Kërko

Angelus Angelus

Papa: Pagëzuesi na mëson “të çlirohemi nga etja për role të rëndësishme e për pozitë” .

Duke komentuar sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, dëshminë e Gjon Pagëzuesit, si e lexojmë në Ungjillin sipas Gjonit (krh. Gjn 1,29-34), Papa kujtoi se meshtari thirret të predikojë dhe të kremtojë, për t’i shoqëruar të tjerët tek Jezusi. Me frymën e shërbimit, me aftësinë për të lëshuar vend, Gjon Pagëzuesi na mëson një gjë të rëndësishme: çlirimin nga lidhjet

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku e nisi edhe lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot me përshëndetjen drejtuar besimtarëve, shtegtarëve dhe turistëve të shumtë, që e mbushnin përplot Sheshin, edhe pse aty nuk ishte më as Bredhi as Betlehemi, sepse Krishtlindjet kaluan duke ia hapur shtegun ngjarjeve dhe festave të tjera të mëdha. I përshëndeti, pra, me shprehjen dashamire: “Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes!”.

Dëshmia e Gjon Pagëzuesit

E duke shfletuar më pas Ungjillin e liturgjisë së sotme (krh. Gjn 1,29-34), u ndalua tek dëshmia e Gjon Pagëzuesit për Jezusin, pasi e pagëzoi në lumin Jordan: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Pas meje vjen një njeri, që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’” (v. 29-30).

Kjo deklaratë zbulon frymën e shërbimit të Gjonit - shpjegoi Papa:

“Ai u dërgua për t’i përgatitur rrugën Mesisë, gjë që e bëri pa e kursyer veten. Në mënyrë njerëzore dikush mund të mendojë se atij do t'i jepej një ‘çmim’, një vend i spikatur në jetën publike të Jezusit, por jo. Gjoni, pasi e kreu misionin e tij, di të tërhiqet, e tërhiqet nga skena, për t'i lënë vend Jezusit”. “Ai pa Shpirtin Shenjt duke zbritur mbi të (krh. v. 33-34), dhe e tregoi si Qengji i Zotit që shlyen mëkatin e botës dhe nisi ta dëgjojë përvujtërisht”

 Gjoni – vijoi të shpjegojë Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot - u predikoi njerëzve, mblodhi dishepuj dhe i formoi ata për një kohë të gjatë. Megjithatë nuk u lidh me askënd. Është e vështirë, por është edhe shenja e edukatorit të vërtetë: të mos i lidhë njerëzit me vetveten.

Në gjurmët e Jezusit

 Gjoni bën këtë: i vë dishepujt e tij në gjurmët e Jezusit:

“Nuk është i interesuar të ketë ndjekës për veten, të shtjerë në dorë prestigj e sukses, por jep dëshmi e pastaj bën një hap prapa, në mënyrë që shumica të ketë gëzimin e takimit me Jezusin”.

E, prej këndej buron një mësim i madh, i përhershëm – kujtoi Papa:

“Me frymën e shërbimit, me aftësinë për të lëshuar vend, Gjon Pagëzuesi na mëson një gjë të rëndësishme: çlirimin nga lidhjet”.

E Papa shpjegoi sakaq arsyet e një qëndrimi të tillë, aspak të lehtë:

“Po, sepse është e lehtë të lakmosh rolet dhe pozitat, të kesh etje për vlerësime, për njohje, shpërblime. Edhe pse e natyrshme, kjo nuk është gjë e mirë, sepse shërbimi kërkon ta bësh falas, të kujdesesh për të tjerët pa asnjë përfitim për veten, pa qëllime të fshehta. Gjithashtu do të na bëjë mirë të kultivojmë, si Gjoni, virtytin e të larguarit mënjanë në çastin e duhur, duke dëshmuar se pika e referimit të jetës, është Jezusi”.

E akoma:

“Le të mendojmë sesa e rëndësishme është kjo për një meshtar, i cili thirret të predikojë dhe të kremtojë jo për protagonizëm apo interes personal, por për t’i shoqëruar të tjerët tek Jezusi”.

Të mendojmë - vijoi - sa rëndësi ka për prindërit, që i rrisin fëmijët me flijime të mëdha, por më pas duhet t'i lënë të lirë të marrin rrugën e tyre në punë, në martesë, në jetë. Është gjë e mirë dhe e drejtë që prindërit të vazhdojnë të sigurojnë praninë e tyre, duke u thënë fëmijëve: “Nuk do t'ju lëmë vetëm”, por me maturi, pa ndërhyrje.

E njëjta gjë vlen edhe për mjedise të tjera, si miqësia, jeta bashkëshortore, jeta në bashkësi. Ta çlirosh veten nga lidhjet egoiste dhe të dish të hiqesh mënjanë kushton, por është shumë e rëndësishme: është hapi vendimtar për t'u rritur në frymën e shërbimit.

Më pas Papa iu drejtua besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë që e ndiqnin nga mbarë bota, me porosi që dilnin nga goja e Atit. Porosi aktuale, të cilat duhet t’i kemi parasysh ditë për ditë:

“Vëllezër, motra, të provojmë ta pyesim veten: a jemi të aftë t'u bëjmë vend të tjerëve? T'i dëgjojmë, t'i lëmë të lirë, të mos i lidhim pas vetes, duke pretenduar njohjen? A i tërheqim të tjerët tek Jezusi, apo te vetja? E akoma, duke ndjekur shembullin e Gjonit: a dimë të gëzohemi për faktin se njerëzit marrin rrugën e tyre, ndjekin thirrjen e tyre, edhe nëse për ta bërë këtë, duhet një shkëputje të vogël nga ne? A gëzohemi për sukseset e tyre, sinqerisht dhe pa zili?”.

E, në përfundim, si zakonisht, lutja drejtuar Zojës së Bekuar:

“Mari, shërbëtorja e Zotit, na ndihmo të çlirohemi nga lidhjet, t'i lëmë vend Zotit dhe t'u lëmë vend edhe të tjerëve”.

15 janar 2023, 12:25

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >