Kërko

Papa: përgjegjësi dhe dhembshuri përballë tragjedisë së luftës

Gëzim e pikëllim njëherësh, sot në Lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot! Në ditën e parë të vitit të ri, Papa Françesku përsëriti lutjen drejtuar ndërmjetësimit të Marisë Virgjër "në veçanti për Papën e Nderit Benediktin XVI", shërbëtorin besnik të Ungjillit dhe të Kishës. Papa Bergoglio ftoi të imitojmë stilin Nënës së Zotit, të braktisim gjuhët, gjestet dhe zgjedhjet e frymëzuara nga egoizmi e të mësojmë gjuhën e dashurisë".

R.SH. - Vatikan

Gëzim e pikëllim njëherësh, sot në Lutjen e  parë të Engjëllit të Tënzot. “Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes dhe gëzuar Vitin e Ri!” - Ky, urimi i parë i Vitit të Ri 2023 drejtuar besimtarëve, turistëve dhe shtegtarëve të panumërt, grumbulluar sot rreth Atit të Shenjtë, për gëzim e mort! Gëzim i ditës së parë të një Viti të Ri, e mort për Benediktin XVI, që u nda nga ne!

Në këtë atmosferë të dyfishtë, Papa Françesku ia besoi fillimin e vitit të ri, Të Shenjtnueshmes Mari, të cilën e festojmë sot si Nënë e Zotit. E menjëherë pas kërkoi ndërmjetësimin e saj veçanërisht për Papën e Nderit, Benediktin XVI, i cili dje në mëngjes e la këtë botë. E u drejtoi të gjithëve, thirrjen: “Të bashkohemi të gjithë, me një zemër e një shpirt të vetëm, në falënderimin e Zotit për dhuratën e këtij shërbëtori besnik të Ungjillit dhe të Kishës”.

Ndërsa ne ende e sodisim Marinë në shpellën ku lindi Jezusi - vijoi Papa - mund ta pyesim veten: me çfarë gjuhe na flet Virgjëra e Shenjtë? Çfarë mund të mësojmë prej saj për këtë vit, që hapet?

Madhështia e Marisë

Nëse shikojmë skenën që na paraqet liturgjia e sotme, vëmë re se Maria nuk flet. Ajo e mirëpret me habi misterin që jeton, e ruan gjithçka në zemër të vet dhe shqetësohet kryesisht për Fëmijën, që - thotë Ungjilli - ishte "i shtrirë në grazhd" (Lk 2,16). Kjo folje "të shtrish" do të thotë ta vendosësh me kujdes, gjë që tregon se gjuha e Marisë është ajo e amësisë: është të kujdesesh butësisht për Fëmijën.

E kjo është madhështia e Marisë! Ndërsa engjëjt festojnë, barinjtë vijnë me vrap dhe të gjithë e lavdërojnë me zë të lartë Zotin për ngjarjen, Maria nuk flet, nuk i argëton të ftuarit, duke u shpjeguar se çfarë i ndodhi, ajo nuk e rrëmben skenën; përkundrazi, vë në qendër fëmijën, duke u kujdesur për Të me dashuri.

“Një poeteshë shkroi se Maria "dinte të heshte solemnisht, [...] sepse nuk donte ta humbiste nga sytë Zotin e saj" (A. MERINI, Corpo d'amore. Un incontro con Gesù, Milan 2001, 114) .

Kjo është gjuha tipike e amësisë: ëmbëlsia e përkujdesjes. Tipike për nënat - na kujton Papa - që më pas i përshkruan me nota prekëse: 

“Pasi e mbajtën dhuratën e një mrekullie misterioze në barkun e tyre për nëntë muaj, nënat vazhdojnë t'i vënë ferishtet në qendër të gjithë vëmendjes: i ushqejnë, i mbajnë në krahë, i vendosin butësisht në djep. Kujdesi - kjo është edhe gjuha e Nënës së Zotit”.

Maria na flet për të ardhmen

Si të gjitha nënat – vijoi Papa në lutjen e parë të Engjëllit në vitin 2023 - Maria mban jetën në barkun e saj dhe kështu na flet për të ardhmen tonë. Por në të njëjtën kohë na kujton se po të duam vërtet që viti i ri të jetë i mbarë, po të duam të rindërtojmë shpresën, duhet t’i braktisim gjuhët, gjestet dhe zgjedhjet e frymëzuara nga egoizmi dhe të mësojmë gjuhën e dashurisë, që është kujdesi. Ky është angazhimi: 

“Të kujdesemi për jetën tonë, për kohën tonë, për shpirtin tonë; të kujdesemi për krijimin dhe mjedisin në të cilin jetojmë; dhe, aq më tepër, të kujdesemi për fqinjin tonë, për atë që Zoti na e vuri pranë nesh, si dhe për vëllezërit dhe motrat që janë në nevojë dhe kërkojnë vëmendjen dhe dhembshurinë tonë”.

Kjo, porosia kryesore e Papës për Vitin e Ri 2023!

Ndërsa festojmë sot Ditën Botërore të Paqes, jemi edhe një herë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që na u besuar në ndërtimin e së ardhmes: përballë krizave personale dhe sociale që po përjetojmë, përballë tragjedisë së luftës, “jemi të thirrur t’i përballojmë sfidat e botës sonë me përgjegjësi dhe dhembshuri” (Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes LVI, 5). Mund ta bëjmë këtë nëse kujdesemi për njëri-tjetrin dhe nëse, të gjithë së bashku, kujdesemi për shtëpinë tonë të përbashkët.

Të ndalemi para tjetrit

T’i lutemi të Shenjtnueshmes Mari, Nënës së Zotit, që në këtë epokë të ndotur nga mosbesimi dhe indiferenca, të na bëjë të aftë për dhembshuri dhe kujdes, të aftë "të prekemi dhe të ndalemi përpara tjetrit, sa herë të jetë e nevojshme" (Nxitja ap. Evangelii gaudium, 169).

01 janar 2023, 12:50

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >