Françesku: Zoti dëshiron për ne ç’është më e mirë, na do të lum
R.SH. - Vatikan
Sheshi i Shën Pjetrit pas festave të mëdha të dimrit ka përsëri pamjen e tij të zakonshme. Në qendër nuk janë më Betlehemi i ardhur nga Peruja e largët, as Bredhi, nga Andalo i Trentinos. Por janë, si përherë, një mori njerëzish, shtegtarë e turistë, që ndjekin gjatë gjithë vitit lutjen papnore të së dielës, nën diell e nën shi.
E sot Papa, duke shfletuar Ungjillin, i ftoi të gjithë ata, që po e ndiqnin, në Dasmën e Kanës, ku Jezusi e shndërroi ujin në verë, për gëzimin e madh të nuses, të dhëndrrit e, doemos, të dasmorëve. E Ungjilli - kujtoi Papa në fillim të lutjes - përfundon me fjalët: “Ky ishte fillimi i shenjave që bëri Jezusi: e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të” (Gjn. 2,11). Vërejmë - shtoi - se Gjoni nuk flet për mrekulli, domethënë, nuk e shikon këtë shndërrim si fakt të fuqishëm e të jashtëzakonshëm, që përfton mrekullinë. Shkruan se në Kanë u duk një shenjë, që e rizgjoi fenë e dishepujve.
Kuptimi i shenjës, sipas Ungjillit
E Papa në vijim pyeti: “Ç’ kuptim ka fjala ‘shenjë’, sipas Ungjillit”, për të dhënë, më pas, edhe shpjegimin e saj. Është një e dhënë, e cila tregon dashurinë e Zotit, pa e tërhequr vëmendjen mbi forcën e gjestit, por mbi dashurinë, që shkaktoi:
“Na mëson diçka nga dashuria e Zotit, që është gjithnjë fare pranë nesh, e ëmbël dhe e mëshirshme. Shenja e parë vjen ndërsa dy bashkëshortët ndjehen keq në ditën më të rëndësishme të jetës së tyre. Në kulmin e festës, u mungon gjëja kryesore, vera, gjë që mund ta shuajë gëzimin e t’u hapë rrugën kritikave e pakënaqësive të të ftuarve, që tashmë kishin zbrazur më se një kupë”.
Mrekullia e shndërrimit të ujit në verë
Edhe Jezusi, si e merr vesh çka po ndodhte, ndërhyn pa zhurmë, larg nga shikimet e dasmorëve. Gjithçka kryhet me kujdes, “pas kuintave”, kujtoi Papa, për të shpjeguar, më pas, mrekullinë:
“Ishin vënë aty gjashtë enë guri, që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: ‘Mbushini enët me ujë!’. Ata i mbushën deri në grykë. E uji u shndërrua sakaq në verë”.
Kështu vepron Zoti, me afërsi e kujdes. E dishepujt e vërejnë mirë këtë: shikojnë se falë Tij dasma arrin një kulm të ri shendi. E shikojnë edhe mënyrën si sillet Jezusi, shërbimin e Tij në fshehtësi, aq sa dasmorët nisin të lavdërojnë dhëndrrin, që po shtonte në sofrën e dasmës një verë të mrekullueshme, të pashijuar kurrë:
“Kështu nis të zhvillohet ndër ta fara e fesë, domethënë, besojnë se në Jezusin është i pranishëm Zoti, dashuria e Zotit”.
Zoti është gjithnjë gati të na ndihmojë
Gjë e bukur të mendosh se shenja e parë, që bën Jezusi, nuk është ndonjë shërim i jashtëzakonshëm, as ndonjë mrekulli në Tempullin e Jeruzalemit, por një gjest i thjeshtë, që plotëson një nevojë konkrete të njerëzve të zakonshëm. Kështu i pëlqen të veprojë Zotit. E nëse ne, ashtu si Maria në Kanë, i kërkojmë ndihmë, Ai është gati të na ndihmojë, të na ngrejë përsëri në këmbë:
“E atëhere, nëse ua vëmë mendjen këtyre shenjave, pushtohemi nga dashuria e Zotit e bëhemi dishepujt e Tij”.
Zoti dëshiron të na bëjë të lum
Po ngjarja e Kanës na kujton edhe diçka tjetër - pohoi në vijim Papa duke vijuar shpjegimin e mrekullisë së parë të Jezusit, në një dasëm. - Ndërsa ndër dasma e festa të tjera zakonisht vera e mirë shërbehej në fillim e, kur të ftuarit bëheshin në qejf, shërbehej vera e dorës së dytë, domethënë “e holluara”, Jezusi ndihmon që dasma të përfundojë me verën më të mirë, domethënë, me një kulm hareje:
“Simbolikisht kjo na kujton se Zoti dëshiron për ne ç’është më e mirë, na do të lum. Nuk vë kufij e nuk vepron me interes. Në shenjën e Jezusit nuk ka vend për synime të dyta, për të përfituar nga dhëndrri a nga nusja. Jo! Gëzimi që lë Jezusi ndër zemra është i plotë e pa kurrfarë interesi. Verë e klasit të parë, kurrë e holluar!”.
Një këshillë papnore
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i këshilloi besimtarët të provojnë një ushtrim, që të bën shumë mirë. Të rrëmojnë ndër kujtime! Të kërkojnë shenjat, që ua la Zoti në jetë, për t’u treguar se i do: çastet e vështira, kur Zoti u shprehu dashurinë e Tij të pafund…E ta pyesin veten: “Cila shenjë e matur dhe e kujdesshme më bëri ta ndjej në shpirt dashurinë e Tij? Si e zbulova afërsinë e Tij e më mbeti në zemër një gëzim i madh, i papërshkrueshëm?”:
“T’i rikujtojmë çastet, në të cilat e ndjemë praninë e Tij e ndërmjetësimin e Marisë!”.
E, si zakonisht, në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa i drejtoi lutjen Nënës së Zotit:
“Ajo, nëna, që si në Kanë është gjithnjë e gatshme, na ndihmoftë të përfitojmë sa më shumë nga shenjat, që na çon Zoti në jetën tonë”.