Leoni XIV: sporti bashkon dhe përcjell shenjën e një bote në paqe
Vatican News
Tek atletët nga e gjithë bota që do të marrin pjesë në edicionin e 62-të të garës së notit «Trofeo Sette Colli» në Romë në ditët në vijim, Leoni XIV sheh "një shenjë shprese", një "shenjë të botës që duam". Papa u takua me ta në audiencë – së bashku me udhëheqësit e Federatës Italiane të Notit – këtë mëngjes, më 25 qershor, në Sallën Clementine, me rastin e Kampionatit Ndërkombëtar të Notit, i cili zhvillohet nga nesër deri të dielën, më 28 qershor, në Foro Italico, në Romë.
Në të vërtetë, të gjithë ju, nga vende të ndryshme, jeni mbledhur këtu, të shtyrë nga i njëjti pasion dhe të njëjtat vlera, pavarësisht gjuhës, kombësisë apo kulturës. Ky fakt, tipik për ngjarjet sportive ndërkombëtare, përcjell një shenjë shprese, një shenjë të botës që dëshirojmë; Kjo shenjë kontribuon që popujt të takohen paqësisht midis tyre si edhe për vëllazërimin.
Sporti, një mundësi për rritje shpirtërore
Sporti, vijon më tej Leoni XIV, "kur përjetohet mirë", nxit zhvillimin e "anëve të ndryshme të individit", duke vlerësuar "angazhimin, solidaritetin dhe ndershmërinë". Për më tepër, nuk është vetëm "bar për trupin dhe shpirtin", por edhe "mundësi për rritje shpirtërore". Noti, në veçanti, "kujton simbolikisht" një element përbërës të njerëzimit.
Të jetosh do të thotë të mësosh të lëvizësh në harmoni me të tjerët dhe me mjedisin përreth nesh. Për ne të krishterët, uji është një simbol i Pagëzimit dhe i jetës së re në Krishtin.
