur ai na dorëzon jetën e tij "si vëllai ynë në njerëzim".

Papa, pastaj, na ftoi për ta dëshmuar bukurinë e Eukaristisë në gjestet tona të përditshme, "duke nisur me bekimi i tryezës, kur ndajmë bukën me familjen dhe miqtë". Edhe festat, theksoi ai, “mund të bëhen kohë qetësie vëllazërore, duke përfshirë ata që kanë nevojë përreth nesh”.

Së fundmi, iu lut Virgjërës “të na ndihmojë të rritemi në bamirësi, që askujt të mos i mungojë buka e përditshme”.

02 gusht 2026, 12:39

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >