Leoni XIV: 'Kisha është tërësisht misionare. Emigrantë, jeni gjithmonë të mirëpritur'
R.SH. / Vatikan
Pavarësisht motit të keq, sot paradite rreth 40 mijë persona u mblodhën në Sheshin Shën Pjetrit në Vatikan për Meshën e Shenjtë kremtuar nga Papa me rastin e Jubileut të Botës Misionare dhe të Emigrantëve. Në fund, para recitimit të lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa Leoni XIV iu drejtua atyre: "Jeni misionarë të mirë sepse keni ardhur edhe nën shi! Faleminderit! Kisha është tërësisht misionare". Dhe shtoi: "Askush nuk duhet të detyrohet të largohet, as të shfrytëzohet apo keqtrajtohet për shkak të gjendjes së tij si nevojtar apo i huaj! Në vend të parë, gjithmonë, dinjiteti njerëzor!".
Në homelinë e Meshës kushtuar Jubileut të Botës Misionare dhe të Migrantëve, Papa Leoni XIV theksoi rastin për të "ringjallur në ne ndërgjegjen e thirrjes misionare". Ajo konsiston në "dëshirën për t'u sjellë të gjithëve gëzimin dhe ngushëllimin e Ungjillit, veçanërisht atyre që jetojnë një histori të vështirë dhe të plagosur". Midis atyre që vuajnë nga përvoja të dhimbshme janë migrantët, "të cilët janë detyruar të braktisin tokën e tyre, shpesh duke lënë të dashurit e tyre, duke kaluar netët e frikës dhe vetmisë, duke përjetuar në lëkurën e tyre diskriminimin dhe dhunën".
"E gjithë Kisha është misionare", tha Prevost në homeli të Meshës. "Shpirti Shenjt na dërgon të vazhdojmë veprën e Krishtit në periferitë e botës, të shënuara ndonjëherë nga lufta, padrejtësia dhe vuajtja". Dhe njoftoi hapjen në Kishë të "një epoke të re misionare". Ajo nuk konsiston në kuptimin e misionit të lidhur me "nisjen" drejt "tokave të largëta". "Sot kufijtë e misionit nuk janë më gjeografikë, sepse varfëria, vuajtja dhe dëshira për një shpresë më të madhe, janë ato që vijnë drejt nesh".
Për të kujtuar këtë lëvizje "drejt nesh" janë migrantët, "drama e arratisjes së tyre nga dhuna, vuajtja që i shoqëron, frika se nuk do t'ia dalin, rreziku i kalimeve të rrezikshme përgjatë brigjeve të detit, klithma e tyre e dhimbjes dhe dëshpërimit". "Vëllezër dhe motra - shtoi Papa - ato anije që shpresojnë të shohin një port të sigurt ku të ndalojnë dhe ata sy plot ankth e shpresë që kërkojnë një tokë të fortë ku të mbërrijnë, nuk mund dhe nuk duhet të gjejnë ftohtësinë e indiferencës ose stigmën e diskriminimit!".
“Nuk bëhet fjalë aq shumë për ‘t’u nisur’, sesa për ‘të qëndruar’ për të shpallur Krishtin përmes mikpritjes, dhembshurisë dhe solidaritetit”, vazhdoi Ati i Shenjtë Prevost duke kujtuar misionaret, misionarët dhe shumë besimtarë që punojnë duke promovuar një “kulturë të re të vëllazërisë mbi temën e migracionit, përtej stereotipeve dhe paragjykimeve”. Një angazhim që “e sfidon secilin prej nesh”, dhe kërkon “dy angazhime të mëdha misionare: bashkëpunimin misionar dhe thirrjen misionare”, tha Papa.
“Ju kërkoj të promovoni një bashkëpunim të ripërtërirë misionar midis Kishave”. Në shoqëritë perëndimore “prania e shumë vëllezërve dhe motrave nga Jugu i botës duhet të shihet si një mundësi”, tha Papa në homelinë e Meshës e shtoi: “Do të doja të kujtoja bukurinë dhe rëndësinë e thirrjeve misionare. I drejtohem në veçanti Kishës evropiane: sot ka nevojë për një shtysë të re misionare, për laikë, rregulltarë dhe meshtarë që ofrojnë shërbimin e tyre në tokat e misionit”. “Migrantëve u them: jeni gjithmonë të mirëpritur! Detet dhe shkretëtirat që keni kaluar, në Shkrimet e Shenjta janë ‘vende të shpëtimit’”, shtoi Ati i Shenjtë në homelinë e Meshës kremtuar në Sheshin e Vatikanit për Jubileun e Botës Misionare dhe të Migrantëve.