Leoni XIV: shpalleni Ungjillin kudo, që të jetë tharm i vëllazërisë e i paqes
R.SH. - Vatikan
"Ungjilli na kërkon rrezikun e besimit".
Shikoni çka zgjodhi Jezusi, për të kuptuar se i krishteri nuk mund të mbyllet pas gardheve të njëanshme e "të mbrojtura", por thirret t’i tejkalojë kufijtë, si bëri Mesia. Kështu u shpreh Papa sot, 25 janar, në katekizmin para lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të cilin e filloi duke shqyrtuar se ku dhe kur filloi misioni publik i Birit të Zotit, sikur na tregon pjesa e Ungjillit të kësaj së diele të tretë gjatë vitit kishtra nga Mateu.
Zoti është në veprim në çdo kohë
Jezusi vendosi ta nisë predikimin, pasi dëgjoi lajmin për arrestimin e Gjon Pagëzuesit. E të mos rrijë si i ngrirë, por të lëvizë pikërisht në një situatë, që do të kërkonte maturi. Sjell "lajmin e mirë" të Mbretërisë së Zotit në prag, kur kohërat ishin të errëta, kur rezistenca e brendshme do të ishte më shumë se e ligjshme. Këshilla e Papës është ta bëjmë tonin stilin e Jezusit, të kemi guxim dhe të mos i vonojmë çastet më të favorshme për ta kumtuar Krishtin.
Megjithatë, rreziku është të mbetesh i bllokuar nga pavendosmëria ose i burgosur nga maturia e tepërt, ndërsa Ungjilli na kërkon rrezikun e besimit: Zoti është në veprim në çdo epokë, e çdo çast është i mirë për Zotin, edhe nëse nuk ndjehemi gati ose situata nuk duket më e mirë.
Zoti nuk e përjashton askënd
Misioni publik i Jezusit zhvillohet në Kafarnaum, në Galile, “në troje shumëkulturore përshkuar nga njerëz me prejardhje e përkatësi fetare të ndryshme", shpjegoi Papa. Kjo tingëllon si ftesë për të dalë nga zona jonë e rehatisë, "në gëzimin e dijes", përfundoi Papa Leoni, "sepse çdo kohë e çdo vend në jetën tonë vizitohet nga Ai - e përshkohet nga dashuria e Tij".
Ungjilli na thotë se Mesia vjen nga Izraeli, por i tejkalon kufijtë e tokës së tij për të shpallur Zotin, që u afrohet të gjithëve, që nuk përjashton askënd, që nuk erdhi vetëm për kë është i pastër por, përkundrazi, përzihet në të gjitha situatat dhe marrëdhëniet njerëzore. Prandaj, edhe ne të krishterët, duhet ta mundim tundimin për t'u mbyllur në vetvete: Ungjilli duhet të shpallet dhe të jetohet në çdo rrethanë e në çdo mjedis, në mënyrë që të jetë tharm vëllazërie dhe paqeje ndërmjet individëve, kulturave, feve dhe popujve.