Kërko

Leoni XIV: si Krishti, t’i themi “jo” hakmarrjes e të dhurojmë mëshirën

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, Papa u përqendrua te Pashkët e Krishtit për të theksuar se Zoti "nuk na ka lëshuar dore", pavarësisht nga kufizimet tona. Ai na do "dëshmitarë të një paqeje më të fortë se çdo disfatë", vërejti Ati i Shenjtë, duke kërkuar afërsi me “ata, që mbyllen në frikë e ndjenjë faji”. "Thelbi i misionit të Kishës", pohoi ai, "nuk është të ushtrojë pushtet mbi të tjerët, por të komunikojë gëzimin e atyre, që janë dashur kur nuk e kanë merituar

R.SH. – Vatikan

Ftesë për të zbuluar se në dështimet, në plagët dhe zhgënjimet tona më të mëdha, mund të gjejmë dashurinë e Krishtit, që e shndërron të kaluarën. Këtë bëri Papa Leoni XIV në audiencën e sotme të përgjithshme (1 tetor), në Sheshin e Shën Pjetrit, duke shpjeguar se pikërisht dashuria e Krishtit është "forca që i dha jetë bashkësisë së krishterë: burra dhe gra, që zbuluan bukurinë e kthimit në jetë për t'ua dhuruar atë të tjerëve".

“Ky është thelbi i misionit të Kishës: të mos ushtrojë pushtet mbi të tjerët, por të përcjellë gëzimin e atyre, që janë dashur pikërisht kur e meritonin më pak”.

Mijëra besimtarë përshëndetën Papën, i cili bëri xhiron e tij të zakonshme me papamobil, në mesin e turmës. Gjatë katekizmit, Leoni XIV u përqendrua në Pashkët e Krishtit - siç përshkruhen në Ungjillin sipas Gjonit - dhe në vizitën e Krishtit të Ringjallur te dishepujt, "miqtë e tij", të mbyllur në çenakull e "të paralizuar nga frika". Por Krishti u solli "një dhuratë, që askush nuk do të kishte guxuar ta shpresonte: paqen".

  (@Vatican Media)

Zoti nuk na lëshon dore

Në katekizmin e tij, Papa theksoi se Krishti u duket dishepujve dhe u tregon plagët e Mundimeve, një gjest, që mund të duket i çuditshëm. "Pse t'ua tregojë plagët atyre që, në ato orë tragjike, e mohuan dhe e braktisën? Pse të mos i fshehë ato shenja dhimbjeje, duke shmangur rihapjen e asaj plage turpi?", pyeti Leoni XIV. Me këtë gjest, sqaroi ai, Jezusi dëshiron të tregojë se "tani është plotësisht i pajtuar me vuajtjet e tij. Nuk ka gjurmë mllefi". Jezusi nuk tregohet superior para dishepujve, as nuk u imponohet, theksoi Papa. Thjesht, dëshiron "të bashkohet sërish me ta, duke i ndihmuar të kapërcejnë ndjenjën e fajit".

“Plagët nuk kanë për qëllim t’i qortojnë, por të konfirmojnë një dashuri më të fortë se çdo pabesi. Ato janë provë se, pikërisht kur nuk jemi në lartësinë e duhur, Zoti nuk tërhiqet. Nuk na lëshon dore”.

  (@Vatican Media)

Dobësitë tona njerëzore

Ashtu si dishepujt, vërejti Papa, edhe ne nuk jemi aq të fortë e kemi vështirësi ta kuptojmë këtë dashuri falas, prandaj, kur e marrim atë nga Zoti, nuk e kemi të lehtë t’ia dhurojmë të tjerëve. "Kur shërohemi nga një traumë e shkaktuar nga të tjerët, reagimi ynë i parë është shpesh zemërimi”, dëshira për t’u hakmarrë. Ose "i maskojmë plagët nga krenaria e nga frika se mos dukemi të dobët. Themi 'nuk ka rëndësi', 'gjithçka ka mbaruar', por nuk jemi vërtet në paqe me tradhtitë, që na kanë plagosur", nënvizoi Ati i Shenjtë. Krishti nuk reagon në këtë mënyrë dhe nuk skandalizohet nga kufizimet tona: "dalë nga ferri i vdekjes, Jezusi nuk merr hak. Ai nuk kthehet me pushtet, por me butësi shpreh gëzimin e një dashurie më të madhe se çdo plagë dhe më të fortë se çdo tradhti".

“Ai ofron plagët e tij si garanci për falje. E dëshmon se Ringjallja nuk është fshirja e së kaluarës, por shndërrimi i saj në shpresë për mëshirë”.

  (@Vatican Media)

Dashuria i duhet dhuruar të tjerëve

Pasi Krishti u tregon dashuri dhe i fal dishepujt, u beson një detyrë të rëndësishme: ta çojnë këtë mesazh tek të tjerët, shpjegoi Papa. Në Ungjill, Jezusi thotë: "Paqja qoftë me ju" dhe shton: "Siç më ka dërguar mua Ati, ashtu po ju dërgoj edhe unë ju", duke u besuar apostujve një detyrë me përgjegjësi, për të qenë “mjete pajtimi në botë". Papa nënvizoi se Krishti ia beson këtë mision mbarë Kishës dhe gjithë besimtarëve të saj:

“Edhe ne dërgohemi. Edhe neve, Zoti na tregon plagët e tij dhe thotë: Paqja qoftë me ju. Mos kini frikë të tregoni plagët tuaja të shëruara nga mëshira. Mos kini frikë t'u afroheni atyre, që mbyllen në frikë e në ndjenjën e fajit. Fryma e Shpirtit Shenjt na bëftë edhe ne dëshmitarë të kësaj paqeje dhe të kësaj dashurie më të fortë se çdo disfatë”.

  (@Vatican Media)

Për herë të parë, katekizmi në gjuhën tamil

Për herë të parë, një përmbledhje e katekizmit të Papës u lexua në tamil, gjuhë që flitet nga afërsisht 70 milionë njerëz, të cilët banojnë kryesisht në Sri Lankë dhe Indi. Leoni XIV i përshëndeti besimtarët e kësaj gjuhe, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit.

01 tetor 2025, 11:10

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >