Kërko

Papa: drejtësia e Zotit nuk është dënim e ndëshkim, por mëshirë që shpëton

Bashkëndarja e barrëve të njëri-tjetrit, shikimi i njëri-tjetrit me dhembshuri, ndihma e njëri-tjetrit, jo përçarja, por bashkëndarja: kështu të krishterët janë të thirrur ta ushtrojnë drejtësinë në Kishë dhe në shoqëri. Papa Françesku gjatë lutjes së Engjëllit Tënzot shpalos katekzën e tij mbi misionin e Jezusit: ai nuk i dënon fajtorët, por i shpëton mëkatarët dhe i bënë të drejtë

R.SH. / Vatikan

Sa herë jemi lutur dhe kemi marrë drejtësinë për një të keqe të pësuar, për një shpifje, për një shpërdorim detyre, duke menduar se kushdo që gabon duhet të paguajë, e madje se me të vërtetë është e drejtë që ata që gabojnë duhet të paguajnë, ndoshta me një dënim të vendosur nga një gjykatë. Kjo ndoshta është drejtësia e njeriut, por sigurisht jo drejtia e Zotit. Nga dritarja e Pallatit Apostolik, në ditën kur Kisha katolike romake kremton festën e Pagëzimit të Zotit, Papa Françesku u përqendrua mbi këtë temë duke e nisur katekzën e tij me një skenë të hapur, me imazhin "mahnitës" të propozuar nga Ungjilli i sotëm i Mateut, që na paraqet Jezusin kokë ulur në rreshtin e njerëzve në brigjet e lumit Jordan, për t'u pagëzuar nga Gjon Pagëzuesi. Shkuarja në lumë të Jordanit për të marrë Pagëzimin ishte një ritual përmes të cilit njerëzit pendoheshin dhe angazhoheshin për t’u konvertuar me përulësi dhe me një zemër transparente.

Duke parë Jezusin që po përzihej me mëkatarët, njeriu habitet dhe pyet veten: pse Ai, i Shenjti i Hyjit, Biri i Zotit pa mëkat, e bëri këtë zgjedhje? Përgjigjen e gjejmë në fjalët që Jezusi i drejton Gjonit: "Lëre tani për tani, sepse është më mirë për ne të përmbushim gjithë drejtësinë".

Drejtësia që vjen nga dashuria

Çfarë do të thotë të përmbushësh gjithë drejtësinë? Pyeti Papa teksa shpjegoi se, duke u pagëzuar, Jezusi donte të na zbulonte se çfarë drejtësie Hyji erdhi për të sjellë në botë. Asgjë nuk ka të bëjë me idenë e ngushtë dhe thjesht njerëzore të pohimit se "kush gabon duhet të paguan". Drejtësia e Zotit, tha Françesku, është shumë më e madhe: "nuk ka për qëllim dënimin e fajtorit, por shpëtimin dhe rilindjen e tij", dëshirën për t’i bërë të drejtë edhe mëkatarët më kokëfortë.

Është një drejtësi që vjen nga dashuria, nga thellësia e dhembshurisë dhe mëshirës që është vetë zemra e Zotit, zemra e Atit që preket kur ne jemi të shtypur nga e keqja dhe biem nën peshën e mëkateve dhe të dobësive. Prandaj, drejtësia e Hyjit nuk dëshiron të shpërndajë ndëshkime dhe dënime, por, siç pohon Pali apostull, konsiston në atë që të na bëjë bijë të tij të drejtë (shih Rom 3:22-31), të na çlirojë nga kurthet e së keqes, të na shërojë, duke na çuar përsëri në këmbë.

Vetëm mëshira shpëton

Duke shpëtuar të gjithë mëkatarët, duke mbajtur mbi supe mëkatin e gjithë botës: këtu është kuptimi i atij gjesti shpërthyes që Jezusi kreu në brigjet e lumit Jordan dhe që e la vetë Gjonin të habitur, kjo është drejtësia që Ai ka ardhur të përmbushë. "Ai - këmbënguli Papa - na tregon se drejtësia e vërtetë e Zotit është mëshira që shpëton, dashuria që bashkëndan gjendjen tonë njerëzore, afrohet, në solidaritet me dhimbjen tonë njerëzore, duke hyrë në errësirën tonë për të na rikthyer dritën". Papa Françesku citoi paraardhësin e tij, Benediktin XVI, funeralin e të cilit e kremtoi më 5 janarin e kaluar për të ripohuar thellësinë dhe gjerësinë e këtij shpengimi që Zoti u jep të gjithëve, pa dallim dhe që e çon atë vetë të zbresë "në fund të humnerës së vdekjes”, në mënyrë që çdo njeri, edhe ata që kanë rënë aq poshtë sa të mos shohin më qiellin, të gjejnë dorën e Zotit për t'u kapur” (predikimi 13 janar 2008) e shpëtuar.

Mos ndani por bashkëndani

Detyra më e vështirë për të krishterët, tha Papa Françesku, është pikërisht ushtrimi i drejtësisë në këtë mënyrë, jo vetëm në Kishë, por edhe në shoqëri, në jetën e përditshme, në marrëdhëniet me të tjerët. Si mund të bëhet? Duke bashkëndarë.

Jo me ashpërsinë e atyre që gjykojnë dhe dënojnë duke i ndarë njerëzit në të mirë dhe të këqij, por me mëshirën e atyre që mirëpresin, duke bashkëndarë plagët dhe brishtësinë e motrave dhe vëllezërve, për t'i ngritur në këmbë. Do të doja ta shprehja kështu: jo duke ndarë, por duke bashkëndarë. Mos ndani, por bashkëndani. Le të veprojmë si Jezusi: të bashkëndajmë, të mbajmë barrët e njëri-tjetrit, të shikojmë njëri-tjetrin me dhembshuri, të ndihmojmë njëri-tjetrin.

Papa pagëzoi 13 fëmijë: "Pagëzimi është si ditëlindje. Mësojini të luten"

Paradite, në festën e Pagëzimit të Zotit, fëmijët e punonjësve të Vatikanit morën sakramentin e Pagëzimit nga duart e Papës në Kapelën Sistine. Në një predikim të shkurtër pa tekst, Papa Françesku i ftoi prindërit dhe nunat t'i shoqërojnë të vegjlit në udhën e fesë: "Mësojini që tani të luten, sepse lutja do t'u japë forcë për tërë jetën". Rekomandimi për nënat: "Nëse qajnë nga uria jepini gji, nëse kanë të nxehtë, rehatoni fëmijët. Sot është një ditë feste".

 

08 janar 2023, 12:51

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >