Apeli i Papës për t'i dhënë fund dhunës në Mianmar Apeli i Papës për t'i dhënë fund dhunës në Mianmar

Leoni XIV: mjetet e luftës t'ua lënë vendin atyre të paqes së qëndrueshme

Papa bën thirrje për t'i dhënë fund dhunës në Tokën e Shenjtë, Ukrainë e Mianmar, nga ku vazhdojnë të mbërrijnë lajme për dhunë kundër njerëzve dhe infrastrukturës civile: udhëheqësit ndërkombëtarë duhet të veprojnë me "urti dhe këmbëngulje", thekson dhe u shpreh mirënjohjen burrave e grave misionare që dhanë jetën e tyre për përhapjen e Ungjillit. Ndërmjet të pranishmëve në shesh, ishin edhe presidentët e Italisë dhe Libanit, për Meshën e kanonizimit.

R.SH. / Vatikan

Gjatë Meshës me Ritmin e Kanonizimit të shtatë të Lumturve që u mbajt sot në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Leoni XIV udhëheq besimtarët si çdo të dielë në lutjen e recitimit të Engjëllit të Zotit. Por më parë, një mendim dhe një falënderim i veçantë për ata që morën pjesë në këtë "festë shenjtërie" dhe një apel i zjarrtë për paqen në Mianmar, Tokën e Shenjtë dhe Ukrainë.

Leoni XIV u bën edhe një herë thirrje udhëheqësve ndërkombëtarë të punojnë për t'i dhënë fund dhunës aty ku vazhdojnë të dëgjohen armët. Papa Prevost i lutet Zotit t'u "japë të gjithë udhëheqësve mençuri dhe këmbëngulje për të përparuar në kërkimin e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme". E bën këtë në ditën e caktuar për kanonizimin e shtatë shenjtorëve të rinj, ndërmjetësimit të të cilëve, si dhe të Virgjërës Mari, ia beson lutjet e atyre që duan paqen "në Tokën e Shenjtë, në Ukrainë dhe në vende të tjera lufte", siç është Mianmari.

Lajmet që vijnë nga Mianmari janë trishtuese: shkruajnë për përleshje të armatosura dhe bombardime ajrore të vazhdueshme, përfshirë ato që prekin civilët dhe infrastrukturën.

Jam pranë atyre që vuajnë nga dhuna, pasiguria dhe vështirësitë e shumta. Ripërtërij apelin tim të përzemërt për armëpushim të menjëhershëm dhe efektiv. Instrumentet e luftës le t'ua lënë vendin atyre të paqes përmes dialogut gjithëpërfshirës dhe konstruktiv!” – bën thirrje Papa.

Pastaj, duke marrë përqafimin simbolik të mbi 70,000 besimtarëve të pranishëm në shesh për kanonizimet, Papa kujtoi Ditën Botërore të Misionit që i kremtua sot dhe iu drejtua atyre që e bënë jetën e mjet shërbimi ndaj besimit.

“Kisha është tërësisht misionare, por sot lutemi veçanërisht për ata burra dhe gra, që lanë gjithçka për të shkuar dhe për t'ua çuar Ungjillin atyre të cilët nuk e njohin. Janë misionarë shprese ndërmjet njerëzve. Zoti i bekoftë!”.

Në përfundim Papa i përshëndeti të gjithë të pranishmit në kremtim, të cilin e përshkroi si "kremtim të madh shenjtërie", duke falënderuar kardinalët dhe patriarkët e pranishëm, si dhe Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella dhe Kryetarin e Shtetit të Libanit, Joseph Khalil Aoun, të dy të pranishëm në shesh, si dhe delegacionet zyrtare që kishin mbërritur, veçanërisht nga Armenia dhe Venezuela.

Leoni XIV, më pas, priti "me gëzim bijat shpirtërore të Themelueseve, të shenjtëruara sot dhe komunitetet e shoqatat e ndryshme, të frymëzuara nga karizmat e Shenjtorëve të rinj".

Në përfundim përshëndeti të gjithë shtegtarët e pranishëm në sheshin e Vatikanit, me një theksim të veçantë në "Hermandad del Señor de los Milagros", Vëllazërinë që organizon Procesionin e Madh Ndërkombëtar të '"Señor de los Milagros " (Zotit të Mrekullive) i cili kaloi sot nëpër Via della Conciliazione për të marrë bekimin e Papës në Sheshin e Shën Pjetrit.  

Përsëri në nder të '"Señor de los Milagros" (Zotit të Mrekullive), sot në Shën Pjetër kremtohet një Meshë në orën 14:00, e kryesuar nga Kardinali Pedro Barreto, me pjesëmarrjen muzikore nga Shkolla e Artit Muzikor të Parisit. Vitin e kaluar, kremtimi u kryesua nga Kardinali i atëhershëm Prevost.

19 tetor 2025, 15:54

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >