DBR 2027: ka nisur shtegtimi i simboleve drejt dioqezave koreane
R.SH. - Vatikan
Pesëmbëdhjetë panele-skulptura me logon e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë (DBR), e programuar të mbahet në Seul në vitin 2027, do të udhëtojnë drejt po aq dioqezave të Kishës katolike të Koresë së Jugut. Më 20 janar, në Katedralen e Myeongdong-ut, kryeipeshkvi Imzot Peter Soon-taick Chung bekoi pesëmbëdhjetë simbolet e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë. Në secilin prej tyre është shtypur emri i një prej pesëmbëdhjetë dioqezave të Koresë, që janë edhe destinacionet e shtegtimit të tyre kombëtar.
Thirrja për të mirëpritur të rinjtë nga e gjithë bota
Gjatë ceremonisë së bekimit të pesëmbëdhjetë paneleve, Kryeipeshkvi imzot Chung nënvizoi rëndësinë e skulpturave si shenja të dukshme të misionit të përbashkët dhe bashkimit: “Skulptura që mban emrin e secilës dioqezë do t'u kujtojë të gjithë atyre që po përgatiten për këtë ngjarje thirrjen e tyre dhe hirin e Zotit që kanë marrë”, pohoi kryeipeshkvi Imzot Chung. Ai më pas i inkurajoi besimtarët që t'u përkushtohen me gjithë zemër përgatitjeve për të organizuar “një festë të rinisë që do të mirëpresë ngrohtësisht të rinjtë nga e gjithë bota” dhe u lut që të gjithë ata që kundrojnë skulpturën të ndihmohen për t'u rritur gjithnjë e më shumë në ngjashmëri me Krishtin.
Ndalesa e parë në dioqezën e Wonju-së
Pas shtegtimit ndërkombëtar në nëntë vende, gjatë të cilit përcollën lutjet dhe shpresat e të rinjve, ikona e Zojës Bekuar Salus Populi Romani dhe Kryqi simbol i Ditës Botërore të Rinisë (DBR-së) u kthyen në Kore në dhjetor 2025. Më 21 janar, Kryqi dhe Ikona e Zojës Mari nisën shtegtimin kombëtar nëpër dioqezat e Koresë. Në këtë moment ato ndodhen në Wonju, ku do të qëndrojnë deri më 25 shkurt. Pasi të vizitojnë dioqezat e mbarë Koresë, simbolet e Ditës Botërore të Rinisë do të kthehen në Kryedioqezën e Seulit në qershor 2027.
Në linjë me angazhimin e DBR-së pro kujdesit për krijimin dhe përgjegjësisë ekologjike, panelet-skulptura janë realizuar duke përdorur panele "alveolare", një material me bazë letre plotësisht i riciklueshëm. Dizajni u krijua nga vullnetari i ri Jung-hoon Cho.
Megjithëse përmasat variojnë paksa sipas dioqezës, çdo skulpturë është rreth 1.5 metra e gjerë dhe 80 centimetra e lartë. Skulpturat do të udhëtojnë në të gjithë vendin si shenjë bashkimi dhe njësie brenda Kishës në Kore dhe në mbështetje të një sërë aktivitetesh dioqezane dhe famullitare gjatë shtegtimit.