Gjyqi i Mbram: montohen skelat për restaurimin
R.SH. / Vatikan
Nisi puna në skelën për mirëmbajtjen e jashtëzakonshme të afreskeve të Gjyqit të Fundit - a të Mbram - në Kapelën Sistine, në Vatikan. Ngjarja u njoftua për shtyp nga Muzetë e Vatikanit.
Tridhjetë vjet pas "restaurimit të shekullit"
I njoftuar që verën e kaluar, projekti i pastrimit - pak më shumë se tridhjetë vjet pas "restaurimit të shekullit" që zbuloi nuancat e shkëlqyera të kryeveprës së Mikelanxhelos - u bë i nevojshëm "për shkak të pranisë së një mjegulle të bardhë të përhapur", shpjegon Paolo Violini, kryetar i Laboratorit të Restaurimit të Pikturave dhe Materialeve prej Druri të Muzeve të Vatikanit. Kjo e fundit u shkaktua "nga depozitimi i mikropjesëzave të substancave të huaja mbartur nga lëvizjet e ajrit të cilat, me kalimin e kohës, zbutën kontrastet e kiaroskuros dhe uniformuan ngjyrat origjinale të afreskut".
Kapela Sikstine, gjithnjë e hapur
Gjatë tre muajve të restaurimit, Kapela Sikstine do të mbetet e hapur, duke vazhduar të mirëpresë besimtarët dhe vizitorët. Restauruesit do të punojnë pas një kanavace me definicion të lartë, që riprodhon afreskun e famshëm. Skelat do të mbulojnë gjithë sipërfaqen, duke i lejuar ekipit të rivendosë ngjyrën dhe cilësinë origjinale të dritës.
Projekti mbështetet nga Kapitulli i Floridës i Mbrojtësve të Arteve në Muzetë e Vatikanit dhe, përveç Laboratorit të Restaurimit, përfshin Kabinetin e Kërkimit Shkencor, Zyrën e Konservatorit dhe Laboratorin Fotografik të Muzeve të Vatikanit.
Monitorim i vazhdueshëm
Në vazhdimësi me ndërhyrjen e konservimit të përfunduar në vitin 1994 nën mbikëqyrjen e drejtorit të përgjithshëm të atëhershëm Carlo Pietrangeli dhe të kryer nga restauruesi kryesor Gianluigi Colalucci, pikturat e Cappella Magna, gjatë viteve ishin objekt i hetimit dhe i monitorimit të vazhdueshëm nga Muzetë e Vatikanit, të nevojshëm për të vlerësuar gjendjen e konservimit në dritën e fluksit të lartë ditor të vizitorëve. Programi i mirëmbajtjes parandaluese për të gjithë kompleksin dekorativ nisi nga Laboratori i Restaurimit për të hequr sistematikisht depozitat e grumbulluara me kalimin e kohës. Deri tani, këto operacione janë kryer çdo vit, natën, me ndihmën e platformave të lëvizshme, dhe kanë përfshirë muret me lunetat e Michelangelo-s, serinë e Papëve dhe skenat e mëdha të shekullit të pesëmbëdhjetë.
Kryevepra, që të mbush me "habi e mrekulli"
Tani është radha e murit të madh dhe të famshëm pas altarit, porositur Michelangelo-s në vitin 1533 nga Papa Klementi VII dhe nisur nën Palin III. Me 180 metrat katrore të sipërfaqes së pikturuar dhe 391 figurat që e gjallërojnë, puna u përfundua në vjeshtën e vitit 1541. Më 31 tetor të atij viti, Papa kremtoi lutjet Mbrëmësore solemne në prani të një kryevepre që, siç kujton Giorgio Vasari, "të mbush me habi dhe mrekulli".