Papa Leoni gjatë Meshës së 5 tetorit (@Vatican Media) Papa Leoni gjatë Meshës së 5 tetorit (@Vatican Media)

Papa u bën thirrje liderëve botërorë të angazhohen për marrëveshjen e paqes në Gaza

Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa mendon për Gazën, Filipinet dhe kërkon të lutet Rruzarja për paqe. Pastaj shprehu shqetësimin e tij për shfaqjen e "urrejtjes antisemite në botë", pas sulmit në Mançester, dhe dhimbjen për vuajtjen e popullit palestinez, por shikon me shpresë hapat përpara në negociatat e paqes, për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve. Afërsi me popullin filipinas të goditur nga "tërmeti i fortë" në Cebu

R.SH. – Vatikan

Ati i Shenjtë Leoni XIV është i shqetësuar për rritjen e "urrejtjes antisemite në botë", e cila u shpreh me sulmin terrorist në sinagogën e Mançesterit, më 2 tetor, dhe vazhdon të jetë i pikëlluar për vuajtjen e palestinezëve në Gaza. Por në fjalët e Papës para lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, në fund të Meshës për Jubileun e botës misionare dhe të migrantëve, ka edhe shpresë.

Në këto orë të fundit, në situatën dramatike të Lindjes së Mesme, po bëhen disa hapa të rëndësishëm përpara në negociatat e paqes, të cilat shpresoj të arrijnë sa më shpejt rezultatet e dëshiruara. U kërkoj të gjithë përgjegjësve të angazhohen në këtë rrugë, të ndalojnë zjarrin dhe të lirojnë pengjet. Ndërsa nxis të qëndrojmë të bashkuar në lutje, në mënyrë që përpjekjet aktuale të mund t'i japin fund luftës dhe të na çojnë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Faleminderit atyre që lusin Rruzaren për paqe

Papa na fton gjatë muajit tetor të bashkohen shpirtërisht me besimtarët e mbledhur për Lutjen drejtuar Zojës Rruzare në Kisha dhe Shenjtërore të ndryshme si në Pompei të Italisë e kudo në botë. Në këtë muaj tetor, duke soditur me Marinë Virgjër misteret e Krishtit Shpëtimtar, ne intensifikojmë lutjen tonë për paqe, një lutje që bëhet solidaritet konkret me popullatat e martirizuara nga lufta. Faleminderit shumë fëmijëve që në të gjithë botën janë angazhuar ta lusin Rruzaren Shenjte për këtë qëllim. Faleminderit nga zemra!

Afërsi dhe lutje për Filipinet e goditura nga tërmeti

Para se të kërkonte të luteshin për ata që vuajnë nga konfliktet aktuale në botë, Papa Leoni XIV kujtoi "tërmetin e fortë" që goditi rajonin qendror të Filipineve, veçanërisht provincën Cebu dhe provincat fqinje, mbrëmjen e së martës, më 30 shtator.

Shpreh afërsinë time me popullin e dashur filipinas, dhe në veçanti lutem për ata që janë më të prekur nga pasojat e tërmetit. Të qëndrojmë të bashkuar dhe solidarë në besimin te Zoti, dhe në ndërmjetësimin e Nënës së Tij në çdo rrezik.

Papa Leoni XIV përshëndeti të gjithë shtegtarët e pranishëm, në veçanti “besimtarët, mes të cilëve disa të rinj nga Betlehemi, që mbajnë statujën e Virgjërës Mari të Zbulesës”.

05 tetor 2025, 19:43

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >