Kërko

Papa: ligësia e korrupton historinë, po ne jemi të thirrur për të qenë lajmëtarë të së vërtetës

Gjatë kremtimit të lutjes Regina Coeli – Mbretëreshës Qiellore - Leoni XIV kujtoi vlerën e dëshmisë së krishterë dhe të komunikimit të ndershëm e na nxiti t’i shpallim Pashkët e Krishtit përmes fjalëve e veprave, gjë që do të thotë "t'i japësh zë të ri shpresës, për të mos e lënë të mbytur në duart e të dhunshmëve". Papa Leoni kujtoi Papën Françesku dhe "dëshminë e tij të madhe të fesë e të dashurisë".

R.SH. / Vatikan

E vërteta, e errësuar nga lajmet e rreme e nga gënjeshtrat, del ende "e gjallë dhe e shkëlqyeshme". Jezusi është me të vërtetë "lajmi i mirë për t'iu dëshmuar botës"; një bote në të cilën e keqja "korrupton historinë dhe ngatërron ndërgjegjet". Papa Leoni XIV, gjatë lutjes marian Mbretëreshës Qiellore sot, më 6 prill, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, theksoi një nga lajmet tona më të dëshiruara e më prekëse: "kumtimi i Pashkëve e shpengon të ardhmen tonë nga varri".

Mendoj - vijoi Papa - për popujt e torturuar nga lufta, për të krishterët e persekutuar  për fenë e tyre, për fëmijët e privuar nga shkolla. Të shpallësh Pashkët e Krishtit me fjalë e vepra, do të thotë t'i japësh zë të ri shpresës, përndryshe mbytet në duart e të dhunshmëve. Kur shpallet në mbarë botën, Lajmi i Mirë, ndriçon çdo hije, e në çdo kohë.

Rrëfimet e jetës e të vdekjes

Ungjilli i Mateut e udhëhoqi sot reflektimin e Papës, që kujtoi se si liturgjia, në këtë kohë Pashkësh, feston "hyrjen e të gjithë krijimit në kohën e shëlbimit! Dëshpërimi nga vdekja, pohoi, zhduket përgjithmonë, në emër të Krishtit".  E më pas Papa u përqendrua në historinë e grave "që u takuan me të Ngjallurin" dhe historinë e rojeve që, të korruptuara nga krerët e Sinedrit, përhapin fjalët ugurzeza sipas të cilave trupi i Jezusit është vjedhur.

Nga e njëjta ngjarje, varri bosh, lindin dy interpretime: njëri është burimi i jetës së re dhe të amshuar, tjetri, i vdekjes së sigurt dhe përfundimtare.

Lajme të rreme

Dy variante që përplasen fort në thelbin e tyre më të thellë, të cilat Leoni i përdor si shembull për të na kujtuar rëndësinë e komunikimit të së vërtetës.

Ky kontrast na bën të reflektojmë mbi vlerën e dëshmisë së krishterë dhe ndershmërinë e komunikimit njerëzor. Thënia e së vërtetës shpesh errësohet nga "lajme të rreme", siç thohet sot - domethënë, nga gënjeshtra, aluzione, akuza të pabazuara.

E vërteta është përballë

"Përballë pengesave të tilla, shtoi Papa, e vërteta nuk mbetet e fshehur; përkundrazi, na pret, e gjallë dhe rrezatuese, duke ndriçuar errësirën më të dendur". Thotë kështu e në vijim kujton fjalët e Jezusit drejtuar grave - "Mos kini frikë! Shkoni e kumtoni" - fjalë, të cilat ende janë shumë të vlefshme edhe sot.

Ai vetë bëhet kështu lajmi i mirë për t’u dëshmuar në botë: Pashkët e Zotit janë Pashkët tona, Pashkët e njerëzimit, sepse ky njeri, që vdiq për ne, është Biri i Zotit, që e dha jetën e tij për ne. Ashtu si i Ngjalluri, gjithmonë i gjallë e i pranishëm, çliron të kaluarën nga një fund shkatërrues, ashtu edhe mesazhi i Pashkëve e shëlbon të ardhmen tonë nga varri.

 E Papa uron që ky Ungjill t’i arrijë "të gjithë ata, që janë të shtypur nga i ligu e ligësia".

Kujtimi i Papës Françesku

Në përfundim të Mbretëreshës Qiellore, lutjes mariane që do të vazhdon deri në Solemnitetin e Rrëshajëve, Papa Leoni kujtoi, mes duartrokitjeve, Papën Françesku i cili më 21 prill 2025, të hënën e Pashkëve, ia dhuroi "jetën  Zotit".

Ndërsa kujtojmë dëshminë e tij të madhe të fesë e të dashurisë, ta lusim së bashku Virgjërën Mari, Seli e Dijes, të bëhemi lajmëtarë gjithnjë e më të ndritshëm të së vërtetës.

06 prill 2026, 13:24

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >