Leo XIV: madhështia e një kombi qëndron në mbrojtjen e jetës së të gjithëve
Vatican News
Është e fortë thirrja, ajo e Leonit XIV, për të vazhduar kultivimin e respektit për vlerën e "çdo jete njerëzore": "Madhështia morale e një kombi vërehet, mbi të gjitha, në aftësinë e tij për ta mbështetur, për ta mbrojtur dhe për ta vlerësuar jetën e të gjithëve, veçanërisht më të ligshtëve dhe atyre, vlera e të cilëve vihet në dyshim".
Në pragun e 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Papa Prevost sot mori “Liberty Medal” (Medaljen e Lirisë) nga Qendra Kombëtare e Kushtetutës, për angazhimin e tij në "mbrojtjen e lirisë". E, duke u lidhur nëpërmjet videos nga Vatikani, mbajti një fjalim të fuqishëm për të pranishmit, në një ceremoni publike në Independence Mall të Filadelfias, park që përfshin ndërtesën historike ku u nënshkruan si Deklarata e Pavarësisë, ashtu edhe Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky nder i është dhënë ndër vite personaliteteve si Nelson Mandela, Mikhail Gorbachev dhe figurave të tjera politike me famë ndërkombëtare.
250 vjet që nga Deklarata e Pavarësisë
Papa, prandaj, thotë se është i nderuar që merr Medaljen këtë vit, në 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1776. "Si bir i këtij vendi të madh", i themeluar nga njerëz që ëndërronin liri e jetë më të mirë, bashkohet me të pranishmit duke u lutur "për bekimet e Zotit mbi të ardhmen e Amerikës që idealet e larta të mishëruara në fillim të Deklaratës së Pavarësisë të vazhdojnë të udhëheqin prosperitetin e kombit në unitet, drejtësi dhe paqe".
Njeriu i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, themel i dinjitetit njerëzor
"Pjesa më e madhe jona, theksoi Papa Prevost, e ka admiruar rrjedhshmërinë e këtyre fjalëve me thirrjen e tyre të fortë ndaj ligjit të natyrës dhe të Zotit, si bazë e pohimit sipas të cilit të gjithë burrat e gratë janë krijuar të barabartë dhe të pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat janë e drejta për jetë, liri dhe ndjekje të lumturisë". Leoni XIV vëren se ky pohim, "megjithëse i shprehur në gjuhën e Iluminizmit", bazohet "në një koncept të personit njerëzor frymëzuar nga vizioni i madh biblik i burrit dhe i gruas, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit". Në këtë, pra, zbulojmë "themelin e dinjitetit njerëzor", "i cili i paraprin themelimit të çdo Shteti dhe ruajtja e të cilit përfaqëson vetë qëllimin e tij".
Amerika dhe dashuria për lirinë
Papa gjithashtu zgjeron shikimin e tij në historinë e 250 viteve të fundit, gjatë të cilave, vëren ai, për shumë popuj ka qenë "vendosmëria e fortë për të realizuar vizionin fisnik të themeluesve të kombit, që e bëri Amerikën sinonim të lirisë, ndërsa vendi hapi dyert për valë të njëpasnjëshme emigrantësh, duke u lejuar atyre dhe fëmijëve të luajnë rolin e vet në formimin e së ardhmes së kombit". E njëjta dashuri për lirinë frymëzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës "në orët më të errëta të shekullit të kaluar, në kohën e dy luftërave botërore", me flijime të mëdha, për të mbrojtur kauzën e lirisë përtej kufijve të saj.
Besnik ndaj titullit "Vendi i burrave të lirë dhe streha e guximtarëve”
Papa gjithashtu vëren se, "siç e di çdo amerikan", rruga drejt një shoqërie që mishëron idealet e larta të lirisë dhe të drejtësisë "nuk ka qenë gjithmonë e lehtë" e "në shumë mënyra, është ende punë në zhvillim e sipër": është angazhim që duhet të rifillohet "në çdo brez dhe përballë sfidave gjithnjë e më të reja". "Ky përvjetor historik, pra, ofron mundësi për të reflektuar edhe një herë mbi parimet themeluese të kombit, me shpresën se Amerika do t'i mbetet gjithnjë besnike ëndrrës që i dha asaj titullin 'Vendi i njerëzve të lirë dhe streha e njerëzve guximtarë”.
Ligjet e mbrojnë jetën nga zënia e deri në vdekjen natyrore.
E drejta e parë e sanksionuar nga themeluesit e kombit amerikan ishte "e drejta për jetën". "Vitaliteti i një vendi është thellësisht i lidhur me vlerën që i jep jetës njerëzore në të gjitha format dhe kushtet e saj, duke njohur dinjitetin me të cilin çdo person njerëzor është i pajisur në sajë të vetë ekzistencës së tij ose të saj", theksoi Papa Prevost, duke kujtuar pikërisht atë vlerë të brendshme të çdo jete njerëzore, e cila nxiti zemrat e brezave të tërë të "mbeten në nderim para një dhurate kaq të çmuar". Shpresa e tij, pra, është ta kultivojë këtë respekt që prek zemrat dhe "frymëzon ligje që e njohin dhe e mbrojnë këtë dhuratë nga çasti i zënies - deri në vdekjen natyrore". Një respekt që na ndihmon të zbulojmë se jemi "rojtarë" të "atyre që janë besuar kujdesit tonë".
Liria, të mos veprojmë sipas dëshirës, por të themeluar mbi të vërtetën
E drejta e dytë është ajo për liri, ndërmjet parimeve të nderuara nga ata që kërkuan "fillim të ri" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e barazuan me "një shpresë të papërfytyrueshme më parë". "Edhe pse shpesh kuptohet si aftësi për të vepruar sipas dëshirës, liria e mirëfilltë është shumë më e thellë": "Ajo bazohet, vëren Papa, në aftësitë e personit njerëzor për të njohur të vërtetën dhe për t'iu përmbajtur asaj që është e mirë, madje edhe me çmim të lartë: flijim i njohur mirë për shumë prej atyre që punuan për ta formuar këtë Vend".
Qendrore, pyetja mbi Zotin për drejtimin e jetës.
Dëshira për të vërtetën e lirinë dhe ndjekja e lumturisë vazhdojnë t’i nxisin brezat për të bërë pyetje themelore "rreth kuptimit të jetës, qëllimit tonë përfundimtar dhe, në fund të fundit, rreth Zotit". Përgjigjet e këtyre pyetjeve në mënyrë të pashmangshme përcaktojnë "drejtimin që kërkojmë t'i japim jetës sonë" dhe "Amerika e ka promovuar prej kohësh lirinë fetare të nevojshme për të ndjekur me përgjegjësi urdhrat e ndërgjegjes në këtë drejtim, pa frikë e pa detyrim, siç është sanksionuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara".
Liria fetare e dialogu për kauzën e paqes
Kjo është liri që e konsideron "të shenjtë" sferën intime të personit, ku ndërgjegjja udhëheq vendimet e marra në thellësi të zemrës. Është pikërisht kjo liri, theksoi Papa, që garanton gjithashtu edhe "të drejtën e çdo personi për të besuar e rrëfyer fenë sipas bindjeve të tij ose të saj, dhe të individëve, komuniteteve e shoqatave për të shprehur publikisht fenë e tyre". Prandaj, Papa përqendrohet në vlerën e lirisë fetare, e cila i dha jetë "traditës amerikane të soditjes së dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit ndërfetar në nxitjen e së mirës publike" e në pasurimin e debateve mbi çështje të mëdha morale dhe etike. "Shpresa ime është - pohon ai - që kjo traditë të vazhdojë të japë fryte në debatin publik të karakterizuar nga moderimi, respekti për pikëpamjet e tjera dhe përpjekja e vazhdueshme për të gjetur terren të përbashkët në nxitjen e kauzës së paqes dhe të pajtimit, brenda dhe jashtë vendit".
Për të lulëzuar, një komb duhet të jetë i bashkuar
Paraardhësit e këtij vendi, të feve dhe gjuhëve të ndryshme, gjetën terren të përbashkët për të ndjekur një të ardhme më të mirë, thekson Papa. "Parimet që frymëzuan themeluesit e Amerikës, të rrënjosura në të vërtetën e personit njerëzor, vijon, i bashkuan ata në një kauzë të vetme, në një ëndërr të përbashkët. Uniteti i dha forcë asaj ëndrre, duke lindur, nën Zotin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E pluribus unum: nga shumë, një." "Që një komb të përparojë, ai duhet të jetë vërtet i bashkuar", thekson Papa Leoni, jo "nga objektiva të lidhura me përpjekje të çastit", por nga "ideale që nuk zbehen me kalimin e kohës".
Përvjetori është mundësi për të ripërtërirë angazhimin ndaj këtyre idealeve.
Shpresa e tij është që këto parime - dinjiteti i përbashkët njerëzor, barazia dhe të drejtat e sanksionuara në Deklaratën e Pavarësisë - të jenë "burim i një uniteti të tillë dhe një dritë udhërrëfyese për çastin e tanishëm dhe për ditët që do të vijnë".
"Lutem", përfundon Papa, që 250-vjetori i themelimit të këtij kombi të madh të jetë rast për të ripërtërirë solemnisht angazhimin tonë ndaj atyre idealeve që e bënë Amerikën vend, që vlerëson paqen dhe prosperitetin, vend që karakterizohet nga bujaria dhe fisnikëria e zemrës". E ia beson të ardhmen e Republikës "Atij që është Vetë burimi i lirisë së vërtetë dhe i paqes së qëndrueshme, Atij, emri i të cilit është Paqe. Zoti e bekoftë Amerikën!".
