Kërko

PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT

Papa: në Lindjen e Mesme një konflikt mizor, të hapen shtigje paqeje

Leoni XIV, përpara lutjes së Engjëllit të Zotit, kujton se në Lindjen e Mesme Ritet e Javës së Shenjtë të Pashkëve nuk do të kremtohen sipas traditës. Papa shpreh afërsi dhe lutje për të gjithë ata që vuajnë. “Një vuajtje – pohon ai – që sfidon ndërgjegjen e të gjithëve”. “Të lartësojmë përgjërimin tonë drejt Princit të Paqes, Jezusit, që të mbështesë popujt e plagosur nga lufta”. Një mendim shkon edhe për emigrantët e mbytur në det pranë Greqisë.

R.SH. – Vatikan

Nga Sheshi Shën Pjetrit, në Vatikan, i zbukuruar me palma për të kujtuar hyrjen e Jezusit, Mbretit të Paqes, në Jeruzalem, mendimi i Papës Leoni XIV, përpara lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, shkon tek të gjithë ata që nuk mund t’i kremtojnë Ritet e Javës së Shenjtë të Pashkëve, siç po ndodh në Tokën e Shenjtë për shkak të klimës së dhunës dhe kufizimeve të vendosura pikërisht nga lufta. Leoni XIV është pranë atyre që vuajnë “pasojat e një konflikti mizor” dhe bën thirrje për pajtim.

"Pikërisht ndërsa Kisha mediton mbi misterin e Mundimit të Krishtit Zot, nuk mund të harrojmë ata që sot marrin pjesë në mënyrë reale në vuajtjen e Tij. Sprova e tyre sfidon ndërgjegjen e të gjithëve. Të lartësojmë përgjërimin tonë drejt Princit të Paqes, që të mbështesë popujt e plagosur nga lufta dhe të hapë shtigje konkrete të pajtimit dhe të paqes."

Për jetën dhe për paqen

Papa nuk harron as viktimat e luftës, në veçanti detarët. Lutja e tij shkon edhe për të vdekurit, të lënduarit dhe familjet e tyre.

"Toka, qielli dhe deti janë krijuar për jetën dhe për paqen".

Lutja për emigrantët

Mes shumë “të kryqëzuarve” të sotëm – siç kujtoi Papa edhe në homelinë e Meshës së të Dielës së Larit (Dafinave) – nuk mungojnë emigrantët, njerëz të shtyrë nga ëndrra për një jetë të re, që mbyten në det. Ati i Shenjtë Leoni i referohet fatkeqësisë së fundit të ndodhur në brigjet e ishullit të Kretës, e cila shkaktoi 22 të vdekur. Sipas dëshmive të të mbijetuarve, trupat, pas gjashtë ditësh në mëshirë të fatit në bordin e një gomoneje, u hodhën në ujë, ndërsa 26 persona të tjerë, mes të cilëve një grua dhe një i mitur, u shpëtuan.

"Të lutemi për të gjithë emigrantët e vdekur në det, në veçanti për ata që humbën jetën ditët e fundit në brigjet e ishullit të Kretës".

Në fund, një përshëndetje e Papës për romakët dhe shtegtarët që morën pjesë në kremtimin në Sheshin Shën Pjetrit.

29 mars 2026, 13:48

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >