Papa: shpresa e vërtetë nuk është të dish gjithçka, por të udhëhiqesh nga feja

Në audiencën e sotme jubilare mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Leoni XIV shpjegon se të shpresosh do të thotë edhe të lejosh veten të udhëhiqesh nga feja, siç mëson Nicola Cusano, një kardinal që jetoi në shekullin XV, diplomat papnor: ai besonte te njerëzimi. Ai kuptonte se "Zoti është një mister në të cilin ajo që është në tension gjen unitet".

R.SH. – Vatikan

"Le të mësojmë në këtë muaj të Rruzares se shpresa e vërtetë është ajo që nuk kërkon të dijë apo të kuptojë gjithçka, por e lë veten të udhëhiqet nga feja". Kështu tha mes tjerash Papa Leoni XIV në Audiencën e sotme Jubilare gjatë përshëndetjeve drejtuar besimtarëve frankofonë.

Të shpresosh është të mos dish. Ne nuk i kemi tashmë përgjigjet për të gjitha pyetjet. Por kemi Jezusin. E ndjekim Jezusin. Dhe atëherë shpresojmë atë që ende nuk e shohim. Këtë na mëson edhe Viti i Shenjtë Jubilar, shpjegon Leoni XIV para shtegtarëve të mbledhur sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për audiencën jubilare. "Ashtu si dishepujt e Jezusit, tani duhet të mësojmë të jetojmë në një botë të re", të shohim çdo gjë "në dritën e ngjalljes së të Kryqëzuarit (Jezusit)" dhe të kemi ndërgjegjen se kështu "jemi shpëtuar", në një "shpresë" të tillë. Megjithatë, Krishti Ngjallur ka "filluar të edukojë shikimet tona. Dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot", ne nuk jemi mësuar t'i shohim gjërat me shpresë. Por është pikërisht me sytë e besimit që duhet të projektohemi drejt së nesërmes, inkurajon Papa nga Sheshi i Bazilikës së Vatikanit, pasi përshëndeti besimtarët në xhiron e zakonshme me xhipin e tij të bardhë.

Dashuria ka fituar, megjithëse kemi para syve shumë kontraste dhe shohim përplasjen mes shumë të kundërtave.

Ka të kundërta që duhen mbajtur bashkë

Kush ka jetuar në një realitet edhe "të trazuar", ka qenë në shekullin XV kardinali gjerman Nicola Cusano, "një mendimtar i madh dhe shërbëtor i unitetit". Prej tij mund të mësohet "se të shpresosh është edhe 'të mos dish'", thekson Papa, i cili bëri një profil të kardinalit Cusano. Edhe pse nuk e shihte "unitetin e Kishës, të tronditur nga rryma të kundërta dhe të ndarë mes Lindjes dhe Perëndimit", dhe "paqen në botë dhe mes feve", gjatë udhëtimeve të tij, "si diplomat i Papës", "Cusano lutej dhe mendonte", "prandaj shkrimet e tij janë plot dritë".

Shumë bashkëkohës të tij jetonin me frikë; të tjerë armatoseshin duke përgatitur kryqëzata të reja. Nicola Cusano, përkundrazi, zgjodhi që i ri të shoqërohej me ata që kishin shpresë, me ata që thellonin disiplina të reja, me ata që rilexonin klasikët dhe ktheheshin te burimet. Besonte te njerëzimi. Kuptoi se ka të kundërta që duhen mbajtur bashkë, se Zoti është një mister në të cilin ajo që është në tension gjen unitet. Nicola dinte se nuk dinte dhe kështu kuptonte gjithnjë e më mirë realitetin.

Padija e ditur” dhe shpresa

Nicola Cusano, atëherë mëson “të bësh hapësirë, të bashkosh të kundërtat, të shpresosh atë që ende nuk shihet”, thekson Papa Leoni, duke shpjeguar se kardinali gjerman “fliste për një “padije të ditur”, shenjë inteligjence” dhe duke kujtuar se në disa shkrime të prelatit protagonist “është një personazh kurioz: idioti”, “një person i thjeshtë, që nuk ka studiuar dhe u bën të diturve pyetje elementare, që vënë në krizë siguritë e tyre”. Kështu ndodh edhe sot në Kishë, vëren Papa.

Sa pyetje vënë në krizë mësimin tonë! Pyetje të të rinjve, pyetje të të varfërve, pyetje të grave, pyetje të atyre që janë heshtur ose dënuar, sepse ndryshe nga shumica. Jemi në një kohë të bekuar: sa pyetje! Kisha bëhet eksperte e njerëzimit, nëse ecën me njerëzimin dhe ka në zemër jehonën e pyetjeve të tij.

Të mësosh nga Jezusi

Përballë kësaj vetëdijeje, ftesa e Papës është të bëhemi "një popull në të cilin të kundërtat bashkohen në unitet", të thellohemi "si eksplorues në botën e re të Krishtit të Ngjallur", që na paraprin. Është prej Tij që Kisha dhe "gjithë njerëzimi mësojnë, përfundon Papa Leoni, "duke avancuar hap pas hapi" në një "udhëtim shprese".

25 tetor 2025, 12:20

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >