Kërko

Leoni XIV: feja i bën të padurueshme padrejtësitë

Gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, nga Pallati Apostolik i Castel Gandolfos, Papa komentoi Ungjillin e kësaj së diele mbi gruan kananease që i kërkon me këmbëngulje Jezu Krishtit shërimin e vajzës së saj.

Vatican News

Përvujtëria e vendosmëria! Janë tiparet që e dallojnë gruan kananease, protagoniste e pjes[ së Ungjillit të së Dielës së 20-të gjatë vitit kishtar nga shën Mateu, “që kërkon me këmbëngulje të flasë me Jezusin" dhe e ndjek pas, për t'i kërkuar t’ia shërojë të bijën. Sot, 16 gusht, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, nga Pallati Apostolik i Castel Gandolfos, Papa Leoni XIV i theksoi këto tipare, duke u përqendruar në fenë e kësaj gruaje e cila, "pavarësisht se nuk i përket" popullit hebre" e se jeton në një vend të huaj", i drejtohet me këmbëngulje Jezusit, "e njeh si Mesinë, pasardhës të Davidit" dhe "beson" në Të, e sigurt se lutja e saj do të pranohet.

Falë fesë së saj, mësojmë se tryeza e Zotit është përgatitur për të gjithë dhe se askush nuk mbetet me dromca, mbasi secili e ka vendin e vet pranë Atit.

Kisha, që kërkon paqe

E atëhere, duke zgjeruar shikimin, me sytë e fesë, nuk mund të mos e injorojmë çka po ndodh në realitetin bashkëkohor, në të pesë kontinentet.

Në dritën e kësaj feje, bëhen të padurueshme pabarazitë, diskriminimi dhe barrierat që shkelin dinjitetin e shumë bijve dhe bijave të Zotit. Të dashur vëllezër e motra: jemi Kisha e Jezu Krishtit, në një botë të munduar, që kërkon paqe.

Mund të habiteni!

Por ka një mësim tjetër, që duhet nxjerrë nga faqja e sotme ungjillore, vërejti Leoni: "Në çdo takim, madje edhe në ato që prishin planet tona, ne duhet të dëgjojmë, t’i hapim sytë dhe zemrat ndaj asaj që dëshiron të na thotë Zoti". Jezusi, i cili fillimisht i reziston kërkesave të gruas kananease, sepse ishte tërhequr në rajonin e Tirit e të Sidonit, duke kërkuar, ndoshta, "një vend të izoluar për t'u lutur dhe për t’i përgatitur të vetët për të përmbushur "misionin e tij", më pas preket "nga ajo që sheh e që dëgjon". Aq, sa t’i i thotë më në fund gruas: "E madhe është feja jote! U bëftë ashtu si dëshiron".

Edhe sot, Kisha mund të befasohet nga vepra e Zotit dhe të komunikojë paqen e Krishtit përtej kufijve tashmë të vendosur. Misioni i saj parashikohet nga hiri hyjnor, që vepron në fshehtësinë e ndërgjegjeve.

Ngjallja e Krishtit është jeta e re

Në përfundim, Papa foli shkurtimisht edhe për solemnitetin e djeshëm, Ngjitjen e Virgjrës Mari në Qiell, e cila na fton të sodisim "marrëdhënien e pazgjidhshme" ndërmjet Jezusit e nënës, si dhe "bashkimin e trupit e të shpirtit", përtej vdekjes, "që është jeta e amshuar". Një "përkryerje", "e rezervuar për ata që ndjekin Jezusin", siç na e kujton Papa "çdo të diel", sepse "ngjallja" e Krishtit "nuk është ngjarje e kaluar. Është jetë e re, që na përfshin". Pikërisht këtë dëshmon gruaja kananease.

16 gusht 2026, 10:20

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >