Papa: përdorini të mirat, që Zoti na beson, për të ndërtuar një botë më të drejtë
R.SH. – Vatikan
Në meditimin e tij për Engjëllin e Tënzot, kremtuar në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, mbushur plot me 15.000 besimtarë në këtë të diel të fundit të verës, Papa komentoi shëmbëlltyrën ungjillore të shërbëtorit të pandershëm (Lk 16,1-13) dhe, duke u kthyer te temat e trajtuara në homelinë e tij gjatë meshës së paradites, në famullinë papnore të Shën Anës, ngriti një sërë pyetjesh rreth mënyrës se si e administrojmë jetën dhe të mirat, që kemi marrë prej Zotit. Një ditë, do të japim llogari për mbarështimin e pasurive të tokës, para Zotit dhe njerëzve, dhe para atyre, që vijnë pas nesh. "Ne – theksoi Leoni XIV - nuk jemi zotër të jetës sonë, ose të të mirave që gëzojmë; gjithçka na është dhënë si dhuratë nga Zoti dhe Ai ia ka besuar këtë trashëgimi kujdesit, lirisë dhe përgjegjësisë sonë".
Rëndësia e miqve
Shëmbëlltyra nuk kuptohet menjëherë dhe duket ngacmuese. Papa e shpjegoi, duke pasur parasysh sjelljen dhe gjykimet e administratorit në tregimin ungjillor:
“Në këtë situatë të vështirë, ai e kupton se grumbullimi i të mirave materiale nuk është vlera më e rëndësishme, sepse pasuritë e kësaj bote kalojnë. Kështu, i vjen një ide e shkëlqyer: i thërret debitorët dhe ua "shkurton" borxhet, duke hequr dorë kështu nga pjesa, që do t’i takonte pikërisht atij. Në këtë mënyrë, e humbet pasurinë materiale, por fiton miq, të cilët do të jenë të gatshëm ta ndihmojnë dhe ta mbështesin”.
Të dalim nga egoizmi
Në fjalët e Papës vihet në pah padurimi me të cilin protagonisti i liturgjisë së sotme del nga vetmia, nga egoizmi i tij. Kjo, theksoi Ati i Shenjtë, ka vërtet rëndësi:
“Duhet t'i përdorim të mirat e botës dhe vetë jetën tonë, duke menduar për pasurinë e vërtetë, që është miqësia me Zotin dhe me vëllezërit e motrat tona”.
Të mendojmë për të mirën
Së fundi, Leoni XVI nënvizoi rëndësinë e ndjenjës së drejtësisë e të përgjegjësisë.
“Mund të ndjekim kriterin e egoizmit, duke e vënë pasurinë në vendin e parë dhe duke menduar vetëm për veten; por kjo na izolon nga të tjerët dhe përhap helmin e konkurrencës, që shpesh sjell konflikt. Ose mund ta shohim gjithçka kemi si dhuratë të Zotit, që duhet ta mbarështojmë dhe ta përdorim si mjet për të bashkëndarë me të tjerët, për të krijuar rrjete miqësie dhe solidariteti, për të krijuar të mirën, për të ndërtuar një botë më të drejtë, më të barabartë dhe më vëllazërore”.