Leoni XIV: brishtësia dhe gabimet nuk e pengojnë Zotin të na dojë
R.SH. / Vatikan
Në sytë e Papës janë akoma mrekullitë e Bazilikës Laterane në Romë, të cilën ai e la pak para orës 11:30 të paradites pas Meshës, për të kremtuar festën e Kushtimit të Katedrales së dioqezës së Papës dhe selinë e pasardhësit të Pjetrit. Në të - pohon Leoni XIV në katekizmin e lutjes së Engjëllit të Zotit, para 35,000 besimtarëve në Sheshin e shën Pjetrit në Vatikan - kundrohet "misteri i unitetit dhe i bashkimit me Kishën e Romës, e thirrur për të qenë nënë, që kujdeset me dashuri për fenë dhe udhëtimin e të krishterëve të përhapur në të gjithë botën". Nga mrekullitë arkitekturore të Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, Papa na këshillon të shkojmë përtej, që ta stërvisim zemrën për një vështrim më të thellë shpirtëror.
Shumë shpesh, ligshtitë dhe gabimet e të krishterëve, njëherësh me vende të zakonshme e paragjykime, na pengojnë të kuptojmë pasurinë e misterit të Kishës; shenjtëria e saj nuk ka të bëjë me meritat tona, por me "dhuratën e Zotit, që nuk tërhiqet kurrë", por vazhdon t’i zgjedhë "si enë të pranisë së tij, me dashuri paradoksale, edhe duart e ndyra të njerëzve".
Krishti, porta që na çon tek Ati
"Qendër lëvizëse e fesë, e besuar dhe e ruajtur nga Apostujt e nga transmetimi i saj gjatë gjithë historisë", Bazilika Lateranense është edhe vepër me "vlerë të jashtëzakonshme historike, artistike dhe fetare". Papa shikon veçanërisht në navatën qendrore, e cili "strehon dymbëdhjetë shtatoret e mëdha të Apostujve, ithtarët e parë të Krishtit dhe dëshmitarët e Ungjillit". "Kjo na çon - thekson Papa -drejt një shikimi shpirtëror, i cili na ndihmon të shkojmë përtej pamjeve të jashtme, të kapim, në misterin e Kishës, shumë më tepër sesa në një vend të thjeshtë, një hapësirë fizike, një ndërtesë të bërë prej gurësh".
Shenjtërorja e vërtetë e Zotit është Krishti, i vdekur dhe i ringjallur. Ai është ndërmjetësi i vetëm i shpëtimit, shëlbuesi i vetëm, Ai që, duke u lidhur me njerëzimin tonë dhe duke na transformuar me dashurinë e tij, përfaqëson derën që hapet gjerësisht për ne dhe na çon tek Ati.
Gurë të gjallë
Të bashkuar me Krishtin, të krishterët bëhen "gurë të gjallë", të thirrur për të dëshmuar dhe për të shpallur fjalën e jetës.
Ne jemi Kisha e Krishtit, korpi i Tij, gjymtyrët e Tij të thirrura për të përhapur Ungjillin e Tij të mëshirës, të ngushëllimit dhe të paqes në mbarë botën, përmes atij adhurimi shpirtëror që duhet të shkëlqejë sidomos në dëshminë tonë të jetës.
"Le të ecim atëherë - përfundoi Papa - në gëzimin që jemi Populli i shenjtë që e zgjodhi Zoti e le ta thërrasim Marinë, Nënën e Kishës, në mënyrë që ajo të na ndihmojë të mirëpresim Krishtin dhe të na shoqërojë me ndërmjetësimin e saj".