Kërko

Papa: t’i çlirojmë zemrat nga egoizmi, materializmi e nga dhuna

Në Engjëllin e Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, ku sipas traditës ishin të pranishëm edhe pjesëmarrësit në Maratonën e Romës, Leoni XIV komentoi Ungjillin e ringjalljes së Lazrit dhe ftoi për të dalë nga varret që shkaktojnë vetmi e pakënaqësi dhe çojnë në sjellje që i kundërvihen jetës. Fama, të mirat materiale dhe marrëdhëniet e përkohshme, kujtoi Papa, nuk na bëjnë të pavdekshëm

R.SH. - Vatikan

Lazri ringjallet në korp, duke dalë nga ai varr me urdhër të Krishtit, me këmbë e duar të mbështjella në fasha varrimi e me fytyrën e mbuluar nga qefini, por kushdo që ka fe mund të ringjallet në shpirt dhe të dalë nga varret e dhunës, të cektësisë e të materializmit. Vende virtuale reale, ku nuk ka jetë, vetëm humbje e vetmi. Pak ditë para fillimit të Javës së Madhe, Papa, në Engjëllin e Tënzot të kësaj së diele, 22 mars, komentoi  Ungjillin e Gjonit. Atë, që rrëfen episodin e famshëm, në të cilin Jezusi ringjalli mikun e tij, vëllain e Martës e të Marisë, që kishte vdekur nga një sëmundje.

Mos i besoni asaj që kalon

Ngjallja e Lazrit "është shenjë që flet për ngadhënjimin e Krishtit mbi vdekjen, e edhe për dhuratën e jetës së amshuar", kujtoi Papa Leoni në vijim të katekizmit. E kjo ringjallje nuk arrihet përmes gjërave të përkohshme; nuk ka të bëjë fare me suksesin, zotërimin e të mirave materiale e as për marrëdhëniet e përkohshme.

Hiri i Tij e ndriçon këtë botë, që duket se kërkon vazhdimisht risi e ndryshime, madje edhe me çmimin e flijimit të sendeve të rëndësishme - kohës, energjisë, vlerave, dashurisë - sikur uria, të mirat materiale, argëtimi, marrëdhëniet e përkohshme, të mund t’i mbushnin zemrat tona ose të na bënin të pavdekshëm. Është simptoma e nevojës për të pafundmen, që secili prej nesh e mbart brenda vetes, e përgjigja e së cilës nuk mund t’i besohet asaj që kalon”.

Ta çlirojmë zemrën

Asgjë e kufizuar nuk mund ta shuajë vërtet etjen tonë të brendshme sepse, siç përsëriti Leoni XIV, "ne u bëmë për Zotin". Vetëm Krishti është ringjallja e jetës; vetëm kush beson në Të, nuk do të vdesë në amshim. Prandaj të krishterët janë të thirrur për një ndryshim rrënjësor të mendësisë.

Tregimi i ringjalljes së Lazrit, pra, na fton të dëgjojmë historinë që na nevojitet, një nevojë të thellë dhe, me forcën e Shpirtit Shenjt, t’i çlirojmë zemrat tona nga zakonet, kushtëzimet dhe mënyrat e të menduarit që, si gurë të mëdhenj, na mbyllin në varrin e egoizmit, materializmit, dhunës dhe cektësisë. Në këto vende, nuk ka jetë, po vetëm konfuzion, pakënaqësi e vetmi.

Të duam sipas modelit të Krishtit

Ftesa e Papës në këtë të Dielë të pestë të Kreshmëve është të dalim jashtë nga vetvetja dhe nga varret në të cilat mbyllemi, për të përjetuar ringjalljen e ndritshme, takimin me të Ngjallurin, i cili na e ndryshon mënyrën tonë të jetës, të të vepruarit dhe, mbi të gjitha, të dashuruarit:

Edhe ne Jezusi na bërtiti: "Dilni!", duke na nxitur të dalim, të rilindur nga hiri i tij, nga hapësirat kaq të ngushta, për të ecur në dritën e dashurisë, si gra dhe burra të rinj, të aftë për të shpresuar e për të dashuruar sipas modelit të bamirësisë së tij të pafundme, pa llogaritje dhe pa masë.

22 mars 2026, 12:31

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >