Leoni XIV: Shën Pjetri dhe Shën Pali mishërojnë unitetin e Kishës në larmi
Vatican News
Papa Leoni XIV kujtoi menjëherë "lidhjen origjinale" që bashkon Kishën e Romës me të gjitha Kishat e tjera të botës "në bashkësi feje e bamirësie". Figurat e dy pajtorëve të Romës, historitë e tyre dhe dëshmia e tyre e besimit, u kujtuan në katekizmin e Papës, mbajtur në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, pas Meshës së kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Forca, jo sundim por shërbim
"Gjaku që ata derdhën në këtë qytet, Romë, zbulon shkallën e dashurisë së Hyjit, që na e dhuroi Zotin Jezus", pohoi Papa. "Po, pikërisht nëpërmjet fjalës dhe martirizimit të tyre, Ungjilli i Krishtit zuri rrënjë në Romë, duke shprehur këtu, në kryeqytetin e perandorisë romake, aftësinë e saj për ripërtëritje".
Një njohuri e re e Zotit dhe e dinjitetit të pafund të çdo qenieje njerëzore, një përvojë e re force, jo si sundim, por si shërbim ndaj jetës.
Zoti i pranishëm në dëshmitarët e tij
Edhe sot, Zoti "është i pranishëm në dëshmitarët e tij", siguroi Leoni XIV. Zoti "arrin në qendra dhe periferi, në kryeqytete dhe në rajonet më të largëta me zërat, fytyrat dhe zgjedhjet e guximshme të atyre që i përgjigjën ftesës së tij: Më ndiqni!" Kështu, kjo ditë festive i përfshin të gjithë në misionin e Pjetrit dhe të Palit.
Zoti na beson ne, mëkatarëve të falur prej Tij, ne të papërsosurve, në mënyrë që hiri i Tij të shkëlqejë përmes historive tona, e fuqia e Tij të zbulohet për ta shndërruar të keqen në të mirë.
Bashkimi në ndryshim
Pjetri e Pali "nuk mund të kishin qenë më të ndryshëm nga njëri-tjetri", theksoi Papa. "Të ndryshëm në zanafillë, në arsim, në karakter; jo vetëm para, por edhe pasi u thirrën, e Zoti i tyre i vetëm nuk i bëri të njëllojtë". Në të vërtetë, "Ungjilli kuptohet dhe shpallet nga secili prej tyre me një theks të veçantë", vërejti Papa Leoni. E Shpirti Shenjt që i frymëzoi autorët biblikë "dëshironte që të mos fshiheshin ndryshimet e tyre".
Megjithatë, në kolegjin e Apostujve, Pjetri dhe Pali nuk ishin kundërshtarë. Përkundrazi, pothuajse u bënë gati-gati simbol i shumë ndryshimeve të tjera, që vetëm Shpirti Shenjt i bashkon në unitet.
Uniteti e pajtimi
Mbrojtësit qiellor të Kishës së Romës e jetuan kështu "ankthin e bashkimit" dhe "e njohën, i shërbyen, e shpallën si sakrament të jetës hyjnore". "Dëshmia e tyre - theksoi Papa Leoni XIV - dha në mënyrë vendimtare kontributin, për të siguruar që prania e krishterë në histori të mos synojë dominimin, por shërbimin, unitetin dhe pajtimin".
"Zoti na dhëntë, me ndërmjetësimin e Shenjtorëve Pjetër dhe Pal, dëshirën për ta vlerësuar gjithnjë e më shumë katolicitetin e Kishës, për ta njohur vlerën e saj në shërbim të takimit vëllazëror ndërmjet individëve dhe popujve, për ta shmangur çka e dobëson ose e dëmton bashkimin, e të vazhdojmë në udhëtimin ekumenik dhe në dialogun e vëmendshëm e të sinqertë me të gjithë".