Kërko

Arriva l'enciclica di Leone XIV, 'rimaniamo umani'

Papa: Magnifica Humanitas lind nga shqetësimi për përgjegjësinë njerëzore

Në një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me rastin e Samitit “Inteligjenca Artificiale për të mirën 2026”, Leoni XIV ripohon gatishmërinë e Selisë së Shenjtë për t'u angazhuar në dialog në një kohë "ndryshimesh epokale" të diktuara nga teknologjitë e reja. Në këtë kuadër, ai nënvizon edhe nevojën për të gjetur "shtigje të reja për të mirën e përbashkët"

Vatican News

         Ndërsa bota e përfshin gjithnjë e më tepër përdorimin e Inteligjencës Artificiale në veprimtarinë e vet, zëra dhe raporte "shqetësuese" denoncojnë "humbjen e veprimit të përgjegjshëm të njeriut" në fusha themelore. Pikërisht nga dëgjimi i këtyre zërave lindi nevoja për një enciklikë, që trajton temën e Inteligjencës Artificiale dhe mbrojtjen e njerëzores në një kohë "ndryshimesh epokale". Kështu deklaron sot, 8 korrik, Papa Leoni XIV, në një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me rastin e Samitit “Inteligjenca Artificiale për të mirën 2026”, organizuar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), në bashkëpunim me agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara dhe me qeverinë zvicerane.

Dëgjimi, për të orientuar teknologjitë e reja

Ngjarja e përuruar më 7 korrik, që do të vazhdojë deri më datën 10, shqyrton disa nga çështjet më të rëndësishme të kohës sonë, për të cilat është i nevojshëm një dialog urgjent me të gjithë, për të gjetur “shtigje të reja për të mirën e përbashkët dhe për të nxitur një jetë dinjitoze për njerëzimin". Magnifica Humanitas, enciklika që Papa ia kushton pikërisht kësaj teme, lindi nga dëgjimi i shkencëtarëve dhe inxhinierëve, që po punojnë "me entuziazëm të sinqertë mbi teknologjitë e afta për të lehtësuar vuajtjet e mëdha"; nga diskutimet me udhëheqësit politikë dhe me administratorët publikë, që po kërkojnë normat më të drejta për orientimin e IA-së; si edhe nga bisedat me prindërit dhe mësuesit, thellësisht të shqetësuar për të ardhmen e brezave të rinj.

Njëkohësisht, ajo merr shkas edhe nga raportet shqetësuese për keqpërdorimin e mundshëm të algoritmeve dhe për humbjen e veprimit të përgjegjshëm njerëzor në fusha me rëndësi themelore. Papa përfundon duke siguruar lutje për një "shkëmbim konstruktiv dhe të frytshëm" në impenjimin "në shërbim të njerëzimit".

08 korrik 2026, 12:09