Papa: nuk duhet t’u besojmë “zëvendësuesve të lumturisë”, të gëzohemi nga dashuria e Zotit

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa Leoni XIV theksoi rëndësinë që i jepet miratimit dhe dukjes si shkak i stileve të jetesës dhe marrëdhënieve "kalimtare" e "zhgënjyese". Të mos humbasim kohë dhe energji duke ndjekur "çka është vetëm dukje", por të kënaqemi me atë që është e nevojshme. E t’i duam vetëm "gjërat e thjeshta dhe fjalët e sinqerta".

R.SH. / Vatikan

Pavarësisht rëndësisë "së tepërt" që i jepet shpesh "miratimit, pëlqimit, dukjes", nuk kemi nevojë për këtë "lumturi zëvendësuese" që të duhemi nga Zoti, përkundrazi. Papa Leoni XIV e theksoi këtë gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot sot, e diel, 18 janar, në reflektimin e tij nga dritarja e Pallatit Apostolik, drejtuar besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht nga dita e ftohtë e dimrit, si dhe për ata që e ndjekin përmes medias.

Duke u larguar me gëzim dhe përvujtëri

Si shembull për t’u ndjekur në këtë drejtim, Papa përmendi Gjon Pagëzuesin, i cili në Ungjillin e sotëm - Ungjillin e Gjonit - e njeh Jezusin si Mesi, shpall hyjninë dhe misionin e tij në popullin e Izraelit e, “si e ka përfunduar detyrën”, “largohet”.

Për Gjon Pagëzuesin, njeri “tejet i dashur nga turmat” sa i druheshin edhe autoritetet në Jerusalem, do të kishte qenë e lehtë ta “shfrytizonte këtë famë”. Në vend të kësaj, ai “nuk i nënshtrohet tundimit të suksesit dhe popullaritetit” e, para Jezusit, “e pranon vogëlsinë”, duke i lënë “vend madhështisë së Tij”. I vetëdijshëm për rolin si përgatitës i rrugës së Zotit, kur Jezu Krishti vjen, ai “e pranon me gëzim dhe përvujtëri praninë e Tij dhe del sakaq nga skena”.

Zhgënjimi i kalimtares

Dëshmi, kjo e Pagëzuesit, të cilën Papa e quan “të rëndësishme për ne”.

Miratimit, konsensusit dhe dukshmërisë shpesh u jepet rëndësi e tepruar, deri në atë pikë, sa ndikojnë në idetë, sjelljet dhe humorin e njerëzve, duke shkaktuar vuajtje dhe përçarje dhe duke prodhuar stile jetese e marrëdhënie të përkohshme, zhgënjyese dhe kufizuese.

E pra, na siguron Papa Leoni  XIV:

Nuk kemi nevojë për këto "lumturi surrogate". Gëzimi dhe madhështia jonë nuk bazohen në iluzione kalimtare suksesi dhe fame, por nga dijenia se jemi të dashur dhe të dëshiruar nga Ati ynë që është në qiell.

Jezusi flet për dashurinë e një Zoti që edhe sot - theksoi Papa i Romës - "vjen ndërmjet nesh", jo për të na mahnitur "me efekte speciale", por për të "ndarë mundimin tonë" e për të marrë mbi vete "barrët tona", duke zbuluar "kush jemi në të vërtetë dhe sa vlejmë në sytë e tij".

Të mos shpërqendrohemi prej kalimit të tij nga jeta.  E të mos humbasim kohë dhe energji duke e ndjekur atë që është thjesht dukje.

Gjëra të thjeshta dhe fjalë të sinqerta

Prandaj, Papa na fton të mësojmë nga Gjon Pagëzuesi për ta ruajtur "vigjilent" shpirtin, duke dashur "gjëra të thjeshta dhe fjalë të sinqerta", duke jetuar me "kthjelltësi e thellësi të mendjes e të zemrës", duke u kënaqur me atë që është e nevojshme dhe duke gjetur "nëse është e mundur, një çast të veçantë çdo ditë", ku të ndalemi "në heshtje për t'u lutur, për të reflektuar, për të dëgjuar", shkurt, për të "bërë shkretëtirë", për t'u takuar me Zotin dhe për të qenë me Të.

Së fundi, t'ia besojmë veten Virgjërës Mari, model thjeshtësie, urtie e përvujtërie.

18 janar 2026, 14:34

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >