Leoni XIV: sulmi i së keqes nuk mund ta rrënojë shpresën
R.SH. / Vatikan
"Mos lejoni të mposhteni nga frika".
Ky është inkurajimi i katekizmit të Leonit XIV para lutjes së Engjëllit të Tënzot të së Dielës. Duke komentuar kapitullin 21 të Ungjillit të Lukës dhe duke i bërë jehonë asaj që e kishte shprehur gjerësisht në homelinë e tij në Meshë, shqyrtoi reagimin e Jezusit ndaj profecisë së shkatërrimit të Tempullit dhe të luftërave, tërmeteve dhe persekutimeve. E para se të shkojë në Sallën Pali VI për të ndarë drekën me 1,300 të varfër të ndihmuar nga shoqatat vullnetare dhe organizatat dioqezane Caritas, Leoni shikon plagët e botës së "të braktisurve".
Sa më e errët të jetë ora, aq më shumë shkëlqen feja.
Thirrja e Krishtit është shumë “aktuale”, vërejti Papa, duke pasur parasysh "lajmet e konflikteve, fatkeqësive dhe persekutimeve, që mundojnë miliona burra dhe gra" çdo ditë.
Qoftë përballë këtyre vuajtjeve, ashtu edhe indiferencës që kërkon t'i injorojë ato, fjalët e Jezusit shpallin se agresioni i së keqes nuk mund ta shkatërrojë shpresën e atyre që besojnë në Të. Sa më e errët të jetë ora, aq më shumë feja shndrit si dielli.
Armët dhe manipulimi ideologjik, instrumente të persekutimit
Dëshmia matet saktësisht në orën e provës. E historitë biblike janë plot me sprova.
Persekutimi i të krishterëve ndodh jo vetëm me armë dhe keqtrajtim, por edhe me fjalë - domethënë, përmes gënjeshtrave dhe manipulimit ideologjik. Veçanërisht kur shtypemi nga këto të këqija fizike dhe morale, jemi të thirrur të dëshmojmë për të vërtetën që shpëton botën, për drejtësinë që i çliron popujt nga shtypja, për shpresën që u tregon të gjithëve rrugën drejt paqes.
Transformimi i dhunës në shenjë shëlbimi
Rezistencë ndaj fyerjeve, dhunës, tradhtisë. Jeta e Jezusit, deri në Kryq, është vazhdimisht e përshkuar nga ky qëndrim. Papa Leoni na kujton se "fatkeqësitë dhe hidhërimet e historisë kanë një fund, ndërsa gëzimi i atyre që e njohin Krishtin si Shëlbues është i paracaktuar të zgjasë përgjithmonë". E ai shikon dëshmitarët par excellence, martirët:
Gjatë gjithë historisë së Kishës, janë mbi të gjithë martirët, të cilët na kujtojnë se hiri i Zotit është i aftë ta shndërrojë edhe dhunën në shenjë shëlbimi. Prandaj, duke u bashkuar me vëllezërit dhe motrat tona që vuajnë për emrin e Jezusit, kërkojmë me besim ndërmjetësimin e Marisë, Ndihmës së të Krishterëve.
Në çdo sprovë e çdo vështirësi, Virgjëra e Shenjtë na ngushëlloftë dhe na ndihmoftë!