Papa pret kryeministrin e Irlandës
R.SH. / Vatikan
Micheál Martin, Taoiseach (kryeministri) i Irlandës, u prit sot paradite, 22 maj, në audiencë nga Papa Leoni XIV në Pallatin Apostolik në Vatikan. Pas bisedës me Papën, Martin u takua më pas me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, i shoqëruar nga kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit
"Gjatë bisedimeve në Sekretarinë e Shtetit – njofton një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Irlandës. Biseda vazhdoi lidhur me disa çështje të politikës rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Evropën dhe Lindjen e Mesme, perspektivat për paqe në këto rajone, si dhe çështjen e multilateralizmit. Më pas, vëmendja u përqendrua mbi kontekstin socio-ekonomik të vendit, si dhe mbi marrëdhëniet ndërmjet Kishës lokale dhe Shtetit, me një vëmendje të veçantë ndaj sferës arsimore".
